MPB ka dorëzuar padi penale kundër pjesëtarëve të tifo-grupeve të Tetovës “Vojvodët” dhe “Ballistët”

Policia e Tetovës ka dorëzuar padi penale kundër pesë personave nga Tetova për kryerjen e veprës penale “dhunë’ në ngjarjet e festës së 30 vjetorit të tifo-grupit “Vojvodët”, ndërkaq padi penale për të njëjtin delikt janë dorëzuar edhe kundër nëntë tifozëve “ballistë”, për incidentin e shkaktuar në rrugët e Tetovës pas mbarimit të ndeshjes futbollistike mes Teteksit dhe Shkupit, njofton Portalb.mk.

“Më 2 nëntor, me rastin e festimit të 30 vjetorit të formimit të grupit të tifozëve “Vojvodët” nga Tetova, pesë personat e parë të paraqitur, duke lëvizur nëpër rrugët e Tetovës kanë bërë thirrje me përmbajtje ofenduese”, thuhet në njoftimin e MPB-së në lidhje me paditë për ngjarjen me tifo-grupin e “Vojvodëve”.

“Një ditë më vonë, më 3 nëntor në periudhën prej 12 deri më 16 në Tetovë, përpara fillimit të ndeshjes mes klubit futbollistik “Teteks” nga Tetova dhe klubit fudbollistik “Trim Lum” nga Struga, por edhe gjatë kohës së ndeshjes me klubin futbollistik “Shkupi nga Shkupi, gjashtë tetovarët tjerë bashkë me një person të mitur nga Treboshi, duke lëvizur nëpërmjet rrugëve kanë bërë thirrje me parulla ofenduese, ndërkaq përpara një objekti hotelierie në rrugën “Boris Kidriç“, si pjesë e grupit të tifozëve “Ballistët”, të paraqiturit kanë gjuajtur me gurë dhe shishe të qelqit në drejtim të verandës së objektit”, thuhet në kumtesën e MPB-së në lidhje me ngjarjen e tifo grupit “Ballistët”.

Të dy grupet e tifozëve, kanë përdorur gjuhë të urrejtjes. Portalb.mk, ka kontaktuar me autoritetet e Policisë dhe të njëjtat kanë deklaruar se këto janë paditë fillestare dhe se do të dorëzohen edhe padi të tjera, në të cilat do të ndiqen penalisht ata të cilët kanë përdorur gjuhë të urrejtjes.

Ndryshe,  më 2 nëntor grupi i tifozëve “Vojvodët” nga Tetova kanë festuar 30 vjetorin e ekzistimit të tyre dhe gjatë marshimit nëpër rrugët e qytetit kanë bërë thirrje ofenduese ndaj shqiptarëve. Një ditë më pas, gjegjësisht të dielën, pasi ka mbaruar ndeshja mes Shkëndisë dhe Shkupit në Tetovë, grupi i tifozëve “Ballistët”, u janë kundërpërgjigjur “Vojvodëve”, gjithashtu me thirrje ofenduese, por ndaj maqedonasve.

Udhëheqësia e Sektorit të Punëve të Brendshme të Tetovës, ka realizuar takim me Prokurorinë Themelore Publike Tetovë për pastrimin e plotë të rasteve në të cilën janë përfshirë anëtarë të grupeve të tifozëve.

Në takim janë kryer aktivitete koordinuese për kualifikimin e ngjarjeve, dinamikën dhe hapat e mëtutjeshëm, me qëllim të pastrimit të plotë të rastit dhe rrumbullakim final me përgatitjen e padive përkatëse kundër personave të përfshirë.

Për rastin në fjalë, ka reaguar dhe organizata joqeveritare e cila merret me ndjekjen dhe evidentimin e gjuhës së urrejtjes në Maqedoni, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut duke kërkuar që autorët të marrin dënime të ashpra.

Gjuha e urrejtjes – vepër penale që nuk u ndëshkua

Në Maqedoni me vite të tëra nuk janë ndëshkuar shpërndarësit e gjuhës së urrejtjes, të cilat në masë të madhe janë kryer gjithashtu edhe nga tifo-grupet, ndërkaq situata është e njëjtë edhe me krimin që ka shkaktuar urrejtja. Numri i ndëshkimeve është mjaft i vogël, krahasuar me paraqitjet në platformën digjitale “Paraqite dhe kundërshto gjuhën e urrejtjes” të cilët për të njëjtën periudhë kanë regjistruar 341 raste, ndërkaq Policia ka dorëzuar padi penale për 24 raste.

Por praktikës së mosdënimit, Qeveria e Maqedonisë thotë se do t’i vjen fundi. Ata premtojnë se nëpërmjet strategjisë kombëtare për zhvillimin e konceptit “Një shoqëri” dhe interkulturalizmit në Maqedoni, do ta luftojë gjuhën e urrejtjes, ndërkaq paralajmërojnë edhe padi të reja nëpërmjet MPB-së për personat që kanë shpërndarë gjuhë të urrejtjes nëpër rrjetet sociale dhe gjithandej. Strategjia do të hartohet në periudhë prej gjashtë muajve në formë të dokumentit, dhe sipas pushtetit është i rëndësishëm duke pasur parasysh ndarjen e shoqërisë në baza të ndryshme.

LEXO NË LIDHJE ME TEMËN:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button