fbpx

Pushteti i la gjykatësit “Swarovski” sepse nuk është i interesuar për reforma të gjyqësorit

Duke gjykuar nga reagimet dhe kritikat, veçanërisht përmes mediave sociale, ngjarjet e fundit në gjyqësi me lirimin e vëllezërve Pavlloviq, gazetarit Llatas, ish ministres së Kulturës Elizabeta Kançeska Milevska, prolongimin e dënimit me burg për ish ministren Jankullovska, rastin e Almirit, rasti Monstra por edhe paralajmërimet se po kërkohet mënyrë për të shpëtuar gjyqtarët nga shkarkimi i rrënuan pritshmëritë e qytetarëve për shoqëri të drejtë, transmeton Portalb.mk. 

E gjithë kjo vjen në një kohë kur PSP-ja është bllokuar, hetimet janë ndalur, kurse legjislacioni i ri për gjyqësorin nga të cilat priteshin reforma kanë mbetur vetëm në letër.

Mungesa e zgjidhjeve të guximshme në këtë sferë i zhvleftësoi tërësisht pritshmëritë e qytetarëve për drejtësi – komentojnë ekspertët.

Gordan Kallajxhiev

Duhet të ristartohet i gjithë sistemi në gjyqësor, sepse sistemi është plotësisht i abuzuar- thotë profesori Gordan Kallajxhiev.

“Ky sistem i vetëqeverisjes, që parimisht është i pranueshëm, por që është abuzuar, nuk mund tani të kthehet në binare të duhura, sepse ata kanë mësuar të funksionojnë në atë mënyrë – gabimisht. Me makijazhe të vogla, ai gjithmonë do të funksionojë ashtu siç funksionon tani. Pra, kemi nevojë për një shtrat të ri prandaj nevojitet marrëveshje për të ristartuar sistemin mbi tjera baza, për çka nevojitet pak më shumë guxim dhe konsensus, por kështu nuk mund të vazhdohet më tutje”, tha profesori Gordan Kallajxhiev.

Kallajxhiev pret që modeli i ri të propozohet nga Trupi për reforma në Ministrinë e drejtësisë, i cili gjithashtu duhet së pari të reformohet dhe në të cilin do të marrin pjesë ekspertë të pavarur të cilët do të ofrojnë zgjidhje.

“Në gjyqësor s’ka ndryshime real – pavarësisht ndryshimeve të miratuara dhe harmonizimit të ligjit me legjislacionin evropian, në gjyqësor vazhdon edhe më tutje më të rëndësishme janë ndikimet me karakter subjektiv” ka komentuar gjykatësi Llazar Nanev. 

“Gjykatësit nuk kanë vullnet dhe dëshirë për të ardhur në ndryshime reale”, thotë Nanev.

Besa Arifi
Besa Arifi

Dhe profesoresha Besa Arifi thotë se është e vështirë të reformohet diçka që nuk është e gatshme për reforma, transmeton Portalb.mk. 

“Ata kanë dëshmi, kanë çdo gjë dhe i lirojnë – ne nuk e dimë nëse kjo është me urdhrin e dikujt, por kur themi se kemi një shoqëri më të lirë gjykatësit nuk duhet të presin urdhra për të sjellë aktgjykime, por kanë mundësi që vetë të sjellin aktgjykime dhe të thonë se nuk mund më të vazhdohet ashtu, por sa është realiste ta presim këtë nga disa gjyqtarë të cilët janë mësuar të punojnë me urdhrat e dikujt”, thotë Arifi.

Arifi po ashtu thekson se në këtë segment kanë munguar “reforma të guximshme” – qoftë veting ose ndonjë mënyrë tjetër për verifikim të gjyqtarëve, është çështje e marrëveshjes, por që duhet të dilet me strategji të qartë. Rekomandimi nga Pribe dhe i bashkësia ndërkombëtare se duhet t’i lihet hapësirë gjyqësorit që të reformohet vetë vërtetoi se te ne nuk ishte i zbatueshëm.

