Han pas takimeve: Për reforma është i nevojshëm bashkëpunimi konstruktiv dhe konsensusi nacional

Komisioneri për Zgjerimi dhe Fqinjësi, Johanes Han ka vlerësuar se për realizim të reformave në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë duhet bashkëpunim konstruktiv dhe konsensus nacional, njofton Portalb.mk.

“Duhet bashkëpunim kostruktiv dhe konsensus nacional në reforma në interes të qytetarëve të Maqedonisë”, tha Han.

Ky vlerësim i Hanit vjen pas takimeve paraprake që i realizoi me përfaqësuesit e partisë së VMRO-DPMNE-së, Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Lëvizjes BESA dhe Lëvizjes për Reforma PDSH (LR-PDSH).

Këto takime të eurokomesarit Johanes Han, liderët partiak njëzëri i vlerësuan si të mira duke shprehur se temë bisede kanë qenë proceset eurointegruese.

Takim Han-Gruevski
Takim Han-Gruevski

Nga VMRO-DPMNE-ja u shprehën se lideri i saj Nikolla Gruevski në takim me Han ka theksuar se aktivitetet që kanë të bëjnë me proceset integruese duhet të plotësohen dhe se VMRO-DPMNE do t’i mbështes të gjitha reformat, për të cilat do të vlerësoj se janë në interes të qytetarëve.

“Qëllimi kryesor i Qeverisë së LSDM-së nuk duhet të jetë vetëm marrja e raportit pozitiv, çfarë Maqedonia ka pasur para krizës politike, por rekomandim pozitiv për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Gruevski, qëndron në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

 

Han-Thaçi
Han-Thaçi

Ndërkaq nga PDSH-ja vlerësuan se në takimin e liderit Menduh Thaçi dhe Johanes Han u bisedua në lidhje me reformat të cilat Maqedonia duhet ti përmbush e që kanë të bëjnë me procesin e integrimeve.

“Thaçi e siguroi Komisionerin Han se PDSH do të jep përkrahjen e saj të plotë reformave dhe proceseve integruese të vendit”, thuhet në kumtesën e PDSH-së.

Han- Ahmeti
Han- Ahmeti

Për takimin kanë komentuar edhe nga BDI ku lideri i saj Ali Ahmeti bëri të ditur premtimin që ai ia dha Johanes Hanit, se do të qëndrojnë fuqishëm pas marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet partive politike me çka ka shprehur edhe përkushtimin për realizim të reformave të nevojshme.

“Kemi folur për të gjitha problemet të cilat kanë të bëjnë me proceset, reformat në gjyqësor, bashkëpunimin me opozitën si dhe për të gjitha çështjet të cilat dalin nga Marrëveshja e Përzhinos, e cila u arrit me ndihmën e faktorit ndërkombëtar dhe partive politike në Maqedoni. E binda Hanin se BDI do të qëndrojë fuqishëm pas të gjitha marrëveshjeve të cilat i arritëm dhe i nënshkruajtëm, se do të punojë për të gjitha marrëveshjet të cilat i arritëm me koalicionin dhe se do të ndërmarrim të gjitha hapat për të qenë më afër realizimit të të gjitha çështjeve të cilat na afrojnë drejt Bashkimit Evropian”, tha Ahmeti.

Han-Kasami
Han-Kasami

Ndërsa lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami e ka vlerësuar takimin me eurokomesarin Johanes Han si të mirë duke shtuar se shpresojnë se kjo Qeveri do të jetë vërtetë reformuese edhe pse hapat e deritashme nuk po dëshmojnë të njëjtën.

“I kemi dhënë vërejtjet e tona se dëshirojmë që kjo Qeveri të jetë reformuese dhe se Lëvizja BESA do të mbështesë edhe më tej të gjitha proceset që Maqedonia të kthehet në rrugën e saj eurointegruese”, tha Kasami.

I fundit në takim ka qenë edhe lideri i LR-PDSH-së Ziadin Sela, ku siç kuptohet nga Johanes Han, me të janë përmbyllur edhe takimet politike të tij.

“Me Ziadin Selën, nga Aleanca për Shqiptarët kompletova edhe takimet me të gjitha partitë politike”, shkruan në twitter, Han.

 

Johanes Han – Zoran Zaev paralajmëruan agjendë për zbatimin e reformave prioritare

Paraprakish, eurokomesari Johanes Han ka realizuar takim edhe me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev.

Pas takimit me përfaqësuesit qeveritar dhe pjesmarrjes së Hanit në mbledhjen tematike të Qeverisë së Maqedonisë ku u prezantua edhe plani aksionar i Qeverisë së Maqedonisë, Johanes Han dhe Zoran Zaev paralajmëruan agjendë për zbatimin e reformave prioritare. 

“Është e rëndësisë së veçantë që të punohet në agjendën reformuese e cila që nesër do të ndihmohet nga ekspertët nga BE”, tha Han.

Han tha se zbatimi i reformave prioritare nuk ka për qëllim që t’i kënaq shtetet anëtare të BE-së, por ta përmirësojë jetën e qytetarëve të Maqedonisë.

Ndërkaq Zaev tha se Qeveria e Maqedonisë ka precizuar një dokument për zbatimin e reformave prioritare.

“Qeveria e Maqedonisë bashkë me eurokomesarin Hanin, ka precizuar dokument punues për reformat prioritare. Ky dokument i quajtur “udhërrëfyes”, del nga Marrëveshja e Përzhinës dhe rekomandimet e Pribesë. Prania e Hanit paraqet sinjal të fuqishëm në vend, për integrimin tonë në BE”, tha Zaev, duke shtuar se qëllimi i këtij dokumenti është që Maqedonia të merr datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button