OEMVP: Votoni PËR referendumin, shpresë reale për zhvillimin ekonomik në Maqedoni

Zhvillimi ekonomik i Maqedonisë është i lidhur thelbësisht me stabilitetin dhe sigurinë që e ofron Bashkimi Evropian dhe NATO prandaj duhet të dilet në referendumin e së dielës për të votuar “PËR”. Pas anëtarësimit në familjen evropiane, pritet të rritet edhe BPV-ja e vendit ashtu siç ndodhi me vendet anëtare në të. Është ky një ndër mesazhet që e dërguan sot OEMVP dhe ministrat shqiptarë në takimin e tyre në Shkup, njofton Portalb.mk.

Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) sot në Shkup u takuan me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane Bujar Osmani dhe ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Temë diskutimi ishte referendumi që do të mbahet të dielën që çon Maqedoninë në rrugën drejtë NATO-s dhe BE-së. Të pranishmit u shprehën se duhet të dilet të votohet “PËR” sepse sipas tyre, i njëjti jep shpresë për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë, njofton Portalb.mk.

Kryetari i OEMVP-së Nebi Hoxha, ftoi Qeverinë dhe politikanët që t’i japin më shumë rëndësi dhe përkrahje zhvillimit ekonomik në vend, pasi që sipas tij, zhvillimi ekonomik do ta ndihmojë anëtarësimin në BE dhe NATO.

“Zhvillimi ekonomik i vendit është i lidhur thelbësisht me stabilitetin dhe sigurinë e vendit. Për një vend i cili ka aspirata dhe do të kyçet në Bashkimin Evropian kjo do të thotë një perspektivë më e mirë për të dhe zhvillim ekonomik. Mesazhi i bizneseve deri te politik-bërësit është që fokusi të mos jetë vetëm te ndryshimi i ligjeve por gjithsesi fokusi duhet të jetë dhe te biznesi dhe zhvillimi ekonomik i vendit’’, tha Nebi Hoxha kryetar i OEMVP-së.

Ndërkaq zëvendës-kryeministri Bujar Osmani, ftoi përfaqësuesit e Odave Ekonomike që të votojnë në referendumin për antarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ka eurointegrimi për  zhvillimin ekonomik të vendit. Për ta shpjeguar rëndësinë e referendumit, Osmani përmendi ngecjen e Maqedonisë në zhvillimin ekonomik në krahasim me Estoninë, dy vende të cilat dikur kanë qenë në një pikë të përbashkët të zhvillimit.

“Të gjitha parametrat janë të qarta, nëse bëjmë një analizë krahasuese të Maqedonisë me vendet të cilat janë anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Evropian para disa viteve, posaçërisht nëse e shohim Bruto Prodhimin Vendor (BPV) dhe zhvillimin e tyre nga njëra anë dhe dhe atë të Maqedonisë nga ana tjetër. Po e marr një shembull konkret, Maqedonia dhe Estonia të cilat kanë qenë në një pikë sa i përket BPV-së. Pas anëtarësimit të Estonisë në BE dhe NATO  kemi rritje drastike të zhvillimit atje dhe një ngecje këtu, kjo është një pasqyrë e qartë se çfarë do të thotë Bashkimi Evropian dhe NATO për Maqedoninë për investime të huaja, për vende të reja pune, për paga të larta, arsim dhe shëndetësi më cilësore”, deklaroi Osmani gjatë takimit me përfaqësuesit e OEMVP-së.

Përveç ministrit të ekonomisë, dhe zëvendëskryeministrit të pranishëm në takim ishin e zëvendës ministri i Punëve të Brendshme Agim Nuhiu, si dhe zëvendës-ministrja e financave Shirete Elezi.

Ndryshe, edhe ekonomistët për “Portalb”-in theksojnë se referendumi do të jetë vendimtar për lëvizjet e ardhshme ekonomike në vend. 

Pas anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut – NATO, në disa nga vendet e sapo pranuara, statistikat shënuan një rritje të investimeve të huaja direkte dhe për 30%. Disa ekspertë thonë se anëtarësimi i Maqedonisë do të reflektohet pozitivisht në stabilitetin e përgjithshëm politik dhe ekonomik. Zgjerimi i fundit i NATO-s u bë vitin e kaluar, kur Mali i Zi u bë anëtari i 29-të i aleancës në qershor, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Zgjerimi i fundit i Bashkimit Evropian u zhvillua u bë në vitin 2007 kur Bullgaria dhe Rumania hynë në Bashkimin Evropian, vende që e ndërmorën këtë hap 17 vjet pas rënies së komunizmit. Kur hyri në BE, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) për kryebanori në Bullgari u rrit prej pothuajse 36% ndërsa në Rumuni për për 31%. Parashikime të ngjashme kanë ekspertët për Maqedoninë, si një ndër vendet më të varfa në Evropë, të cilën e pret një rrugë e gjatë reformash ekonomike, ku do të duhet të tregojë vullnet politik dhe të marrë vendime të vështira, shkruan Portalb.mk. 

LEXO: ANALIZË: Eurointegrimet, faktet flasin, hapet mundësia për rritje ekonomike dhe standard më të mirë në Maqedoni

LEXO: АNALIZË: Përfitimet ekonomike të anëtarësimit në NATO të kapshme për banorët e Maqedonisë

LEXO: ANALIZË: Referendumi – moment kyç edhe për ekonominë! (INFOGRAFIK)  

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button