Përgjegjësia për gjyqtarët: Ankesa urgjente për gjykatësin Vangellovski dy vjet qëndron në sirtar

Përkundër vlerësimeve të këqija që gjyqësori i ka marrë gjatë viteve të fundit, asnjë gjyqtar nuk është shkarkuar, as nuk është ngritur përgjegjësi për punë të paligjshme. Ankesat për punën e gjyqtarëve qëndrojnë me vite në sirtarët e Këshillit gjyqësor, kurse zgjidhje përfundimtare s’ka. Iniciativa për të shkarkuar Vangellovskin s’ka arritur ende në agjendën e Këshillit, njëlloj sikurse për dy gjyqtarë të tjerë të Gjykatës së Lartë, për shkak se e anuluan paraburgimin e Sead Koçanit- derisa ai ishte në arrati, transmeton Portalb.mk. 

Këshilli Gjyqësor përbëhet nga 15 anëtarë – duke përfshirë edhe ministrin e drejtësisë dhe kryetarin e Gjykatës Supreme, por ata s’kanë të drejtë vote. Në Këshillin Gjyqësor, marrin pjesë tetë gjyqtarë të zgjedhur në zgjedhje të drejtpërdrejta, tre i zgjedh Kuvendi, kurse dy prej tyre i zgjedh Presidenti.

Presidenti i ri i Këshillit Gjyqësor Kiro Zdravev, u zgjodh në prill të këtij viti nga radhët e gjykatësve Supremë, për të cilët rregullisht arrijnë parashtresa deri te Këshilli.

Ajo që është simptomatike komentojnë, njohësit e rrethanave në Këshillin gjyqësor është se pavarësisht faktit se ka një ankesë të parashtruar në vitin 2017, nga Këshilli, për të vërtetuar fakte kundër kryetarit të Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski, që është dashur të shqyrtohet si urgjente, ajo ende s’ka arritur të hyjë në agjendë.
Burimet thonë se Këshilli vetëm për këtë ankesë thotë se procedura është “duke u zhvilluar”, për dallim nga të gjitha çështjet tjera për të cilat informojnë në detaje për çdo gjë që është ndërmarrë nga Këshilli (është formuar komision, cilët janë anëtarë, sa herë janë takuar).

Jovo Vangellovski
Jovo Vangellovski

Por edhe nëse Këshilli Gjyqësor miraton propozim për të përcaktuar përgjegjësi të Vangellovskit, ai mund ta apelojë vendimin në Gjykatën Supreme. Në këtë rast, Vangellovski do të duhet të përjashtohet nga Këshilli që do të vendosë. Nëse gjyqtarët e lartë e pranojnë ankesën e tij, e tërë procedura kthehet te Këshilli Gjyqësor, i cili duhet të rikonfirmojë për herë të dytë vendimin e tij për përgjegjësinë eventuale të Vangellovskit, që vendimi të bëhet i vlefshëm.

Vendimi merret me shumicë të votave – nga anëtarët e Këshillit, përkatësisht të paktën 7 anëtarë duhet të votojnë “për” – në dhjetor të vitit të kaluar, u zgjodhën 5 anëtarë të rinj të Këshillit gjyqësor. Presidenti Pendarovski, një javë më parë, e tërhoqi propozimin e Ivanovit për anëtar të Këshillit Gjyqësor dhe e propozoi Milazim Mustafën. Kuvendi ende s’ka votuar për Mustafën, transmeton Portalb.mk. 

Ndërkohë dy avokatët dorëzuan një parashtresë në Gjykata Supreme në të cilën kërkojnë nga Gjykata që të sjellë mendim ligjor parimor sipas të cilit për gjyqtarët e propozuar për shkarkim të mund të zbatohen dispozitat e Ligjit të ri mbi Gjykatat, të cilat parashikojnë masë disiplinore për gjyqtarët. Gjykata Supreme e prolongoi seancën për këtë çështje për seancën e radhës.

Gjykatësi Nanev komenton se Gjykata Supreme nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punën e një organi jo gjyqësor siç është Këshilli Gjyqësor.

