Maqedonia “vlon” nga gjuha e urrejtjes, por rastet rrallë procesuohen në Gjykatë (Infografik)

Prej kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja ligjore të Kodit Penal për gjuhën e urrejtjes, gjegjësisht prej shkurtit të vitit 2014-të, Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar vetëm dy persona me të holla për gjuhë të urrejtjes. Numri i ndëshkimeve është mjaft i vogël, krahasuar me paraqitjet në platformën digjitale Paraqite dhe kundërshto gjuhën e urrejtjes të cilët për të njëjtën periudhë kanë regjistruar 341 raste, ndërkaq Policia ka dorëzuar padi penale për 24 raste, njofton Portalb.mk.

Policia me tempo të ngadaltë e ka hetuar gjuhën e urrejtjes, ndërsa gjyqësori nuk e ka dënuar, duke pasur parasysh numrin e madh të paraqitjeve që janë bërë vetëm në platformën digjitale qytetare për paraqitje të gjuhës së urrejtes. Pos kësaj, në Maqedoni, sidomos në kohën e pushtetit të VMRO-DPMNE-së, sipas analizës të Portalb.mk, gjuha e urrejtjes ka qenë mjaftë e theksuar dhe ka pasur raste eklatante ku publikisht persona dhe grupe të caktuara kanë qenë të ekspozuara ndaj këtij fenomeni që dënohet sipas ligjit, por e njëjta nuk është ndjekur dhe dënuar nga organet e rendit.

Sipas të dhënave që kemi siguruar, gjatë periudhës 2014-2018-të, Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar vetëm dy persona me të holla, edhe atë në vitin 2017-të.

Për periudhën e njëjtë, Ministria e Punëve të Brendshme ka evidentuar edhe 22 raste të tjera të gjuhës së urrejtjes, por asnjëra nga to nuk ka marrë epilog gjyqësor në Gjykatën Penale të Shkupit.

Gjykata dy personat i ka dënuar, sipas nenit 181 të Kodit Penal, i cili parasheh dënim me para ose me burg deri në 3 vjet për personin që tallet me ndonjë shtet të huaj ose përfaqësues të lartë shtetëror të saj.
Nga ana tjetër MPB më së shumti padi ka ngritur për “rrezikim të sigurisë nëpërmjet rrugës së sistemit informatik sipas nenit 144 paragrafi 4” – 19. Për “shkaktim të  urrejtjes, mosmarrëveshjes ose intolerancës në bazë nacionale, racore, fetare ose në bazë ndonjë diskriminimi tjetër sipas nenit 319 paragrafi 1”, MPB ka dorëzuar 4 padi. Nga 1 padi, për “diskriminim racor dhe diskriminim tjetër sipas nenit 417 paragrafi 1” dhe “shkelje të barazisë së qytetarëve sipas nenit 137 paragrafi 1” dhe asnjë padi për shpërndarje të materialeve raciste dhe ksenofobe nëpërmjet sistemit kompjuterik, sipas nenit 394 G paragrafi 1.

Të dhëna të tjera për gjuhën e urrejtjes mund shikohen edhe nga platforma në internet “Paraqit dhe kundërshto gjuhën e urrejtjes”. Qytetarët në këtë ueb-platformë kanë paraqitur dhjetëfish më shumë raste ku është përdorur gjuha e urrejtjes në krahasim me paditë penale që i ka dorëzuar policia.

Sipas statistikave që dalin nga kjo ueb-platformë, prej vitit 2014-të deri në vitin 2018-të, qytetarët kanë paraqitur 341 raste ku është përdorur gjuha e urrejtjes, ndërkaq prej tyre më së shumti e njëjta është përdorur për shkak përkatësisë etnike, politike dhe seksuale.

Të dhënat e platformës të paraqitjeve të gjuhës së urrejtjes prej vitit 2014 deri në vitin 2018
Të dhënat e platformës të paraqitjeve të gjuhës së urrejtjes prej vitit 2014 deri në vitin 2018

Formën interaktive të hartës mund ta shihni: KËTU

Ndryshe, në dy muajt e fundit, MPB ka dorëzuar disa padi penale kundër personave që kanë përdorur gjuhë të urrejtjes dhe kanë kërcënuar deputetët që kanë votuar për ndryshimet kushtetuese. Padi penale është dorëzuar edhe kundër gazetarit Milenko Nedellkovski dhe aktorit Toni Mihajllovski, të dy të afërt të ish pushteti të VMRO-DPMNE-së. Nedellkovski akuzohet për “Rrezikim të sigurisë” dhe “Shpërndarje të materialit racist dhe ksenofobik”, ndërkaq Mihajllovski akuzohet se e ka kërcënuar gazetarin Branko Triçkovski.

