Përgjegjës të hutuar, asnjë sqarim për mungesën e versionit shqip në ueb-faqen e Qeverisë

Ueb-faqja e Qeverisë së RM-së vazhdimisht përditësohet. Por në të mund të gjeni vetëm version në gjuhën maqedonase dhe në atë angleze. Zëdhënësit e Qeverisë nuk dhanë asnjë sqarim për mungesën e versionit në gjuhën shqipe.

Në pyetjen e gazetares së Portalbit “Pse nuk ka version në gjuhën shqipe në ueb-faqen e Qeverisë?”, Muhamed Hoxha u shpreh: “Pse nuk ka versionin shqip?!… A bën të konsultohem dhe dëgjohemi?… Të thëras për shkurt te ky numër.” Por Hoxha jo vetëm që nuk e telefonoi gazetaren, ai më nuk e hapi telefonin.

Ndërkohë, pas shumë thirrjeve të papërgjigjura, Aleksandar Gjorgjiev me sms-porosi kërkoi nga gazetarja t’i shkruaj. Megjithatë nuk iu përgjigj pyetjes me shkrim e as nuk iu përgjigj thirrjeve në vijim.

Ky i fundit, në korrik të vitit 2013, i pyetur nga Alsat-M për çështjen në fjalë, kishte deklaruar: “Në kuadër të vetë komunikimit të qeverisë me opinionin janë paraparë disa modalitete, prej të cilave pjesa më e madhe janë në zhvillim, ashtu që besoj se do të shqyrtohet edhe kjo çështje të cilën e përmendët përmes pyetjes suaj. Jo vetëm në ueb faqet, por janë paraparw mundësitë për rritjen e komunikimit dhe përmirësimin e transparencës së qeverisë edhe në nivele të tjera, ashtu që në një periudhë të shpejtë presim të kompletohet plani i përgjithshëm për aktivitetet komunikatave.

Sa për krahasim, ueb-faqja e qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht ajo e Zyrës së Kryeministrit është në tre gjuhë: shqip, anglisht dhe serbisht. Ueb-faqja e qeverisë së Serbisë është në: serbisht, anglisht dhe italisht.

Ndryshe, sipas Preambulës së Kushtetutës së RM-së, Maqedonia është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas në të cilin sigurohet barazia e plotë dhe bashkëjetesa e përhershme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllahët, romët dhe kombësitë tjera që jetojnë në RM.

Neni 1 i Amandamentit V të Kushtetutës së RM-së përcakton qartë: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen Çdo qytetar në komunikim me ministritë, mund ta përdorë njërën nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari…”

Në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë të realizuar në vitin 2002, numri i shqiptarëve në Maqedoni ishte25.17%./Portalb.mk

LEXO: Ueb-faqja e MPB-së vetëm maqedonisht, nuk pranojnë asnjë gjuhë tjetër (FOTO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button