Vonesa e rindërtimit të Teatrit Shqiptar, flet Karaga

Pasi që para disa ditësh ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska Mileska, për shtyrjen dhe zvarritjen e punimeve për rindërtimin e Teatrit Shqiptar, e hodhi fajin te vetë institucioni përkatës, dje ka reaguar Lëvizja për Reforma në PDSH, duke kërkuar sqarim nga drejtori i Teatrit Shqiptar, Adem Karaga, i cili i njëjti për Portalb shpjegon arsyet për vonesën e rindërtimit të objektit, njofton Portalb.

Ky është reagimi i plotë i Karagës:

Më vjen keq që siç po bëhet më teatrale skena politike në prag të zgjedhjeve, ashtu edhe opinionit sot po tentohet t’i servohet një dramë e tërë nga një batutë e vetme e Ministres së kulturës.

Pas publikimeve të shumta në portalet e vendit, ndjej obligim t’i drejtohem opinionit.

Fillimisht dua të hedh poshtë konstatimin “Është gjithashtu simptomatike që Karaga nuk dha deklaratë rreth kësaj çështje.”. Në lajmin e Alsatit, Karaga nuk përmendet fare dhe një pronocim nuk më është kërkuar gjatë përgatitjes së atij lajmit. Përkundrazi, Teatri Shqiptar Shkup nuk ka refuzuar ndonjëherë të jap llogari para opinionit dhe pyetjeve të gazetarëve. Edhe tani shfrytëzoj rastin të inkurajoj gazetarët të vazhdojnë të parashtrojnë pyetje në adresa të duhura. Teatri Shqiptar si investitor i punimeve vazhdon të jetë i hapur për mediat dhe të gjitha pyetjet e tyre në interes ë opinionit publik. Sot do ta përsëris atë që e kam deklaruar në të kaluarën sa herë që kam qenë i pyetur.

Në vitin 2010 kur objekti i Teatrit Shqiptar Shkup (i ndërtuar në vitin 1974) ishte amortizuar tërësisht, po ky menaxhment i teatrit filloi procedurat për rikonstruim të tërësishëm të tij. Njerëzit e lëmisë e dinë ç’do të thotë një rikonstruim i tërësishëm i një objekti të ndërtuar 46 vite më herët dhe sjellja e tij në rrafsh me teatrot kontemporane të këtij shekulli. Rreth dy vite grupet punuese dhe ekspertë të shumtë punuan bashkë për të kompletuar dokumentacionin projektues. Mbi një vit vazhduan procedurat për përfshirjen e projektin në programin qeveritar, për marrjen e lejeve të nevojshme dhe procedurat për furnizime publike për ndërtuesin dhe mbikëqyrin. Për të përzgjedhur kompaninë që do të realizonte punimet dhe që do të jepte ofertë në kuadër të buxhetit të përpiluar nga projektuesit dhe miratuar nga Qeveria, Teatri Shqiptar Shkup realizoi tri procedura për furnizime publike. Në 8 janar të vitit 2014 solemnisht u shpall fillimi i punimeve në objektin e Teatrit Shqiptar Shkup. Në vetëm dy fjali tentova të ju kujtoj sa punë është bërë dhe sa ekspertë e institucione janë përfshirë në procesin e rikonstruimit, para se ju të shihni atë që sot me shumë lehtësi komentohet – projekti për rikonstruimin e tërësishëm të Teatrit Shqiptar Shkup.

Kontrata e nënshkruar për realizimin e punimeve ndërtimore në objektin e teatrit është në vlerë 419.999.999 denarë (pa TVSH) apo 495 599 998,82 (me TVSH), pra rreth 8 milion euro. Investitor është Teatri Shqiptar Shkup, ndërsa mjetet sigurohen nga Qeveria e RM-së, përmes Ministrisë së kulturës nga të cilët është marrë pëlqimi dhe mbështetja për realizimin e projektit.

Të gjitha pagesat drejtë kompanisë që ndërton dhe kompanisë që kryen mbikëqyrjen bëhen nga buxheti i miratuar vjetor i RM-së, në bazë të situatave kohore. Pasi mbikëqyrësi të ketë aprovuar situatën e realizuar, Teatri Shqiptar Shkup parashtron kërkesë në Ministri të kulturës për mjete në bazë të asaj situate. Ministria në llogarinë e Teatrit derdh mjete aq denarë sa që ka faturuar ndërtuesi, përkatësisht mbikëqyrësi. Pra, Teatri Shqiptar Shkup në arkën e vet nuk ka as 8 milion eurot, as buxhetin vjetor sado që të jetë paraparë në 3 vitet e kaluara, por në arkën e Teatrit Shqiptar hyjnë aq mjete sa punime janë realizuar dhe qëndrojnë në faturën e ndërtuesit. Për kompaninë ndërtuese dhe atë mbikëqyrëse në vitin 2014 janë kryer pagesa në vlerë rreth 17.000.000 denarë; në vitin 2015 rreth 52.000.000 denarë; në vitin 2016 fillimisht 20.000.000 denarë dhe me ribalns u shtuan edhe 20.000.000 denarë të tjera. Deri tani kompania ndërtuese ka faturuar gjithsej rreth 130.000.000 denarë, pagesa e të cilave është në procedurë e sipër.

