Kuvendi vendosi t’i shqyrtojë ndryshimet Kodit Zgjedhor pas përfundimit të takimit të liderëve

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot, në seancën e 53,  me 27 vota “për” vendosi që Propozim ligji për Ndryshimin e Kodit zgjedhor të shqyrtohet pas përfundimit të takimit të liderëve që është duke u mbajtur në Klubin e Deputetëve, transmeton Portalb.mk.

Më parë, njëzëri me 61 vota “për” dhe pa praninë e opozitës Kuvendi e shkarkoi nga funksioni kryetaren dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror për Vendimmarrje në Procedurë Administrative dhe Procedurë të Marrëdhënies së Punës në Shkallë të Dytë.

Gjithashtu, sot njëzëri dhe pa diskutim, me praninë e opozitës, deputetët e dorëzuan llogarinë përfundimtare të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë për vitin 2017.

Kuvendi me 76 vota “për” dhe një “të përmbajtur” e solli Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për transportin në komunikacionin rrugor. Deputetja Liljana Zaturoska nga VMRO-DPMNE theksoi se edhe me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit përsëri keqpërdoret flamuri evropian, por shtoi se deputetët e grupit të saj të deputetëve do ta mbështesin pasi u janë pranuar amendamentet me të cilat, siç tha, u dilet në ndihmë vozitësve të taksive. Në replikë Dime Vellkovski nga LSDM-ja tha se me ndryshimet vetëm bëhet harmonizimi me legjislaturën evropiane.

Ndryshe, në seancën 80 qeveritare, Qeveria e miratoi propozim – ligjin për ndryshimin e Kodit Zgjedhor me procedurë të shkurtuar.

“Me ndryshimet, do të mundësojmë zgjedhje të Komisionit Shtetëror Zgjedhor përkundër bllokadës politike e cila ekziston në këtë moment nga opozita. Propozim – ligji i ri parasheh që formimi i KSHZ-së të bëhet me shumicë të thjeshtë dhe jo siç është deri më tani, me shumicë të kualifikuar. Do të ketë ndryshim në nenin 27, edhe atë: plotësisht do të fshihet paragrafi, në paragrafin 4 do të fshihen fjalët “propozim të listës” si dhe në paragrafin 5 do të fshihen fjalët “dy e treta”, tha zëdhënësi i Qeverisë në konferencë për shtyp, Mile Boshnjakovski.

Sipas kësaj, me fshirjen e paragrafit të tretë, Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime nuk do të përgatit në listë nga kandidatët e paraqitur dhe nuk do ta dorëzojë deri te Kuvendi.

“Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime i Kuvendit përgatit listë nga kandidatët e të paraqiturve dhe e dorëzon në kuvend”, thotë paragrafi tre i nenit nenit 27 të Kodit Zgjedhor.

Propozim – ligji për ndryshim të Kodit Zgjedhor, vjen në kohën kur në Kuvend është bllokuar formimi i KSHZ-së, i cili duhet që deri në fund të tetorit ta organizojë referendumin për çështjen e emrit, i cili është kusht për rrugën euro-integruese të Maqedonisë.

Pos kësaj, do të intervenohet edhe në paragrafin katër ku është e theksuar se kandidatët e propozim – listës së partive politike në pushtet dhe opozitë japin propozime të tyre për anëtarët e komisionit.

VMRO-DPMNE-ja bën obstruksione duke mos lejuar që të formohet KSHZ-ja. Kryetari i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE, nuk e cakton seancën në të cilën duhet të përgatitet listë me kandidatët e paraqitur nga shpallja për anëtarë të KSHZ-së. Me këtë do të fillonte procedura për zgjedhjen e anëtarëve të rinj, pasi që paraprakët dhanë dorëheqje pas skandalit me mëditjet.

Qeveria thotë se obstruksioni i VMRO-DPMNE-së i mban peng qytetarët, ndërkaq propozim – ligji i ri është edhe kërkesë e kamotshme e Komisioni të Venedikut.

“Mënyra me të cilën përballemi me këtë bllokadë për zgjedhjen e KSHZ-së është dukuri e cila evidentohet në disa raporte të Komisionit të Venedikut. Në këtë raporte, Komisioni i Venedikut thotë se nevoja për zgjedhje ose emërim të ndonjë anëtari të ndonjë trupit me shumicë të kualifikuar, nuk guxon që të transferohet në instrument kundër-produktiv për bllokimin e proceseve për formimin e institucioneve kyçe të sistemit, pasi që institucionet që nuk mund të funksionojnë nuk e realizojnë qëllimin e tyre kushtetues dhe e varrosin demokracinë. Është kyçe që të ekzistojnë mekanizma për zhbllokimin e këtyre bllokadave me qëllim proceset  politike të zhvillohen normalisht në një sistem politik. Qeveria nuk do të lejojë që opozita, qytetarët e Maqedonisë t’i bëjë peng i interesave partiake. Mungesa e përgjegjësie te opozita nuk do të lejojmë që të jetë pengesë për shprehjen e vullnetit të shumicës së qytetarëve, vullneti i qytetarëve do të shprehet në referendum të lirë. Koha është që opozita të tregojë nëse me të vërtetë është që Maqedonia do të anëtarësohet në BE dhe NATO”, tha Boshnjakovski.

Aktualisht fati i KSHZ-së ka mbetur në fazën e pastrimit të listave të kandidatëve. Pas kësaj, Komisioni amë njofton kreun e Kuvendit i cili kërkon më pas prononcimin e partive. Pas kësaj, Komisioni propozon kryetarin, nënkryetarin dhe anëtarët e KSHZ-së tek kryetari i Kuvendit i cili propozimin e vendos në seancë plenare. Derisa në Kuvend është bllokuar KSHZ-ja, afatet për shpalljen e referendumit janë në rrjedhe e sipër. Në rast se KSHZ-ja nuk arrin të ketë përbërjen e re deri në fund të muajit, vihet në pikëpyetje paralajmërimi i kryeministrit Zaev se referendumi mund të mbahet nga mesi i muajit shtator. Sipas dispozitave ligjore të parapara në Ligjin për Referendum, 30-60 ditë para mbajtjes Kuvendi duhet ta shpallë referendumin, ndërsa 60-90 ditë duhet përfundojë e gjithë procedura e shpalljes, fushatës, mbajtjes dhe rezultatit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button