Maqedoni, përgatitet plani për sistemimin e grupit të dytë të administratorëve

Paralelisht me sistematizimin e 958 administratorëve nëpër institucione përkatëse, në Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit po punohet për përgatitjen e planit për sistematizimin e 730-të administratorëve tjerë. Konfirmon për Portalb.mk, zëdhënësi i Qeverisë, Muhamed Hoxha, njofton Portalb.mk.

“Në Sekretariat punohet në përgatitjen e planit të fazës së dytë të personave që kanë mbetur pa sistematizuar. Ajo është ende në fazën fillestare. Sipas procedurës, Sekretariati me institucionet tjera përkatëse e bëjnë planin, i njëjti vjen dhe miratohet në Qeveri dhe fillohet të realizohet edhe ajo. Njëkohësisht merren parasysh të gjitha kriteret dhe të gjitha kushtet – arsimimi, përgatitje e tyre profesionale, vendi nga janë etj.”, thotë Hoxha, duke mos caktuar afat se kur pritet që e njëjta të ndodhë.

Nga ana tjetër, në fazë finale është sistematizimi i pjesës së parë të 958-të administratorëve, të cilët, ashtu siç ka kumtuar edhe më herët Qeveria mbi 90% e tyre e kanë nënshkruar pëlqimin për sistemimin e tyre nëpër institucione të ndryshme.

“Procesi i sistematizimit, të 958-të personave rrjedh me sukses dhe presim që kjo procedurë të përfundojë me sukses. Tani nuk mund të jap afat, por shumë shpejtë do të kemi edhe grupet e para që do të fillojmë t’i shpërndajmë. Sipas procedurës, pas përfundimit të procedurës së nënshkrimit të pëlqimit, fillon debati mes dy institucioneve për përgatitjen e marrëveshjes për transferim. Pasi të nënshkruhet mes dy institucioneve, shkon për pëlqim në Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratë dhe më pas kthehet në Sekretariat dhe personi fillon me punë”, thotë Hoxha për Portalb.mk.

Ndryshe, 1.688 të punësuarit me Marrëveshjen e Ohrit, prej vitit 2008 kanë ndenjur në shtëpi dhe kanë marrë rrogë, si pasojë e mos-sistemimit të tyre.

Në vitin 2017, siç publikoi Portalb, 75.3% e të punësuarve në sektorin publik kanë qenë maqedonas, 19.3% shqiptarë, 1.8% turq, 1.1% romë, ndërsa pjesa tjetër u takojnë grupeve të tjera etnike. Analizuar sipas llojit të institucionit, përqindja më e madhe e shqiptarëve, 84.51% janë të punësuar në Sekretariatin e qeverisë, pastaj 40.63% në institucionin e Avokatit të popullit, 26.10% në Kuvend, ndërsa 20.32% e të punësuarve nëpër ministri janë shqiptarë. Përfaqësim më të ulët shqiptarët kanë në Shërbimin e Qeverisë, në Këshillin Gjyqësor dhe në Gjykatën Kushtetuese.

Te organet rregullatore, përfaqësim më të madh të punonjësve të përkatësisë etnike shqiptare ka në Agjencinë për mbikëqyrjen e sigurimit pensional me financim kapital, Agjencinë për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike dhe Agjencinë për aviacion civil, ndërsa në Komisioni për letra me vlerë, Komisionin rregullator për banim dhe Agjencinë për rregullimin e sektorit hekurudhor, përqindja e shqiptarëve të punësuar është zero.

Qeveria e re premtoi që të njëjtët do të punësohen në institucione përkatëse. Kryeministri Zoran Zaev këtë muaj paralajmëroi reforma të shtuara në administratë me qëndrimin se produktiviteti në sektorin shtetëror është katastrofal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button