Ministresha për shoqëri informatike dhe administratë “respekton ligjet”, por jo gjuhën shqipe
Në ueb-faqen e Ministrisë për shoqëri informatike dhe administratë ka dy versione, edhe atë: në gjuhë maqedonase dhe në gjuhë angleze. Për Portalb.mk ministresha tha se ueb-faqja funksionon në përputhje me ligjet në fuqi. Ndërkohë akti më i lartë juridik në vend, kushtetuta, me të cilën duhet të përputhen të gjitha ligjet përcakton qartë se përveç gjuhës maqedonase gjuhë zyrtare është edhe gjuha amë e së paku 20% të popullatës, respektivisht gjuha shqipe.
Pas 20 ditësh pritjeje për informatën e karakterit publik “Pse nuk ka version në gjuhën shqipe në ueb-faqen e Ministrisë për shoqëri informatike dhe administratë?” dhe “A mund të pritet version në gjuhën shqipe në ueb-faqen e Ministrisë për shoqëri informatike dhe administratë?” ministresha Marta Arsovska Tomovska dha vetëm këtë përgjigje për Portalb “Ueb-faqja e Ministrisë për shoqëri informatike dhe administratë udhëhiqet në përputhje me rregullat ligjore pozitive në Republikën e Maqedonisë.” njofton Portalb.mk
Neni 1 i Amandamentit V të Kushtetutës së RM-së përcakton qartë: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen… Çdo qytetar në komunikim me ministritë, mund ta përdorë njërën nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari…”
Sipas një hulumtimi të kryer nga Fondacioni Metamorfozis, institucionet shtetërore më shpesh i shfrytëzojnë uebfaqet e tyre dhe mediat sociale me qëllim që qytetarëve t’u sigurojnë informata relevante dhe mundësi për të marrë pjesë në vendimmarrje, shkruan Portalb.mk
Ndryshe, Ministria për shoqëri informatike dhe administratë kryen detyra që lidhen me: zhvillimin dhe promovimin e shoqërisë informative; krijimin dhe udhëheqjen e regjistrit të sistemeve të informacionit e të komunikimit si dhe pajisjeve informatike në kuadër të administratës shtetërore; infrastrukturën telekomunikative dhe atë radiodifuzive; reformën në administratën publike; kontrollin dhe sigurimin e zbatimit të njëtrajtshëm të rregulloreve që kanë të bëjnë me nëpunësit civil dhe publik; zhvillimin e politikës, që lidhet me të drejtat, detyrat, përgjegjësitë dhe vlerësimin e nëpunësve civilë dhe publik; klasifikimin dhe regjistrin e vendeve të punës, pagave dhe kompensimeve të nëpunësve civil dhe publik; zhvillimin dhe koordinimin e politikave që lidhen me menaxhimin e burimeve njerëzore; reforma në administratën publike etj./Portalb.mk
LEXO: Presidenti i Maqedonisë nuk përfill gjuhën shqipe!
LEXO: Përgjegjës të hutuar, asnjë sqarim për mungesën e versionit shqip në ueb-faqen e Qeverisë
LEXO: Ueb-faqja e MPB-së vetëm maqedonisht, nuk pranojnë asnjë gjuhë tjetër (FOTO)