Hipokrizia e prokurorisë publike, kur politika ua përzien hesapet

“Ne nuk jemi institucion politik dhe neve marrëveshjet politike nuk na interesojnë, në veprojmë sipas ligjit, nëse dikush sjell vendim politik që të formojë Prokurori politike, unë krenohem që ne nuk jemi Prokurori politike, ndërkaq Prokuroria politike le të veprojë sipas ligjit. Sipas ligjit për Prokurori Publike, Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë ka kompetenca që të  ndërmerr iniciativë gjithmonë kur me ndonjë akt cenohet Kushtetuta”, ka thënë prokurori shtetëror Marko Zvërlevski.

I njëjti prokuror përmendet te materialet e përgjuara apo “bombat” e Zaevit, ku në videon më poshtë dëgjohen intervenimet partiake që janë bërë pikërisht te prokurori Zvërlevski.

Me këtë qëndrim të kryeprokurorit Zvërlevski nuk është pajtuar prokurorja speciale Katica Janeva. Tentativat e Prokurorisë publike Janeva i ka cilësuara si të dëmshme. Sipas saj, aktet e fundit të Prokurorisë po e shkelin Marrëveshjen e Përzhinos.

Etiketimet nga ana e Zvërlevskit kundër Prokurorisë speciale për Portalb i kanë komentuar edhe ekspertët e çështjeve politike.

Profesori universitar Jeton Shasivari thotë se dihej që nga fillimi se puna e prokurorisë speciale do të ketë mjaft sfida dhe obstruksione, dhe tamam kur prokurorja speciale e propozoi planin dhe projektin për punën e saj si dhe ekipin e saj, u ballafaqua me reagime nga disa prokurorë të afërt me pushtetin aktual.

“Prokuroria speciale përbën palcën e zgjidhjes së krizës së thellë politike në vend, andaj çdo dështim lidhur me të, do të shpiente në përshkallëzimin e krizës politike dhe në humbjen e besimit të qytetarëve ndaj drejtësisë, por edhe në radikalizimin e masave nga SHBA dhe BE. Arsyeja kryesore e themelimit të prokurorisë speciale është dështimi i kryeprokurorit aktual (i paguar nga taksapaguesit) në ndjekjen efikase penale të politikanëve të dyshuar për korrupsion si dhe krimeve të tjera. Andaj, s’do mend se, cili këtu është organ politik, sepse një kryeprokuror shtetëror joefikas, i varur dhe i nënshtruar nga politika, nuk ka kredibilitet për të kualifikuar prokurorët e tjerë si organ politik”, theksoi për Portalb, Shasivari.

Nga ana tjetër profesori Lubomir Fërçkovski vlerëson se Prokuroria publike nuk është as politike e as e pavarur por është partiake.

Sipas tij, po hyjmë në një krizë ku familja kriminale në pushtet po i aktivizon të gjitha instrumentet kundër ndryshimeve. Kjo mund të lidhet edhe me rastin për Prokurorinë speciale.

“Ata kanë nisë instalimin e tyre, sot kanë ngre çështjen e prokurores, nesër të ministrave,… e kështu me radhë. Nëse ligji për prokuroren speciale ka dal nga një marrëveshje politike ajo është bazuar në ligj, për dallim Prokuroria publike është organ partiak. Nuk është as i pavarur as politik, është partiak. Për shkak keqpërdorimeve të tyre ne jemi këtu ku jemi. Unë pres që Zvërlevski kur të dal t’i kërkojë falje të gjithë popullit”, u shpreh për Portalb Fërçkovski.

Së fundmi, Gjykata kushtetuese e Maqedonisë e pranoi nismën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për të ashtuquajturën Prokurori Speciale. Kjo do të thotë se hapet mundësia që i tërë ligji me të cilin ishte zgjedhur Katica Janeva të shpallet kundër-kushtetues, ndërsa me këtë anti-kushtetuese bëhet edhe Prokuroria e cila duhet ta zbardhë aferën e përgjimeve. Nismën e ka parashtruar avokati Tome Todorovski nga Sveti Nikolla.

Shasivari kualifikimet jokushtetuese për ligjin për prokurorinë speciale- i miratuar njëzëri nga të gjithë 111 deputetët e pranishëm në Kuvend si rezultat i kompromisit politik,  i cilëson si qesharake. Dhe, siç thotë ai, mëtojnë të zhagisin zbatimin efikas të tij si dhe të ushtrojnë presione dhe nënçmime vijuese mbi punën e këtij organi special të ndjekjes penale.

“Konsideroj se, ligji në fjalë maksimalisht me sukses i është përshtatur sistemit kushtetues dhe juridik të vendit, dhe pres që Gjykata kushtetuese të vendosë profesionalisht dhe pozitivisht për fatin e tij, ngjashëm siç vendosi Gjykata kushtetuese e Kosovës lidhur me Gjykatën speciale atje. Fundja, prokuroria speciale me asgjë nuk e rrezikon sistemin kushtetues, sepse është kryekëput në funksion të interesit publik të qytetarëve e të shtetit meqë nënkupton përgjegjësinë para drejtësisë të politikanëve të dyshuar për korrupsion dhe krime të tjera të supozuara”, përfundon Shasivari.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button