Çështja e emrit, ndryshime kushtetuese apo marrëveshje ndërkombëtare si garanci

Greqia edhe më tutje mbetet në qëndrimin për ndryshim të Kushtetutës në përpjekjet për zgjidhje të kontestit me emrin, përderisa pala e Maqedonisë kërkon respektim të praktikës ndërkombëtare.

Pala e Maqedonisë konsideron se çfarëdo lloj ndryshimi i Kushtetutës nuk nënkupton edhe garanci të përhershme për Greqinë.

“Çfarëdo lloj ndryshimi në sistemin juridik të Maqedonisë nuk do të thotë garanci e përhershme për Greqinë, sepse gjithçka që ndryshohet mund të kthehet mbrapa”, porositi dje kryeministri Zoran Zaev.

Kërkoi mbajtjen e praktikës ndërkombëtare – marrëveshje ndërkombëtare, ratifikim në Parlamentet, votim në KB, rezolutë në KB dhe konsideron se e tërë kjo është garancia më serioze për Greqinë.

“Duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin në mënyrë që ta ruajmë dinjitetin e dy popujve, të dy vendeve dhe të dy kombeve dhe gjithsesi ruajtjen e asaj që do të thotë ndjenjë, e ai është identiteti. Identiteti është ndjenjë dhe për të nuk mund të negocioni, të bëni pazar. Unë besoj se në atë frymë, duke u udhëhequr me kujdes drejt partnerëve me të cilët negociojmë do të gjejmë zgjidhje”, tha Zaev.

Rekomandoi të hapet edhe Kushtetuta e Greqisë dhe të shohim se si ata kujdesen për grekët jashtë Greqisë.

“Unë jam i gatshëm, si ata kujdesen për grekët jashtë Greqisë, ashtu edhe ne të kemi kujdes për maqedonasit jashtë Maqedonisë, njëjtë në mënyrë adekuate”, tha Zaev.

Qeveria greke mbetet në qëndrimin se nevojitet ndryshim i Kushtetutës.

E sigurt është se emri kushtetues duhet të ndryshojë në mënyrë që të vlejë kushti erga omnes”, tha zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Xanakopullos gjatë pjesëmarrjes në emisionin debatues në televizionin shtetëror grek ERT.

“Për emër të përbërë erga omnes, për përdorim të përgjithshëm, në çdo rast parakushti është revizioni kushtetues, së paku lidhur me çështjen me emrin kushtetues. Sipas kësaj, çështja për ndryshim të Kushtetutës gjithsesi se hyn, së paku në këtë shkallë. Gjërat e tjera do të bisedohen edhe në nivel teknik për atë se sa mund të ekzistojnë interpretimet e Kushtetutës së vendit fqinj të cilat do të mund të karakterizohen si irredentiste, por kjo është çështje e lidhur me interpretimin. Është e sigurt se emri kushtetues duhet të ndryshohet në mënyrë që të mund të vlejë kushti erga omnes”, tha Xanakopullos.

Sqaroi se nevojiten ndryshime në Kushtetutën e Maqedonisë, sepse në të ardhmen “Gjykata Kushtetuese e vendit fqinj mund të vendosë se Zaev nuk ka pasur kompetenca për ta nënshkruar marrëveshjen konkrete”, kështu që për Athinën “e vetmja mënyrë për t’u zgjidhur çështja, së paku lidhur me emrin, është të ketë ndryshim përmes Kushtetutës”.

Sipas ish-shefes së diplomacisë greke, Dora Bakojani, ndërkaq, perspektivat për zgjidhje serioze të çështjes për emrin po pakësohen gjithnjë e më shumë.

Ajo në intervistën për radion “Real fm” thotë se Qeveria greke ka pasur mundësi të vërtetë që ta zgjidhë problemin, por me mënyrën në të cilën ka menaxhuar me çështjen, tani kjo çon drejt qorrsokakut.

“Dëshiroj të jem e qartë se mundësia do të mund të shfrytëzohej dhe do të kishim rezultat pozitiv, nëse do të kishim qeveri serioze. Në këtë moment kemi shumicë qeveritare në tre pjesë”, tha Bakojani.

Kontesti 25 vjeçar

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Greqi-Maqedoni

Greqi – Maqedoni

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”, transmeton Portalb.mk.

Greqia kërkon që Maqedonia ta ndryshojë emrin, me një emër pa përkthim, por edhe ta ndryshojë Kushtetutën, ndërkaq nga ana tjetër, Maqedonia kërkon që emrit aktual t’i shtojë mbiemër të përkthyeshëm, dhe të mos e ndërrojë Kushtetutën. Prej 5 propozimeve që u përfolën në opinionin, tre prej propozimeve më serioze për emrin e Maqedonisë janë: Maqedonia e Epërme, Maqedonia Veriore dhe Maqedonia e Vardarit.

Bisedimet vazhdojnë, në nivel ministrash, me ndërmjetësim të të dërguarit special të OKB-së, Methju Nimic.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button