LEXO: Policia dhe Prokuroria në ofensivë me padi penale kundër kërcënimeve dhe gjuhës së urrejtjes
LEXO: Rastet më eklatante të gjuhës së urrejtjes në vitet 2013 – 2018

Qytetarët kërkojnë:

Gjykata Penale – Shkupi 1 të jetë më ekspeditive dhe efikase në procesuimin e rasteve

Gjuha e urrejtjes është vepër penale sipas Kodit Penal të Maqedonisë

Prej shkurtit të vitit 2014 në Republikën e Maqedonisë kanë hyrë në fuqi dispozitat e reja ligjore me të cilat ndalohet dhe ndëshkohet gjuha e urrejtjes dhe përhapja e materialeve nëpërmjet internetit, me të cilat promovohet ose nxitet urrejtje, diskriminim ose dhunë, kundër cilitdo qoftë njeri ose grupi, në çfarëdo baze të diskriminimit.

Kodi Penal i Maqedonisë
Kodi Penal i Maqedonisë

Me ndryshimet e Kodit penal të cilat i miratoi Kuvendi me procedurë urgjente në fillim të vitit 2014 dhe hynë në fuqi në mes të shkurtit (tetë ditë pas publikimit të tyre në Gazetën zyrtare të R. të Maqedonisë, nr. 27 të datës 05.02.2014) neni 319 thotë:

Shkaktimi i urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit në bazë kombëtare, racore, fetare dhe në ndonjë tjetër të diskriminimit

(1)  Ai i cili me dhunë, maltretim, rrezikim të sigurisë, ekspozimit për tallje të simboleve nacionale, etnike, fetare dhe të tjera, me djegie, shkatërrim ose me ndonjë mënyrë tjetër të dëmtimit të flamurit të Republikës së Maqedonisë ose flamujve të shteteve të tjera, me dëmtim të gjërave të huaja, me përdhosjen e përmendoreve, varreve ose në ndonjë mënyrë tjetër diskriminuese, të drejtpërdrejtë ose indirekte, do të shkaktojë ose do të nxisë urrejtje, përçarje ose mosdurim në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, prejardhjes, përkatësisë në ndonjë grup të margjinalizuar, përkatësisë etnike, gjuhës, shtetësisë, prejardhjes sociale, religjionit ose besimit fetar, llojeve të tjera të besimit, arsimit, përkatësisë politike, statusit personal ose shoqëror, pengesës menatale ose trupore, moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjendjes materiale, gjendjes shëndetësore, ose në çfarëdo baze tjetër që është paraparë me ligj ose me ndonjë marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare, do të dënohet me burg prej një deri në pesë vjet.

(2) Ai që veprën nga paragrafi (1) i këtij neni e bën duke e keqpërdorur pozitën ose autorizimin ose nëse për shkak të atyre veprave janë shkaktuar trazira dhe dhunë ndaj njerëzve ose është shkaktuar dëm material me përmasa të mëdha, do të dënohet me burg prej një deri në dhjetë vjet.

Me këtë nen është paraparë dënim me burg prej një deri në pesë vjet, për secilin që do shkaktojë ose që do nxisë urrejtje, përçarje ose mosdurim, sipas ndonjë baze për diskriminim.

Pas ndryshimeve të Kodit Penal, neni 394-d thotë:

Përhapja e materialit me përmbajtje raciste dhe ksenoffobike nëpërmjet sistemeve kompjuteri

(1) Ai i cili nëpërmjet kompjuterik në publik përhap material të shkruar me përmbajtje racore dhe ksenofobike, fotografi ose ndonjë reprezentim tjetër të ndonjë ideje ose teorie që ndihmon, promovon ose nxit urrejtje, diskriminim ose dhunë, kundër cilitdo qoftë person ose grup, në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, prejardhjes, përkatësisë në ndonjë grup të margjinalizuar, përkatësisë etnike, gjuhës, shtetësisë, prejardhjes sociale, religjionit ose besimit fetar, llojeve të tjera të besimit, arsimit, përkatësisë politike, statusit personal ose shoqëror, pengesës menatale ose trupore, moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjendjes materiale, gjendjes shëndetësore, ose në çfarëdo baze tjetër që është paraparë me ligj ose me ndonjë marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare, do të dënohet me burg prej një deri në pesë vjet.

(2) Me dënimin e paraparë në paragrafin (1) të këtij neni do të dënohet edhe ai që veprën do ta kryejë nëpërmjet mjeteve të tjera të informimit publik.

(3) Ai që veprën nga paragrafet (1) dhe (2) të këtij neni e bën duke e keqpërdorur pozitën ose autorizimin ose nëse për shkak të atyre veprave janë shkaktuar trazira dhe dhunë ndaj njerëzve ose është shkaktuar dëm material me përmasa të mëdha, do të dënohet me burg prej një deri në dhjetë vjet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button