Analizë: Sa realisht do ta bllokojë VMRO-DPMNE-ja punën në Kuvend?

Me formimin e dhjetë grupeve parlamentare, opozita ka të drejtë të kërkojë dhjetë orë pauzë gjatë ditës, mund të kërkojnë ndërprerje të seancës që t’iu dorëzohen shënime stenografike, secili nga dhjetë koordinatorët ka të drejtë të drejtohet 15 min dhe shumë mekanizma të tjerë me të cilat do të zvarritet puna e Kuvendit, shkruan Portalb.mk.

Analizën mund ta lexoni edhe në gjuhën maqedonase: KËTU.

Deputetët e VMRO-DPMNE gjetën mënyrë të re si të bllokojnë shkarkimin Prokurorit Publik Republikan Marko Zvërlevski dhe punën e Kuvendit. Me formimin e dhjetë grupeve parlamentare, opozita ka të drejtë të kërkojë dhjetë orë pauzë gjatë ditës, mund të kërkojnë ndërprerje të seancës që t’iu dorëzohen shënime stenografike, secili nga dhjetë koordinatorët ka të drejtë të drejtohet 15 min, të kërkojnë ndërprerje të seancës plenare për të mbajtur seancë të komisionit, ndërsa kur të votohet buxheti të gjithë mund të flasin gjithsej pesë orë. Formimi i grupeve parlamentare është i paraparë në Rregulloren e Kuvendit por deputetët thonë se kjo është e kontestueshme në aspektin ligjor. Nga LSDM-ja sqarojnë se në vitin 2002 kur deputetët e tyre kishin formuar tre grupe të deputetëve situata ka qenë ndryshe. Atëherë deputetët të cilët kanë qenë nga parti tjera, ndërsa kanë garuar në koalicion parazgjedhor me LSDM, pas zgjedhjeve ishin ndarë në grupe të deputetëve, që të mos shkrihen në grupin e LSDM-së.

Abuzimi me funksionin e deputetit

Stojan Andov i cili ka qenë me vite kryetar i Kuvendit dhe profesori i të Drejtës Kushtetuese Osman Kadriu thonë se kjo situatë me formimin e dhjetë grupeve të deputetëve është diçka që nuk është parë deri tani. Ata mendojnë se kjo bëhet për të abuzuar me të drejtat të cilat koordinatorët e grupeve i kanë në dispozicion.

„Mendoj se askush nuk ka këso lloj përvoje. Dihet, në zgjedhje shkohet me ofertë dhe me koalicion, ndërsa ajo që është ofruara gjatë zgjedhjeve grupohet në grup të deputetëve. Nga deputetët pritet lojalitet ndaj qytetarëve. Në Rregullore dhe në Kushtetutë nuk ka mënyra se si të parandalohet situata e këtillë. Kuptohet që askujt nuk i ka shkuar ndër mend se një gjë e tillë do të mund të ndodhte. Kjo mund të ketë dy domethënie, ose VMRO-DPMNE nuk e dëgjon më Nikola Gruevskin ose kanë gënjyer kur thoshin se do të jenë opozitë konstruktive. Mua po më ngjan se VMRO-DPMNE po organizohen si opozitë destruktive”, thotë Andov.

Sipas tij, dhjetë grupet e deputetëve të VMRO-DPMNE, duhet doemos të kenë emra të ndryshëm, nuk mund të gjitha të jenë VMRO-DOMNE. Gjithashtu duhet doemos të tregojnë me cilat politika do të punojnë. Ish kryetari shumëvjeçar i Kuvendit thotë se të gjithë të cilët nuk janë të lidhur me platforma të ndonjë partie janë deputetë të pavarur. Ata deputetë mund të krijojnë grup të deputetëve të pavarur, por doemos duhet të largohen nga partia.

Profesori Kadriu thotë se kjo që po ndodh tani në Kuvend është qesharake dhe se s’ka fare lidhje me demokracinë dhe të drejtat parlamentare në të cilat thirren deputetët e VMRO-DPMNE.

“Kjo s’ka ndodhur plotë 25 vite në Maqedoninë demokratike. Formimi i grupeve parlamentare për mua por edhe për gjyqësinë në Maqedoni, gjë që po bëhet me qëllim të bllokimit të punës së Kuvendit”, thotë Kadriu

Kryeparlamentari Xhaferi paralajmëron sanksione për të gjithë që do të përpiqen të keqpërdorin funksionin e deputetit dhe ta mashtrojnë Rregulloren.

A ka mënyrë për ta zhbllokuar punën e Kuvendit?

Sipas Osman Kadriut, kryetari i Organit ligjvënës, Talat Xhaferi, e ka rolin më të madh në këtë situatë.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në një deklaratë për mediet tha se neni 33 i Rregullores lejon që pesë deputetë të formojnë grup të deputetëve dhe se ai nuk dëshiron që në fillim të mendojë se VMRO-DPMNE kanë formuar dhjetë grupe deputetësh vetëm për të bllokuar Kuvendin. Sipas tij ndryshimi i Rregullores është hapi i fundit që duhet të ndërmerret dhe nëse nevojitet një gjë e tillë, nevojitet konsensus politik.

