Administratorët e MO-së, Qeveria thotë se Lika këtë javë do të tregojë për sistemimin e grupit të dytë

Zëvendëskryeministri për Zbatimin e Marrëveshje së Ohrit, Hazbi Lika, deri në fund të javës do të mbajë konferencë për shtyp për shpërndarjen e të punësuarve sipas Marrëveshjes së Ohrit, tha në konferencë për shtyp, zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, duke u përgjigjur në pyetjen e Portalb.mk.

“Sot në mëngjes jemi parë me zëvendëskryeministrin e Qeverisë, ishte i pranishëm në seancën e sotme qeveritare. Pritet që në periudhën në vazhdim, sipas të gjitha gjasave, deri në fund të javës, të kemi datë kur do të mbajë konferencë për shtyp për shpërndarjen e grupit të dytë të administratorëve të cilët janë punësuar me Marrëveshjen e Ohrit”, tha Boshnjakovski.

Që kur dolën spekulimet për përçarje brenda Bashkimit Demokratik për Integrim, për ndryshimet e mundshme rë resoreve qeveritare, zëvendëskryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika, nuk është parë në publik, duke mos marrë pjesë as në konferencat më të mëdha të Qeverisë së Maqedonisë, në përjashtim të konferencës së sotme për shtyp të kryeministrit Zoran Zaev dhe eurokomesarit Johanes Han.

Lika, siç shkruajtën mediat, edhe pse e kanë demantuar nga Qeveria, një periudhë nuk ka shkuar në punë. Ai nuk është parë as në ngjarjet me rëndësi siç ishte njëvjetori i punës së Qeverisë dhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Ohrin në Prespë të Greqisë. Megjithatë, sot ka marrë pjesë në seancën qeveritare dhe në konferencën për shtyp të kryeministrit Zoran Zaev dhe eurokomearit Johanes Han.

Paralajmërimi i fundit se do të mbajë konferencë për shtyp ishte se do të ketë javën e kaluar, megjithatë nuk ndodhi.

Portalb.mk, disa herë ka tentuar që të kontaktojë me Sekretariatin për Zbatimin e MO-së, megjithatë nga i njëjti nuk na janë përgjigjur. Sekretariati nuk ka person për kontakt me media, por edhe nuk u përgjigjet e-maileve me pyetje sipas procedurës për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik, e cila e obligon me ligj që të na dorëzojë informata.

Mangësia e informatave zyrtare, ka bërë që opinioni të mos njoftohet me procedurën e sistemimit të administratorëve, gjegjësisht në lidhje me atë se sa prej tyre kanë filluar me punë.

Ashtu siç u shkruar Portalb.mk, të dy grupet e administratorëve gjegjësisht 1.688, kanë qenë në cak të kritikave për shkak se ata u kanë kushtuar shtrenjtë xhepin të qytetarëve dhe nga ana tjetër nuk kanë ofruar asgjë, pra kanë qëndruar në shtëpi.

Në mungesë të numrave zyrtare, sipas një matematike të thjeshtë, nëse çdo administrator ka marrë pagë mujore prej 250 eurove, kjo nënkupton që 1.688 administratorët e MO-së qytetarëve të Maqedonisë u kanë kushtuar 422.000 euro në muaj, ose mbi 5 milionë euro në vjet. Punësimi i këtyre administratorëve ka filluar që nga viti 2008-të, ndërkaq ndër vite ka pasur konkurse.

Portalb.mk, njoftoi se shumica e grupit të parë të administratorëve që janë 958, kanë pranuar ofertat për sistematizim, por jo-zyrtarisht një numër shumë i vogël prej tyre kanë filluar me punë. Nga ana tjetër, është paralajmëruar përpara dy muajve e gjysmë se po përgatitet plan për sistemimin e grupit të dytë të administratorëve (mbi 700), megjithatë nuk ka informata nëse të njëjtët kanë pranuar që të sistematizohen.

Dy muaj nga lajmet për përçarje në BDI, nga atëherë Hazbi Lika nuk duket në publik

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button