fbpx

Ndryshimet kushtetuese në Maqedoni, peng i dëshirave politike të secilit

Maqedonia nuk po bën ndryshime kushtetuese për shkak të rivalitetit mes subjekteve politike, kështu deklaron për Portalb.mk, eksperti kushtetues Jusuf Zejneli, në lidhje me atë se ku është pengesa që edhe përskaj kërkesave për ndryshime, Kushtetuta e Maqedonisë vazhdon të jetë e njëjtë. Nga  ana tjetër, eksperti juridik, Xvonko Davidovski, thotë se nuk është e nevojshme që shpesh të ndërrohet Kushtetuta, pasi që shpesh kërkesat e tilla e janë me prapavija politike, shkruan Portalb.mk.

Jusuf Zejneli
Jusuf Zejneli

“Në shumicën e rasteve ndoshta ka subjekte politike që ruajnë raportet pozitë-opozitë, mendoj se shkaku i rivalitetit mes subjekteve politike ka ngecje në sistemin juridik dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe reformave në sistemin juridik. Në anën tjetër ka situata ku shumica parlamentare ndonjëherë mundohet që të krijojë klimë më të dobishme me qëllim që të mos t’i kushtojë në raport me mandatet parlamentare apo zgjedhësit përsëri në raport me opozitën. Kushtetutat janë akte më të larta juridike, por janë të ndryshueshme varësisht ndryshimit të rrethanave në një shtet. E dimë që procedura është e vështirë, për arsye se kërkohet shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i tërësishëm i deputetëve, megjithatë mund të marrim edhe faktin se propozimin për ndryshimin e saj mund ta iniciojë presidenti, së paku 30 deputetë ose 150.000 qytetarë”, thotë Zenelaj.

Sipas tij, shumica parlamentare nëse dëshiron t’u qaset ndryshimeve kushtetuese momentin e parë e ka të siguruar, pra mund të propozojë, ndërkaq në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtarë dhe me arritjen e një konsensusi të dobishëm për të gjithë partitë politike mundet që edhe të bëhen ndryshime kushtetuese.

Xvonko Davidovski
Xvonko Davidovski

Nga ana tjetër, juristi Davidovski thotë se nuk është mirë që shpesh të ndërrohet Kushtetuta pasi që shkakton pasiguri kushtetuese, ndërkaq gjithashtu thotë se kërkesat për ndryshime shpesh janë edhe me prapavija politike.

“Duke u krahasuar me vendet e tjera, veçmas vendet e vjetra demokratike shumë rrallë e ndërrojnë Kushtetutën, pra kanë kushtetuta që janë në fuqi nga 200 vjet. Kushtetuta nuk është materie që duhet të rregullojë gjithçka. Ajo jep një kornizë juridike se si do të duket rendi juridik, sistemi shoqëror – liritë dhe të drejtat e njerëzve. Por, nuk i rregullon deri në fund çështjet, në kontekst të detajeve, pra atë e bën ligji. Ndryshimet e shpeshta të Kushtetutës shkaktojnë pjesërisht edhe pasiguri juridike. Nëse shpesh e ndërroni Kushtetutën, ajo nuk është mirë. Është fakt se koha moderne, kërkesat e shumta, shteti multinacional dhe multikonfesional, kërkon ndryshim të Kushtetutës. Megjithatë të njëjtat duhet që të njëjtat të shqyrtohen nga ekspertët e Kushtetutës që të njëjtat të shikohen nëse janë të nevojshme. Kërkesat e tilla shqyrtohen, po diskutohet për të njëjtat në opinion, megjithatë është pikëpyetje e madhe nëse çdo kërkesë për Kushtetutë duhet të pranohet. Pra a është e nevojshme? Shpeshherë kërkesat e tilla janë me arsye politike që nuk është e pranueshme që të plotësohen interesat partiake të dikujt”, thotë Davidovski, për Portalb.mk.

Eksperti kushtetues Zejneli vlerëson se çdo ndryshim që është në të mirën e të gjithëve, është mirë që të jetë pjesë e sistemit kushtetues në mënyrë taksative dhe në atë mënyrë nuk hapen dhe interpretime të ndryshme, duke pasur parasysh se raportet mes institucioneve nuk janë të mira shkaku i interpretimeve të ndryshme, pra çdo çështje që miratohet me Kushtetutë është me betonuar dhe në të mirën e të gjithë komuniteteve.

Ndryshe, kërkesë për ndryshime kushtetuese së fundi pati nga një grup i intelektualëve shqiptarë, të cilët dje e riaktualizuan çështjen që shqiptarët në Maqedoni të trajtohen si qytetarë shtet-formues dhe jo si pakicë duke e pasur parasysh se siç thonë ata “ vjen në kundërshtim me realitetin multietnik të vendit dhe ndeshet me normat ndërkombëtare për shtetet multietnike”.

Kërkesë për ndryshim të Kushtetutës së fundmi pati edhe Greqia, e cila e konteston emrin kushtetues të Maqedonisë dhe e akuzon për irredentizëm dhe vjedhje të identitetit. Megjithatë, pala e Maqedonisë, gjegjësisht kryeministri, Zoran Zaev, ka  deklaruar se nuk është e nevojshme që të ketë ndryshime kushtetuese, por kontesti për emrin mundet të zgjidhet edhe me marrëveshje ndërkombëtare.

Presidenti grek kërkon që të ndërrohet Kushtetuta e Maqedonisë që të zgjidhet çështja e emrit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button