Projekti gjigant me kartela jofunksionale të shëndetësisë!

Problemi me kartelat elektronike shëndetësore nuk ka përfunduar ende, qytetarët dhe mjekët ankohen se përveç tyre e patjetërsueshme është që të kenë edhe librezën me vete, kurse nga ana tjetër kanë paguar kot para për tu pajisur me kartela që ende nuk funksionojnë si duhet.

Nga Fondi për sigurim shëndetësor thonë se problemi me shtypjen e kartelave shëndetësore do të rregullohet së shpejti, pasi që tani pritet të lidhet një kontratë e re pasi që ajo e vjetra ka skaduar.

“Marrëveshja që kishte Ministria e Shëndetësisë me kompaninë e mëparshme ka skaduar dhe tani jemi duke kërkuar që së bashku ta tejkalojmë këtë problem dhe së shpejti do të fillojmë me prodhimin e kartelave të reja”, njoftojnë nga FSSH-ja.

Ata thonë se nuk do të nxjerrën kartela të reja, por nëse ato janë dëmtuar do të duhet të rregullohen.

“Nuk do të shtypen kartelat për herë të dytë, mirëpo ato që janë dëmtuar apo humbur duhet të rregullohen. Ka kërkesa për 80 mijë kartela të reja, por jemi duke pritur kontratën që sërish të fillojmë me punë. Çmimi i kartelave do të jetë 250 denarë, ashtu siç ishte edhe më herët”, thonë nga FSSH.

Nga FSSH-ja theksojnë që me kartelat shëndetësore do të përmirësohet sistemi dhe vlerësojmë që do te jëtë procedurë më e lehtë dhe më e sofistikuar për të punuar. Deri më tani janë aktive 1, 8 milion kartela elektronike shëndetësore.

Redaksia Portalb kërkoi të dhëna edhe nga Ministria e Shëndetësisë sa i përket funksionimit dhe përdorimit të kartelave si dhe shpenzimet dhe mjetet financiare që janë ndarë për këtë projekt, mirëpo nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me këto pyetje, por na thanë që të kërkojmë në ueb faqen e tyre, në të cilën nuk ka informacione të detajizuara sa i përket informacion që ne kërkojmë.

Ndërkaq kohë më parë Ministri Nikolla Todorov tha se pa marrë parasysh se a kanë qytetarët apo jo kartelë shëndetësore, ata do të mjekohen pa asnjë problem, atëherë parashtrohet pyetja se pse ishte nevoja për tu pajisur me këto kartela?

Pse qytetarët paguan nga 250 denarë për të marrë këto kartela?

Nëse deri më tani janë pajisur 1.8 milion qytetarë, atëherë janë fituar 450 milion denarë që i bie rreth 7 milion euro, ku janë këto të holla?

Qytetarët vazhdojnë të pohojnë që nëse shkojnë në mjek, ata nuk pranohen vetëm me kartelat elektronike.

“Disa herë kam qen në mjek dhe patjetër më është kërkuar që të kem edhe librezën shëndetësore pasi që sipas tyre ka probleme dhe sistemi elektronik nuk funksionon si duhet”, tha Dritan G., qytetar.

Kurse tani më disa herë u shty afati i largimit të librezave shëndetësore nga përdorimi dhe zëvendësimi i tyre i plotë me kartelat elektronike. / Portalb

LEXO MË SHUMË:

Mbi tre muaj pritje për një kartelë shëndetësore

Një janari nuk është limiti i fundit për librezat elektronike

S’ka ilaçe me lirim me kartela shëndetësore

Kartelat shëndetësore thuajse të pavlefshme!

Pse shkelet afati për kartelat elektronike?

FSSH ka lëshuar 1.500.000 kartela shëndetësore

Kartelat elektronike shëndetësore, irritohen qytetarët

Lajme të ngjashme

Back to top button