Rifillojnë bisedimet për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, optimizëm nga të dyja palët

Ndërmjetësi i OKB-së në bisedimet për çështjen e emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, Methju Nimetz, të hënën dhe të martën në Bruksel pritet të takohet me përfaqësuesit në bisedime të të dy vendeve, Vasko Naumovski dhe Ademantios Vasilakis.

Takimi, siç është paralajmëruar nga Zyra e Nimicit, është pjesë e përpjekjeve për të ndihmuar të dy palët të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për çështjen e emrit.

Një raund i ri bisedimesh vjen në një periudhë të përmirësimit të klimës politike ndërmjet Shkupit dhe Athinës, raporton MIA.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se ka më shumë mundësi se kurrë më parë për të gjetur një zgjidhje me Greqinë. Zaev tha së fundi se duhet gjetur një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të dy palët.

Ndërsa, kryeministri grek Alexis Cipras, ka deklaruar këto ditë se viti 2018 do të jetë i bereqetshëm për zgjidhjen e çështjes së emrit, nëse pala maqedonase vendos të bëjë një hap pozitiv përpara.

Se sa janë gjasat reale që ky problem që ekziston gati tre dekada të zgjidhet për gjashtë muaj, njohësit e politikës së jashtme, thonë se nëse ka vullnet gjithçka mund të arrihet.

Ish diplomati Alajdin Demri thotë për Portalb.mk se si Maqedoni ashtu edhe Greqia kanë kuptuar rëndësinë e zgjidhjes së këtij problemi.

“Kontaktet e drejtpërdrejta të politikanëve maqedonas dhe grek, gjithsesi tregon se ka dicka të re në këtë çasje. Definitivisht është kuptuar rëndësia dhe problemi në Maqedoni po si duket është kuptuar edhe problemi që krijon Greqia dhe qëllimet janë të afruara. Sipas informatave ka një kohë të gjatë që MPJ, diplomacia e Maqedonisë punon lidhur me këtë, gjithashtu Greqia është duke treguar gatishmëri lidhur me këtë. Tani si do të zgjidhet, edhe ajo është në dukje sepse duhet të ketë një prefiks ose shtojce që të bëhet dallimi mes krahinës së Maqedonisë që është në Greqi dhe Maqedonisë si shtet”, tha për Portalb.mk, Demiri.

Ai shtoi se është shumë vështirë që këto procese të kenë afat, sepse edhe problemi nuk është afatizuar.

“Ky është një problem që zvarritët që 25 vjet. Shumë është i rëndësishëm momenti kur kuptohet se duhet të zgjidhet, tani të dy palët e kanë kuptuar se çështja e emrit duhet të zgjidhet. Tani a duhet 6 apo 8 muaj apo edhe një vit, është shumë vështirë që këto procese të kenë afat, sepse edhe problemi nuk është afatizuar. Por gjithsesi duket se është afër për nga disponimi”, shtoi Demiri.

Ish Ambasadori Nano Ruzhin, për Portalb.mk thotë se Maqedonia i ka gjasat e mëdha që të bëhet anëtare e NATO-s, ku nëse ka vullnet, dëshirë diplomatike dhe qëllime të sinqerta mund të ndodh edhe zgjidhja e çështjes së emrit.

“Parashikimet janë që kjo çështje të zgjidhet për gjashtë muaj e parë të vitit të ardhshëm sepse së pari nga burime të shumta kemi informacione se Maqedonia i ka gjasat e mëdha që të bëhet anëtare e NATO-s, ku nëse ka vullnet, dëshirë diplomatike dhe qëllime të sinqerta mund të ndodh edhe kjo. Edhe ardhja e Hojt Ji si ambasador në Maqedoni do të ketë ndikimin e vet në këtë aspekt. Ky proces duhet të zgjidhet, tani se a do të shkohet në referendum, apo do ketë kampanjë për një kohë të caktuar, nuk e dimë. Shumë parametra ka për tu zgjidhur ky problem, por mund edhe të gjendet zgjidhja dhe të mos ketë referendum, dhe kështu nuk varët e gjitha zgjidhja nga pala maqedonase, varet edhe nga pala greke. Sidoqoftë nuk ka rëndësi a do të zgjidhet për 3-5-6 muaj, me rëndësi është të zgjidhet gjatë vitit të ardhshëm. Nëse një gjë e tillë ndodh mund të pritet edhe të hapen bisedimet për anëtarësim në BE. Unë jam optimist dhe besoj se ka politikan që do të insistojnë që kjo çështje të zgjidhet sa më parë”, tha Ruzhin”, tha për Portalb, Ruzhin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button