Të shtëna me armë në Reçicë të Vogël-Tetovë, një i vdekur

Naip Rexhepi, Kumanovë është personi i vrarë nga incidenti i sotëm në Tetovë. Policia për Portalb.mk e konfirmoi vdekjen e një personi. Policia gjithashtu konfirmoi se ka arrestuar dy persona, njëri nga to nga Kumanova.

Kumtesa e policisë:

“Sot në 5 prill, rreth orës 18:20 në rrugën 167 në Tetovë, ndodhi një incident i armatosur, konkretisht shkëmbim zjarri mes dy grupeve, në të cilën 3 persona morën plagë të rënda nga plagët e zjarrit. 3 personat u dërguan menjëherë në spitalin e Tetovës, ku njëri prej të cilëve, personi me inicialet N.P (47 vjeçar) iu nënshtrua plagëve duke e humbur jetën, njëri u mbajt për mjekim të mëtejshëm, ndërsa personi i tretë pas ndihmës së ofruar është dërguar në klinikat e Shkupit.
Menjëherë pas denoncimit të incidentit, konkretisht përplasjes me armë zjarri, Sektori për Punë të Brendshme të Tetovës nxori në terren një numër forcash policore në vendin e ngjarjes dhe në mënyrë të vazhdueshme mori të gjitha masat për zbardhjen e tërësishme të detajeve; personave të përfshirë, rrethanat në të cilat ndodhi përplasja me armë, motivet e saj etj.
Ndërkohë, me angazhimin intensiv të forcave të Sektorit për Punë të Brendshme të Tetovës, u lokalizuan dhe u ndaluan 2 persona, B.R, (41 vjeçar) dhe L.B. (40 vjeçar) nga Elbasani i Republikës së Shqipërisë për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tyre në këtë ngjarje. Në automjetin në të cilën udhëtonin u gjetën armë zjarri, 2 pistoleta, të cilat janë konfiskuar dhe janë mjet i ekspertizës policore.
Në vendin e përplasjes me armë, sot u krye edhe ekspertizë ligjore nga ana e prokurorit si dhe ekipit të Sektorit për Punë të Brendshme të Tetovës. Mbi rastin punohet ende.”

LEXO: Prokuroria jep detaje për të shtënat me armë në Reçicë të Vogël-Tetovë

“Ka një person të vdekur por nuk mund ta zbulojmë identitetin e tij” tha për Portalb.mk, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të brendshme, Toni Angellovski.

“Sonte rreth orës 18.20 në rrugën 167 në Tetovë, ka ndodhur një incident në të cilin me armë zjarri janë plagosur dy persona që u dërguan në Spitalin e Tetovës. Janë arrestuar dy persona, njëri nga Kumanova dhe një nga Shqipëria, B.R dhe L.B, për shkak të ekzistimit të dyshimit se janë të involvuar në incidentin e sotëm. Policia dhe prokuroria kryejnë ekspertizën.” tha për Portalb.mk, Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB Tetovë.

Edhe drejtori i spitalit të Tetovës, Florim Besimi konfirmoi për Portalb.mk se nga tre personat e plagosur nga ngjarja e sontme në Reçicë të Vogël të Tetovës: njëri ka ndërruar jetë, njëri është në Spitalin e Tetovës dhe i treti është lëshuar në mjekim shtëpiak.

Sipas asaj që dihet, personat e përfshirë në incident paraprakisht janë përleshur fizikisht më pas kanë qenë në dy vetura të ndryshme, janë ndalur në rruge dhe janë përleshur mes vete dhe me armë. Ngjarja ka ndodhur afër selisë së Bashkimit Demokratik për Integrim ndërsa kjo parti përmes një kumtese mohoi të ketë lidhje me incidentin.

Thuhet jozyrtarisht se ngjarja ka ndodhur në lidhje me atë se kush do ta merr degën e BDI-së në Kumanovë. Incidente të tilla kanë ndodhur edhe më herët ku mbet i vrarë, Xhemail Rexhepi – Komandant Shqiponja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button