Çështja e emrit, a ka nevojë reale për ndryshimin e kushtetutës të Maqedonisë?

Kohëve të fundit është aktualizuar tema për ndryshimin e kushtetutës të cilin e kërkon pala greke për të zgjidhur çështjen e emrit me Maqedoninë. Njohësit e çështjeve juridike dhe punëve të jashtme vlerësojnë për Portalb.mk se nuk është e nevojshme që të bëhet ndryshimi i kushtetutës, dhe se një procedurë e tillë do të kërkonte kohë.

Gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu tha për Portalb.mk se është shumë pranë për tu arritur zgjidhja e problemit të emrit dhe se për tu arritur kjo nuk nevojitet ndryshimi i kushtetutës.

“Është evidente që tash për tash në këtë procedurë dhe në këtë faza në të cilën ka arritur te them ‘marrëveshja’ për pranimin e emrit nuk ka nevojë të ndryshohet kushtetuta, tjetër është ajo që pala greke e kushtëzon pranimin e emrit me ndryshimin e kushtetutës duke u thirrur se me ndryshimin e saj edhe një herë Maqedonia të  deklarohet, të përcaktohet dhe të prononcohet se nuk ka pretendime territoriale, nuk përzihet në punët e brendshme të Greqisë e kështu me radhë. Një kërkesë e tillë e Greqisë ka qenë e parashtruar prej në kohën kur Maqedonia e solli kushtetutën e parë e cila është akoma në fuqi juridike në 1991 dhe qysh atëherë Greqia bëri shtypje nëpërmjet bashkësisë evropianë që Maqedonia ta ndryshon kushtetutën me qenë se ato mendonin se  kushtetuta aktuale jep shkas dhe dyshohet që Maqedonia do të ketë pretendime territoriale”, tha për Portalb, Kadriu.

Emri i Maqedonisë, Cipras: duhet të ndryshohet Kushtetuta

Ai shtoi se Maqedonia në 1992 ndryshoi dy amendamente të kushtetutës me të cilat u theksua se nuk ka pretendime territoriale ndaj Greqisë dhe se nuk përzihet në punët e brendshme të shtetit.

“Maqedonia pranoi kërkesën e BE-së, me ndërmjetësimin e Greqisë posa u miratua kushtetuta, nuk kaluan tre apo katër muaj, në shkurt të vitit 1992 me propozim të kryetarit të republikës së atëhershme Kiro Gligorov, pasi që kryetari ka të drejtë të inicion procedurë për ndryshimin e kushtetutës, u bënë ndryshime e para të kushtetutës me dy amendamente. Amendamenti i parë dhe i dyti dhe prej atëherë u theksua shumë qartë se Maqedonia nuk ka pretendime territoriale ndaj Greqisë dhe nuk përzihet në punët e brendshme të Greqisë. Me këto dy amendamente u arrit qëllimi që kishte pala Greke, kurse tani shtrohet pyetja çfarë ndryshimesh kushtetuese kërkohen, nëse janë ndryshime plotësuese  mendoj se ajo është një kërkesë e pa vleftë dhe e pa kuptimtë e pa logjikshme pasi ne për atë çështje si shtet jemi prononcuar”, shtoi Kadriu.

Ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin tha për Portalb.mk se është e kuptueshme kërkesa e palës greke, por me ndryshimin e kushtetutës nuk garantohet emri i shtetit, siç pretendojnë grekët.

“Kohën e fundit shumë u aktualizua kërkesa e palës greke që zgjidhja e çështjes së emrit duhet të kalon nëpërmjet  ndryshimit  të kushtetutës. Së pari meqenëse bisedohet për këtë punë është e qartë se dy palët janë pranë zgjidhjes së këtij problemi pasi që tani më nuk bisedohet për emrin por për garancionin, që kush e garanton emrin dhe sipas praktikave greke, këtë e garanton vetëm kushtetuta e vendit si akti më i lartë shtetëror. Është e kuptueshme kërkesa e palës greke, mirëpo nga pala maqedonase ngase grekët ndoshta këtë edhe nuk e kuptojnë , kushtetuta nuk është garancia më e madhe për disa arsye. Që të ndryshohet kushtetuta nevojitet dy e treta e shumicës parlamentare, kjo do të thotë që duhet të jenë 91 deputet që të votojnë për ndryshimin dhe e dimë që VMRO është kundër këtij opsioni, që do të thotë se do të duhej të organizohen zgjedhje të reja parlamentare që do të garantonin që LSDM do të fitonte shumicën absolute dhe së bashku me partitë shqiptare ta votojnë këtë ndryshim. Problemi i dytë është se edhe po të ketë ndryshime, askush nuk garanton se nesër apo pas 10 viteve kur të vjen në pushtet ndonjë parti tjetër sërish të merr iniciativë që të ndryshohet emri, gjë që është e mundur, dhe e treta, që të arrihet  ndryshimi i kushtetutës do të duhej më shumë kohë, së paku një vit”, tha për Portalb, Ruzhin.

Presidenti grek kërkon që të ndërrohet Kushtetuta e Maqedonisë që të zgjidhet çështja e emrit

Ai tha se duhet të propozohet marrëveshje bilaterale dhe të ketë aktor ndërkombëtar garantues që ajo do të respektohet nga Maqedonia.

“Ajo që pala maqedonase duhet të propozojë nëse nuk e ka bë deri më tani, është të zgjidhet kjo çështje me një marrëveshje bilaterale mes dy shteteve. Si do që të jetë, ajo që kërkon Greqia është më shumë për përdorim publik, në çështjet e brendshme të saja, që të thotë se ja ne arritëm që të ndryshojmë aktin më të lartë ligjor të shtetit për shkak të emrit. Shumë më lehtë dhe më shpejtë do të zgjidheshin problemet me marrëveshje bilaterale dhe pas një kohe, kur të krijohen kushte të caktuara, të ndodh edhe vendosja marrëveshjes në kushtetutë, dhe kjo do të arrihej pas anëtarësimin në BE, ose të përcaktohet ndonjë aktor ndërkombëtar që do të garanton që marrëveshja do të respektohet nga Maqedonia. Mendoj se secila fjale për prekje të kushtetutës është e ndjeshme dhe do të kishte reagime të ndryshme nga parti të ndryshme në vend, dhe kjo do të ndikonte në hapjen e kutisë së Pandorës, e cila do të na sillte shumë probleme”, shtoi Ruzhin.

Zëdhënsi grek Xanakopullos: Maqedonia të ketë emër për përdorim të përgjithshëm

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button