Çair, pronarët e ndërtesave shkelin ligjin, Inspektorati në “gjumë”

Mungesa e parkingjeve në komunën e Çairit është problem dekadësh në këtë vend. Këtë problem e përkeqëson edhe ndërtimi i ndërtesave të reja, të cilat jo gjithmonë përdorin garazhin si parking dhe rast konkret është ndërtesa në rrugën “Ferid Murat” në Fushë Topane pranë Ngrohtores, e cila parkingun nëntokësor e përdor si depo të produkteve ushqimore, shkruan Portalb.mk. Pronari dhe Komuna e arsyetojnë këtë veprim kundër-ligjor.

Ndërsa me ligj për të fituar lejen e ndërtimin pronarët apo investitorët janë të detyruar që të sigurojnë edhe vend parkime bazuar në apartamentet që ka ndërtesa dhe të përdoren për atë qëllim për të cilin janë paraparë, që të plotësojë standardet dhe kushtet për banorët dhe planin urbanistik të komunës përkatëse.

Kurse pronari i ndërtesës Ali Qahili, thotë për Portalb.mk se vetëm dy vend parkime janë kërkuar për tu blerë dhe se ai nuk ka hesap ta lëshojë tërë atë hapësirë vetëm për dy vend parkime.

“Unë e përdori atë hapësire si depo sepse kanë ardhur vetëm dy veta të blejnë parking kurse aty ka vend për 28 parkingje, dhe unë nuk mund ta përdori tërë atë sipërfaqe vetëm për dy parkingje”, tha për Portalb, Qahili.

Sa i përket mundësisë që ajo hapësirë të lëshohet si parking por me qira mujore, Qahili tha se nuk ka të interesuar, kurse Portalb.mk bisedoi me disa banorë të kësaj ndërtese të cilët thanë se janë të pajtimit për të paguar qira mujore vetëm të mos ju ngelin makinat në rrugë.

“Ka shumë supermarkete në këtë rrugë dhe blerësit bllokojnë edhe ato pak vende parkimi qe ka para ndërtesës dhe ne ngelemi ti lëmë makina në rrugë. Do të ishte e drejtë dhe më ekonomike që pronari të lëshonte me qira të arsyeshme parkingjet nëntokësore dhe të zgjidhet një herë e përgjithmonë kjo çështje”, thonë banorët.

Lidhur me këtë nga komuna e Çairit, Rami Qerimi thotë për Portalb.mk se kusht është që ndërtesa të ketë parkingje për apartamente, por që si shfrytëzohet më pas ajo, inspektorati komunal nuk mund të përzihet.

“Është e vërtetë që me ligj për të marrë lejen për tu ndërtuar një ndërtesë duhet të ketë parkingje, gjegjësisht një parking e gjysme për një apartament. Mirëpo se si shfrytëzohet garazhi nëse banorët nuk e blejnë atë është punë e pronarit, ne nuk mund të përzihemi”, tha Qerimi.

Ai shtoi se komuna Çair ka kërkuar ndryshim të ligjit për shitjen e banesave, ku vendi i parkimit të futet me ligj në shumën e apartamentit kështu që mos të ketë probleme të tilla.

Veturat e banoreve te parkuara ne rruge

Por kjo çfarë thotë Qerimi nuk është e vërtetë sepse nga Inspektorati thonë se pronari nuk ka të drejtë ta përdor për diçka tjetër vendin që ka marr leje për të qenë parking.

Boris Ognjanov nga inspektorati ndërtimor në komunën e Aerodromit sqaroi për Portalb.mk se nëse nuk shiten vendet e parkimit, ato mbeten boshe, pronari nuk ka të drejtë që ta përdor për qëllime tjera hapësirën për të cilën ka marrë leje që të jetë parking.

“Në komunën tonë kishim një rast të tillë kohë më parë, ku pas kontrollit pronari u detyrua që të heq materialin me të cilin kishte zënë vendin e parkimit. Në komunën tonë nuk kemi shumë probleme të tilla sepse ka mjaft parkingje pa pagesë dhe pronarët nuk blejnë tokën e parkingut të ndërtesës dhe vendet e parashikuara për këtë qëllim ngelin të zbrazura. Edhe ne jemi të mendimit se duhet të ndryshohet ligji dhe të përcaktohet në blerjen e banesës edhe vend parkimi”, tha për Portalb, Ognjanov.

Veturat e banoreve dhe bleresve ne parkingun ne trotuar

Ai shtoi se nëse komuna dhe inspektorati nuk reagojnë lidhur me këtë, banorët kanë të drejtë ta padisin pronarin.

“Nëse komuna dhe inspektorati komunal nuk reagojnë lidhur me këtë çështje, nëse banorët duan të blejnë vend parkimin dhe pronari është kundër apo ndonjë gjë e tillë, ata e kanë të drejtën që ta padisin të njëjtin”, shtoi Ognjanov.

Ndryshe banorët e kësaj komune tani me një kohë të gjatë vazhdojnë të ankohen lidhur me mungesën e parkingjeve, të cilat i premtoi edhe kryetari aktual Visar Ganiu në fushatën e tij parazgjedhore, por që deri më tani nuk ka informacion lidhur me datat e fillimit apo të mbarimit të këtij projekti madhor të kësaj komune.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI MOBIL