Një janari nuk është limiti i fundit për librezat elektronike

Kohë më parë nga Fondi për Sigurim Shëndetësor i Maqedonisë, bënë të ditur se nga një janari do të hiqen nga përdorimi librezat e shëndetësisë, ndërkaq qytetarët të cilët janë të papunë, kanë ende paqartësi  se si shkon procedura e marrjes së kartelës së shëndetësisë.

Kjo procedurë ka fillua kohë më parë, ndërsa për ata të cilët  për arsye të ndryshme janë vonuar në aplikimin për kartelat shëndetësore elektronike, mund ta bëjnë këtë, sepse afati i marrjes së tyre do të shtyhet deri në qershor të vitit të ardhshëm.

Në bazë të një ankete të bërë nga “Portalb”, disa nga qytetarët janë ende të painformuar lidhur me pajisjen me libreza elektronike. Disa mendojnë se afati i përcaktua për përdorimin e tyre nga një janari është edhe limiti i fundit kohorë për të pasur librezë elektronike.

 “Kemi dëgjuar se do të hiqen nga përdorimi librezat e shëndetësisë dhe do të punohet vetëm me kartela elektronike, por nuk e di se si duhet të aplikoj për atë, duhet të pyes e pastaj ta fillojë procesin”, tha F.L.

“Unë nuk jam në punë, jam rast social, duhet të shkoj në Fond dhe të pyes se si të aplikoj për këtë kartelë shëndetësore”, tha R.T.

Dilemat e qytetarëve që shtrohen si pasojë e mungesës së informimit, sqarohen nga Fondi për sigurimin shëndetësorë, sipas të cilëve, qytetarët nuk duhet të shqetësohen sepse ka afat deri vitin e ardhshëm.

Zëdhënësi i Fondit për sigurim shëndetësor, Branko Axhigogov thotë se afati për pajisje me kartela elektronike shëndetësore është deri në qershor të vitit 2014 dhe se deri më tani qytetarët janë informuar nëpërmjet mediave si dhe ueb faqes  tonë për procedurat e aplikimit.

“Qytetarët kanë filluar të aplikojnë që në fillim të këtij viti dhe ne jemi duke punuar intensivisht për t’i pajisur ata me këto kartela. Megjithatë edhe pas një janarit nëse nuk munden të aplikojnë për shkaqe të ndryshme, me libreza të shëndetësisë do të punohet deri më qershor të vitit të ardhshëm”, tha Axhigogov.

Klinikat private të cilat kanë marrëveshje me FSSHM-në tani më kanë filluar të punojnë me sistemin e ri por duke mos e anashkaluar edhe atë të vjetrin. 

Nga klinika “Remedika” thonë se tani më kanë filluar të punojnë edhe me kartela elektronike të shëndetësisë po megjithatë shumica e pacientëve ende vinë me librezë të shëndetësisë.

“Ne kemi filluar të punojmë me kartela elektronike shëndetësore. E kemi rregulluar sistemin se ka disa pacientë që vinë me kartela por shumica ende vinë me libreza”, thotë Ana Lazarova, mjeke në kliniken private “Remedika”.

Ndryshe, për më pak se dy muaj, te mjeku dhe në barnatore nuk do të ketë nevojë të merrni me vete librezën e shëndetësisë, por do të shkoni vetëm me kartelën elektronike që e lëshon FSSHM. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button