Mirëpo duke parasysh se Talat Xhaferi nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në debatin në Kuvend, Kadriu vlerëson se duhet që sa më shpejtë të bëhet ndërhyrje në rregulloren e Kuvendit që këto dukuri të sanksionohen dhe të pamundësohen dhe se : Të mos lejohen formimi i ma shumë grupeve parlamentare ne kuadër të një subjekti politik i cili participon me numër të caktuar të mandatave në Kuvend; Të kufizohet çështja e diskutimeve dhe replikave dhe kundër-replikave me qëllim që çështjet që trajtohen dhe për të cilat duhet të sillet vendim të zhvillohen dhe të përfundojnë në afat të arsyeshëm dhe të mundësohen lista shkarkuese ku në mënyrë kolektive do të mundësohet të shkarkohen funskionerë shtetëror për të cilën Kadriu vlerëson se “tash është çështja e Zvërlevskit, nesër mund të jenë edhe funksionerë të tjerë shtetëror, ndërkaq vendi duhet të funksionojë dhe të ketë udhëheqësi të ri të institucioneve shtetëror”.

Ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, Kadriu e vlerëson si vullnet politik dhe përgjegjësi.

“Nëse në Maqedoni kemi vullnet politik dhe përgjegjësi mund të ndërrohet Kushtetuta e jo vetëm Rregullorja. Në vitin 2014 u bë ndryshimi i rregullores duke e larguar me dhunë opozitën e atëhershme, për çka kishte reagim nga komuniteti ndërkombëtar. Tani kjo mund të bëhet pa prani të VMRO-DPMNE”, deklaroi Kadriu.

Ai vlerëson se deputetët duhet, më shumë se kurdoherë të shfaqin përgjegjësi shoqërore dhe politike dhe nëse ka nevojë të shkojnë në pushim të shkurtër vjetor dhe të punojnë jashtë orarit të rregullt me qëllim që sa më shpejtë të realizohen shkarkimet dhe emërimet, me qëllim që shteti të funksionojë ashtu siç duhet.

Ejup Alimi, koordinator i BDI-së thotë se shumica parlamentare ka koordinime për të gjetur mënyra si të përshpejtohet debati dhe si të kryhet shkarkimi i Zvërlevskit.

„Hap konkret është të vazhdohet seanca dhe të përfundojë pika e cila ka filluar. Besojmë se shkarkimi i Zvërlevskit do të ndodhë shumë shpejtë. Ne s’kemi plan sepse procesi duhet të jetë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit” thotë Alimi.

Për Fadil Zendelin, koordinator i BESA shumica qeveritare është fajtore për bllokadën, sepse pikën e shkarkimit të Zvërlevskit nuk e ka vënë si pikë të parë të rendit të ditës.

“Çështja e procedurës së shkarkimit të Marko Zvërlevskit nga funksioni i prokurorit publik është çështje që duhet të përcaktohet nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, gjegjësisht ai duhet të vendosë atë pikë në rend të ditës. Kur e ka planifikuar rrjedhën e seancës ka pasur mundësi që, shkarkimin e Zvërlevskit në vend që të vendosë si pikë të pestë, ta kishte vendosë si pikë  të parë të rendit të ditës, me çka nuk do të kishte mundësi të debatohej me ditë të tëra. Në një farë mënyre, Xhaferi u dha mundësi deputetëve të VMRO-DPMNE-së që ta bllokojnë Kuvendin edhe më tej. Tërë problemi është te kryetari i Kuvendit dhe te shumica parlamentare, të cilët me qasjen ndaj Kuvendit i japin mundësi VMRO-DPMNE-së të realizojë bllokada”, tha Zendeli.

Përndryshe, Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në një deklaratë për mediet tha se neni 33 i Rregullores lejon që pesë deputetë të formojnë grup të deputetëve dhe se ai nuk dëshiron që në fillim të mendojë se VMRO-DPMNE kanë formuar dhjetë grupe deputetësh vetëm për të bllokuar Kuvendin. Sipas tij ndryshimi i Rregullores është hapi i fundit që duhet të ndërmerret dhe nëse nevojitet një gjë e tillë, nevojitet konsensus politik. Xhaferi paralajmëron sanksione për të gjithë që do të përpiqen të keqpërdorin funksionin e deputetit dhe ta mashtrojnë Rregulloren.

Tërë kjo bllokadë e VMRO-DPMNE-së, duke formuar dhjetë grupe parlamentare vjen atëherë kur në rend dite të seancës kuvendore u fut shkarkimi i Marko Zvërlevskit nga funksioni i prokurorit publik.

Shkarkimi i Zvërlevskit vjen me propozim të Qeverisë me arsyetimin se ka vepruar politikisht dhe në mënyrë të papërgjegjshme gjatë kryerjes së detyrës së tij.

Kjo analizë u realizua në bashkëpunim me gazetaren e NOVA TV-së, Aleksandra D. Gocevska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button