Teatri Shqiptar asessi të mbarojë me ndërtimin, vazhdimisht jepen arsyetime

Teatri Shqiptar i Shkupit ka pothuajse katër vite që po rinovohet dhe assesi të mbarojë. Sot, sapo kaloi edhe një afat për të cilin u premtua nga përgjegjësit se do të përfundojnë punimet, shkruan Portalb.mk

Pas vizitës që Portalb ia bëri sot hapësirës ku po zhvillohen punimet, kuptoi se që nga vizita e ministrit të Kulturës, Asaf Ademi, e realizuar tre muaj më parë, përveç tavanit dhe disa pjesë të skenës, asgjë tjetër nuk ishte rikonstruuar, në objektin e teatrit shqiptar të Shkupit. Këtë herë, arsyeja e shkeljes së afatit të punimeve na thanë se është mos-sanimi i trafostacionit si dhe nënshkrimi i marrëveshjes me vonesë për furnzim me mjete shtesë që janë kërkuar për teknologjin skenike.

Mbikqyrësja e objektit Vaselinka Gerasimova, theksoi se afati i paraparë për përfundimin e rikonstruimit është shtyrë për në janar të vitit 2019, për shkak të sanimit të trafostacionit që e posedon Teatri Shqiptar dhe marrëveshjes që është bërë me vonesë për furnizimin e mjeteve shtesë për teknologjinë skenike.

“Arsyeja e parë që e kemi shtyrë afatin është për shkak se Teatri Shqiptar një periudhë ka biseduar me EVN Maqedoni për ta marrë përsipër sanimin e trafostacionit. Pasi që arritën marrëveshje EVN duhej të pres që t’i marrë mjetet nga Ministra e Kulturës që të fillojë me përpilimin e dokumentacionit teknik për sanimin e trafostacionit. Presim nga java e ardhshme që EVN të fillojë me punë në terren. Arsyeja e dytë është që kemi bërë marrëveshje shtesë për furnizim me paisje teknologjike. Por, për shkak që marrëveshja u bë me vonesë, për këtë duhej që ta shtyejmë dhe afatin për përfundimin e rikonstruimit”, tha Vaselinka Gerasimova për Portalb.mk.

Ajo thotë se pas sanimit të trafostacionit, do të mund të bëhet testimi i teknologjis së re skenike e cila duhet të arrijë nga Bullgaria.

Nga ana tjetër, në bisedë të lirë me mbikëqyrësen e cila nuk deshi të prononcohet zyrtarisht, tha se nuk mund të dihet sakt se kur do të përfundojnë punimet. Lidhur me zvarritjen e deritanishme të punimeve, ajo gjithashtu e përmendi pengesën e trafostacionit të objektit, si dhe marrëveshjen për furnizimin e teknologjisë skenike.

“Nuk dihet kur do të mbarojnë punimet. Problemi është te trafostacioni, është i vjetër dhe duhet t’i bëhet sanim pasi që nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të punuar me makinerinë që e posedojmë. Jemi duke e pritur EVN-në ta bëjë sanimin. Përveç asaj, kemi nënshkruar aneks marrëveshje për furnizimin me teknologjinë skenike e cila do të na arrijë nga Bullgaria”, tha mbikëqyrësja.

Nga Kompania Energjetike e Maqedonisë për Portalb.mk, njoftojnë se menjëherë pasi që e kanë marrë kërkesën nga Teatri kanë filluar me procesin e sanimit të trafo stacionit. Nga kjo kompani thonë se punimet janë në fazë përfundimtare duke mos precizuar asgje.

Nga ana tjetër, Ministria e Kulturës vazhdon të shprehet optimiste se punimet do të përfundojnë deri në janar të vitit 2019. Nga atje thonë se punimet janë në fazën përfundimtare dhe se pas përfundimit të testimit të objektit dhe teknikës trupat teatrore do të mund ta shfrytëzojnë hapsirën.

“Rikonstruktimi i Teatrit Shqiptar është në fazën përfundimtare dhe i njëjti pritet të përfundojë deri në fund të vitit. Pasi të kryhen të gjitha testimet e objektit dhe teknikës, Ansambli i Teatrit Shqiptar përsëri do të vazhdojë me punë prej janarit të vitit 2019”, thonë nga Ministria e Kulturës.

Për katër vite, Teatri Shqiptar i Shkupit shëtiti andej-këndej

Teatri Shqiptar i Shkupit është i vetmi që ka një objekt të vetin, por edhe ai ka pothuajse pesë vite që rinovohet. Zvarritja e punimeve të këtij teatri ka bërë që të punësuarit dhe artdashësit e Shkupit por edhe më gjerë të enden nga një objekt kulturor në tjetrin. Shfaqjet e Teatrit të Shkupit, edhe pse simbolike në numër janë mbajtur në Teatrin e Fëmijëve në Çarshinë e Shkupit dhe në Teatrin e Komedisë në Qendër të Shkupit.

Ky teatër shpesh herë ka ditur të përdoret edhe nga partitë si “përfitim” pikësh politike, por që asnjëra prej tyre në programin e tyre zgjedhor nuk shpalosi një hap konkret për këtë dhe institucionet tjera të rëndësishme kulturore. Nga garnitura parparake, ku në krye të Ministrisë së Kulturës ishte Elizabeta Kançevska Milevska, të cilët e nisën projektin e rinovimit të Teatrit, faji i zvarritjes së punimeve në Teatrin Shqiptar të Shkup u hedh te pjesëtarët e teatrit. Për këto akuza politike dhe hedhjefaji nga ministrja e atëhershme Milevska, pati reaguar drejtori i Teatrit Shqiptar të Shkupit, Adem Karaga, duke bërë thirrje që problemi i këtij institucione të mos keqpërdoret politikisht.

Indicie për keqpërdorime gjatë rikonstruimit: Çfarë po ndodh me Teatrin Shqiptar të Shkupit? (FOTO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button