Pse vonohen punimet?

Kur e kemi filluar këtë proces kemi qenë të vetëdijshëm që bëhet fjalë për një projekt jashtëzakonisht të madh, njëherit më i rëndësishmi për aktorët dhe publikun e teatrit tonë. Kemi qenë të vetëdijshëm sa mund, energji dhe kohë do të kërkoj ky proces. Po ashtu, kemi qenë të vetëdijshëm që do të ballafaqohemi me ngecje dhe probleme sepse bëhet fjalë për projekt kompleks dhe tejet ambicioz.

Një ndër shkaqet e ngecjeve të punimeve është mospasja e dokumentacionit projektues ekzistues (pra projektit të vitit 1974), që ka rezultuar me probleme dhe kërkesa për ekspertiza dhe elaborate të reja, që detyrimisht krijonin pauza dhe merrnin kohën e paraparë për ndërtim. Apo ta them edhe më thjeshtë: para se të rrënoheshin pjesë të caktuara të objektit – inxhinierët nuk kishin informacion të saktë për to. Demolimi i objektit nxori në pah gjendjen e tij reale dhe dhjetëra ekspert janë në proces të gjetjeve dhe realizimit të zgjidhjeve të reja.

Po ashtu, nga tetori i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti projekti stagnoi për shkaqe administrative. Kompania italiane Lamone Moreda që fitoi garën për ndërtim të objektit (në vitin 2013), gjatë vitit 2015 falimentoi dhe u shit. Të gjitha të drejtat mbi objektet të cilat i ndërtonte kompania në Maqedoni i fitoi kompania Shencia. Ngecjet e radhës ishin rezultat i procedurave të ndryshimit të ndërtuesit dhe harmonizimit të tij me nënkontraktuesit për vazhdimin e punimeve. Dua të theksoj se së bashkë me dy institucione tjera të vendit (përfshi dhe Ministrinë e drejtësisë) që kishin kontrata me kompaninë Lamone Moreda, për të racionalizuar projektet që ishin në ndërtim e sipër – vlerësuam që procedurat dhe koha e cila do të humbej në rrumbullakimin e bartjes së të drejtave nga njëra kompani në tjetrën është shumë më racionale dhe më e shkurtë se koha e nevojshme për vlerësimin e punimeve të deriatëhershme, koha në gjykatat ndërkombëtare, koha për procedura për përzgjedhje të një kompanie të re dhe fillimi i punës nga ana e saj.

Më vjen keq, që shpesh dëgjoj komente sipërfaqësore dhe laike lidhur me procesin e ndërtimit në teatër, një proces në të cilin janë kyçur me dhjetëra profesionist të lëmisë së ndërtimit dhe teknologjisë skenike. Duke qenë pjesë e takimeve të vazhdueshme me ta, dua të ju përcjell që: punimet në Teatrin Shqiptar Shkup kanë nis rrugën e tyre dhe nuk është larg dita kur publiku do të ulet në sallë. Të gjitha problemet që u paraqitën gjatë rrugës vetëm më bënë akoma më krenar që jam një nga përgjegjësit për rikonstruimin e tërësishëm të objektit të Teatrit Shqiptar.

Për vitin 2017 janë paraparë 100.000.000 denarë për këtë projekt. Shpresojmë që gjatë vitit kjo shumë do të rritet dhe buxheti do të ndjek fazat e realizimit të punimeve. Kuptohet që pritjet tona sa i përket buxheteve të kaluara kanë qenë më të mëdha, por në këtë fazë të procesit ritheksoj se më e rëndësishme nga të gjitha është që Teatrit Shqiptar Shkup iu mundësua një projekt i këtillë dhe ju dha garanca për finalizim të tij.

Për fund, “Rikonstruimi i tërësishëm i Teatrit Shqiptar Shkup” nuk do të fillonte nëse nuk do të kishim qenë të vetëdijshëm që kemi vullnet, energji, njohuri, kapacitet dhe mbështetje për ta realizuar.

Falënderojmë të gjitha ata që janë bashkë me ne në këtë proces!

PS Mos bëni teatër, ejani në Teatër!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button