S’ka ilaçe me lirim me kartela shëndetësore

Barnatoret e qytetit i kthejnë pacientët që të marrin librezën e tyre të shëndetësisë nëse duan të blejnë barna me lirim të cilat jepen me udhëzim të mjekut, ngase me kartelat elektronike nuk mund t’i marrin ato.

Mjekja Ana Lazarova thotë se shpesh pacientët kthehen prapë në konsultime me mjekët amë dhe kërkojnë që terapia përveçse në recetë të ju shënohet edhe në librezën shëndetësore.

“Kemi shumë raste ku pacientët kthehen sërish në kontroll dhe kërkojnë që terapia të ju shënohet edhe në librezë ngase në barnatore nuk ju shesin barna nëse kanë vetëm kartelën shëndetësore dhe recetën mjekësore”, thotë Lazarova.

Nga të punësuarit në barnatoren “Zegin” në Shkup mësuam se jo të gjitha ilaçet mund të sigurohen me kartela shëndetësore.

“Për shkak se nuk janë futur të gjitha barnat në sistemin elektronik ne nuk mund t’i japim ato më lirë nëse blerësi ka vetëm kartelën shëndetësore, patjetër nevojitet edhe libreza”, tha një e punësuar.

Ndërkaq nga zyrat e kësaj barnatoreje askush nuk donte që të jepte deklaratë për media sa i përket kësaj çështje.

Gjithashtu pas disa tentimeve që të marrim informacion për këtë çështje edhe nga Fondi për Sigurim Shëndetësor, një gjë e tillë nuk u realizua.

Megjithatë banorët e Maqedonisë kanë afat deri në qershor të vitit të ardhshëm të mbajnë librezat shëndetësore si dhe institucionet shëndetësore së bashku me barnatoret do të kenë kohë që të rregullojnë sistemin e tyre elektronik.

Lajme të ngjashme

Back to top button