fbpx

“Ballistët” dhe “Vojvodët” i mblodhën policët dhe prokurorët: Thonë se po identifikohen shpërndarësit e gjuhës së urrejtjes

Policia dhe Prokuroria në mënyrë të koordinuar po punojnë për zbardhjen e ngjarjeve të së shtunës dhe të dielës në Tetovë në të cilat tifozë nga grupet “Vojvodët” dhe “Ballistët” kanë përdorur gjuhë të urrejtjes në baza etnike, e cila sipas Kodit Penal të Maqedonisë është vepër penale e cila dënohet me të holla ose me burg prej 1 deri në 5 vjet, njofton Portalb.mk.

Të shtunën, grupi i tifozëve “Vojvodët” nga Tetova kanë festuar 30 vjetorin e ekzistimit të tyre dhe gjatë marshimit nëpër rrugët e qytetit kanë bërë thirrje ofenduese ndaj shqiptarëve. Një ditë më pas, gjegjësisht të dielën, pasi ka mbaruar ndeshja mes Shkëndisë dhe Shkupit në Tetovë, grupi i tifozëve “Ballistët”, u janë kundërpërgjigjur “Vojvodëve”, gjithashtu me thirrje ofenduese, por ndaj maqedonasve.

“Qëndrimi jonë është shumë i thjeshtë, ne s’e kemi filluar, ata e kanë filluar të parët dhe pastaj ne ua kemi kthyer”, kështu shprehet për Portalb.mk kryetari i tifo grupit nga Tetova “Ballistët”, Isak Luma.

Nga ana tjetër, “Vojvodët”, thonë se ata nuk kanë shkaktuar asnjë incident, ndërkaq kërkojnë nga organet e rendit dhe ndjekjet që të mos i barazojnë me “Ballistët”.

“Si grup tifozësh me përgjegjësi themi se nga ana jonë nuk kemi bërë asnjë incident dhe kërkojmë nga MPB dhe Prokuroria që “Vojvodët” të mos i vendosin me një thes me fqinjët tanë barbarë të cilët siç shihet nuk munden që të përballen me ne dhe suksesin tonë dhe për atë i sulmojnë qytetarët e pafajshëm dhe objektet”, thonë nga “Vojvodët”.

Më poshtë mund t’i shihni videot e dy tifo-grupeve ku kanë përdorur gjuhë të urrejtjes:

“Vojvodët”,  03.11.2018

“Ballistët” 04.11.2018

Policia dhe Prokuroria po punon në pastrimin e rastit

“Për tifozët që kanë skanduar porosi nacionaliste në Tetovë, në kuadër të SPB Tetovë po ndërmerren masa për të dyja grupet. Kemi dhënë detyrë të veçantë në pjesën e parandalimit dhe po punojmë me dy tifo grupet. Nuk guxojmë që të lejojmë që konfliktet e tyre me gjuhë të urrejtjes të jenë përditshmëri në Republikën e Maqedonisë”, kështu u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski Spasovski në lidhje me ngjarjet e fundjavës.

Dje, udhëheqësia e Sektorit të Punëve të Brendshme të Tetovës, ka realizuar takim me Prokurorinë Themelore Publike Tetovë për pastrimin e plotë të rasteve të 3 dhe 4 nëntorit, në të cilën janë përfshirë anëtarë të grupeve të tifozëve.

Në takim janë kryer aktivitete koordinuese për kualifikimin e ngjarjeve, dinamikën dhe hapat e mëtutjeshëm, me qëllim të pastrimit të plotë të rastit dhe rrumbullakim final me përgatitjen e padive përkatëse kundër personave të përfshirë.

LEXO: “Ballistët” dhe “Vojvodët” para Policisë premtuan se më nuk do të përdorin gjuhë të urrejtjes

Të pyetur sot nga Portalb.mk, nëse është dorëzuar ndonjë padi përkatëse për kryerësit, nga Policia dhe Prokuroria japin përgjigje të njëjtë se po punohet në identifikimin e personave dhe në vazhdimësi do të njoftojnë kur do të dorëzojnë paraqitje përkatëse.

Për rastin në fjalë, ka reaguar dhe organizata joqeveritare e cila merret me ndjekjen dhe evidentimin e gjuhës së urrejtjes në Maqedoni, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut duke kërkuar që autorët të marrin dënime të ashpra.

“Në videot e publikuara nga ndodhitë në rrugët e Tetovës më 4 nëntor të vitit 2018-të, dëgjohen këngë dhe thirrje me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes dhe thirrje për dhunë, pas së cilës ka vijuar edhe kryerja e veprës nga urrejtja, gjegjësisht me gjuajtje gurë dhe shishe ndaj një kafiterie me mysafirë. Komiteti i Helsinkit me vëmendje të veçantë e ndjek zgjidhjen e këtij incidenti dhe do të kërkojë dënime më të ashpra për veprat nga urrejtja dhe gjuha e urrejtjes, qëllimi i të cilit është që të shkaktohen tensione ndëretnike dhe dhunë”, thuhet në reagimin e KH-së.

Gjuha e urrejtjes – vepër penale që nuk u ndëshkua

Në Maqedoni me vite të tëra nuk janë ndëshkuar shpërndarësit e gjuhës së urrejtjes, të cilat në masë të madhe janë kryer gjithashtu edhe nga tifo-grupet, ndërkaq situata është e njëjtë edhe me krimin që ka shkaktuar urrejtja. Numri i ndëshkimeve është mjaft i vogël, krahasuar me paraqitjet në platformën digjitale “Paraqite dhe kundërshto gjuhën e urrejtjes” të cilët për të njëjtën periudhë kanë regjistruar 341 raste, ndërkaq Policia ka dorëzuar padi penale për 24 raste.

Por praktikës së mosdënimit, Qeveria e Maqedonisë thotë se do t’i vjen fundi. Ata premtojnë se nëpërmjet strategjisë kombëtare për zhvillimin e konceptit “Një shoqëri” dhe interkulturalizmit në Maqedoni, do ta luftojë gjuhën e urrejtjes, ndërkaq paralajmërojnë edhe padi të reja nëpërmjet MPB-së për personat që kanë shpërndarë gjuhë të urrejtjes nëpër rrjetet sociale dhe gjithandej. Strategjia do të hartohet në periudhë prej gjashtë muajve në formë të dokumentit, dhe sipas pushtetit është i rëndësishëm duke pasur parasysh ndarjen e shoqërisë në baza të ndryshme.

LEXO NË LIDHJE ME TEMËN:

LEXO: Qeveria e Maqedonisë do ta luftojë gjuhën e urrejtjes përmes konceptit “Një shoqëri” dhe me kallëzime penale
LEXO: Maqedonia “vlon” nga gjuha e urrejtjes, por rastet rrallë procesuohen në Gjykatë (Infografik)
LEXO: Policia dhe Prokuroria në ofensivë me padi penale kundër kërcënimeve dhe gjuhës së urrejtjes

LEXO: Rastet më eklatante të gjuhës së urrejtjes në vitet 2013 – 2018

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button