“Gjykata Supreme mund të japë mendim për atë se si gjykatat duhet të veprojnë lidhur me ndonjë lëndë të caktuar, por nuk mund të jep mendim për këshillin gjyqësor i cili nuk është organ gjyqësor për t’i dhënë mendim se si duhet të veprojë”, thotë Nanev.

Për të thelbësore është që të përcaktohet përgjegjësia individuale të gjyqtarëve.

“Përgjegjësia e gjyqtarëve është individuale, veçmas një-nga-një. Secili gjyqtar është përgjegjës për veprimet e veta- sepse vendimet duhet të merren në mënyrë të pavarur. Një nga mënyrat për të përmirësuar gjendjen në gjyqësi është të detektohet përgjegjësia e individëve – problemi sipas meje është te një pjesë e gjyqtarëve në Gjykatën themelore, Gjykata e Apelit dhe atë Supreme, të tjerët punojnë sipas ligjit dhe s’duhet t’i gjeneralizojmë. Derisa nuk përcaktohet përgjegjësia individuale, problemet nuk do të tejkalohen”, tha Nanev, transmeton Portalb.mk. 

Prokuroria Speciale Publike (Foto: Arbnora Memeti)
Prokuroria Speciale Publike (Foto: Arbnora Memeti)

Pas gjashtë muaj negociatash – marrëveshje për PSP-në s’ka

Procesi i negocimit me PSP-në po vazhdon disa muaj dhe derisa pushteti dhe opozita presin që njëra palë të pranojë kërkesat e palës tjetër, hetimet e PSP-së janë të bllokuara, kurse pas mendimit të Gjykatës Supreme se ka përfunduar afati ligjor, PSP-ja as nuk mund të paraqesë ndonjë padi.

Deri më tani nga të gjitha rastet e PSP-së aktgjykime ka për tre çështje: për Tank – çështje për të cilën dënim me burg vuan vetëm Gjoko Popovski, sepse Supremja e ka prolonguar vuajtjen e dënimit me burg për Jankullovskën, ndërsa ish kryeministri Nikolla Gruevski ka ikur, transmeton Portalb.mk. 

Aktgjykim ka edhe për Titanik 2, por asnjë nga personat e dënuar nuk është në burg – dhe për rastin Trust. Sead Kocan më 17 korrik duhet të fillojë të vuajë dënimin me burg. Për “Ledinen” u miratua aktgjykim për lirim.

“Shumë njerëz s’kanë interes që të miratohet ligji për PSP. Rreth 80 ligjvënës duhet të votojnë për Ligjin për prokurori publike – nuk e di nëse të gjithë dëshirojnë të sillet ky ligj që ka ngecur”, thotë Arifi.

Versioni qeveritar i Projektligjit për Prokurorinë publike u dorëzua në Parlament në janar. Ministrja e drejtësisë Renata Treneska Deskoska thotë se ligji duhet të miratohet me konsensus të gjerë.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska
Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska

“Mesazhin që dëshirojmë ta dërgojmë është se ky ligj duhet të miratohet me konsensus të gjerë, duke pasur parasysh se Ligji për PSP-në u votua nga katër partitë më të mëdha politike në Kuvend. Është gjithashtu e dëshirueshme që tani të votohet me mbështetje të gjerë nga opozita dhe për këto arsye kemi filluar dialogun. E kemi pranuar një pjesë të amendamenteve, por ka një pjesë të amendamenteve që s’mund t’i pranojmë, e ato kryesisht kanë të bëjnë me statusin dhe punën e PSP-së, thotë Deskoska.

Qeveria disa herë e ka prolonguar afatin për marrëveshje rreth ligjit për PSP-në ndërsa afati i fundit që e premton është shtatori.

Në gjyqësor mungojnë reforma të guximshme, pajtohen bashkëbiseduesit. Periudha e kaluar prej dy vitesh ka treguar se vetëm me ndryshime kozmetike dhe ligjet e reja, gjyqësori nuk mund të reformohet dhe të japë drejtësi të cilën qytetarët janë duke e pritur me vite.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close