Pse shkelet afati për kartelat elektronike?

Po afrohet afati i përfundimit së përdorurit të librezave të zakonshme shëndetësore, kurse kartelat elektronike të shëndetësisë vazhdojnë të funksionojnë vetëm si kartonë të kaltër. Afati i caktuar është qershori!

Mjeku Sedat Lumani bën të ditur se deri më tani kartelat elektronike përdoren vetëm si kartonë të kaltër.

“Është shumë e vështirë të punohet shkaku se sistemi elektronik ka tërë kohën ndryshime dhe përmirësime. Deri më tani këto kartela funksionojnë vetëm si kartonë të kaltër kurse nga ana tjetër udhëzimet janë të bllokuara dhe nuk ka afate për një periudhë të gjatë. Kjo duhet të azhurohet dhe jo vetëm mjeku amë të jep udhëzime por gjithat edhe specialisti”, tha Lumani.

Gjithashtu edhe mjeku i spitalit të Tetovës, Bekim Ismaili bën të ditur se numri i personave që posedojnë këto kartela shkon duke u rritur mirëpo edhe ai thekson se ato përdorën vetëm si kartonë.

“Shpresojmë që edhe gjërat tjera që janë në librezë të futen në sistemin elektronik , sepse tani për tani ai funksionon vetëm si kartonë i kaltër si dhe për udhëzime. Ne pranojmë edhe me librezat e vjetra dhe shpresojmë që sa më shpejtë sistemi elektronik të plotësohet”, tha Ismaili.

Nga ana tjetër zëdhënësi i Fondit për sigurim shëndetësor, Branko Axhigogov kohë më parë tha se afati për pajisje me kartela elektronike shëndetësore është deri në qershor të vitit 2014 dhe se deri më tani qytetarët janë informuar nëpërmjet mediave si dhe ueb faqes  tonë për procedurat e aplikimit.

Kurse sa i përket funksionimit të sistemit elektronik, nuk arritëm që të marrim përgjigje nga FSSHM, edhe pse afati për heqjen e përhershme të librezave mjekësore po afrohet.

Ndërkaq  ata qytetarë të cilët ende nuk janë pajisur me kartelë elektronike shëndetësore, ju bëjmë me dije se kanë afat deri në muajin qershor të vitit 2014, që t’i sigurojnë ato. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button