ANALIZË: Regjistrim për të dhëna ekonomike, mirëpo jo edhe etnike?

Maqedonia ka 2.073.702 qytetarë, gjegjësisht aq ka qenë numri i popullsisë deri më 31 dhjetor të vitit 2016. Këtë informatë që e ka publikuar Enti statistikor është “vlerësim i popullsisë”, operacion i cili është i njohur dhe i pranuar në aspekt metodologjik, mirëpo nuk e jep pasqyrën e vërtetë për gjendjen e numrit të popullsisë, siç do të fitohej me regjistrimin, komentojnë një pjesë e ekspertëve për “Portalb”-in. Pasi u publikua se në vitin 2020 do të realizohet regjistrimi i pritur, ekspertët thonë se na presin “ndërkëmbëza” të reja politike, të cilat do të duhet të tejkalohen, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Pa regjistrim shteti pëson dëme!

Regjistrim i popullsisë në vitin 2020. Ligj i ri për regjistrimin e popullsisë. Blerje e 6.000 kompjuterëve. Shpenzime të përgjithshme në vlerë prej 8,5 milionë eurosh. Këto janë pjesë e detajeve që u publikuan për regjistrimin e paralajmëruar të popullsisë, të cilin duhet ta realizojë koalicioni në pushtet. Deklarata e njeriut të parë të Entit statistikor, Apostoll Simovski, se do të angazhohet që përkatësia etnike e qytetarëve të mos jetë pjesë e materialit për regjistrim, shkaktoi reagime të publikut.

“Duke u nisur nga aspekti se Kushtetuta jonë përcakton të drejta dhe obligime që ndërlidhen me çelësin etnik, gjegjësisht që kanë të bëjnë me përfaqësimin e drejtë sipas përkatësisë etnike, hapet çështja se cili do të jetë efekti nga moskonstatimi i përkatësisë etnike, gjegjësisht parashtrohet pyetja mbi çfarë baze ligjore pastaj do të realizohen dhe do të zbatohen të drejtat që janë përcaktuar me Kushtetutë” – thotë për “Portalb”-in njëri nga ish-ministrat për drejtësi, profesori universitar, Adnan Jashari.

Regjistrimi i popullsisë është rekomandim e jo detyrim në fletat e regjistrimit, thotë njëri nga ish-drejtorët e Entit statistikor, Donço Gerasimovski. Ai përkujton se në Maqedoni, prej vitit 1948, nëpërmjet operacionit të regjistrimit, trajtohet edhe numërimi sipas çelësit etnik.

“Sa i përket çështjes etnike, sipas standardeve kjo kategori nuk është e detyrueshme. Në fakt, në fletat e regjistrimit ka të dhëna që janë të detyrueshme dhe të tjera që janë vullnetare. Ato vullnetaret i përcakton vetë shteti. Për shembull, nuk është e detyrueshme të përcaktohet numri i qytetarëve që kanë televizor. Këto të dhëna merren sipas përzgjedhjes dhe vlerësimit që e ka bërë vendi që e organizon regjistrimin. Nga ana tjetër, kemi të dhëna të detyrueshme në fletat për regjistrim, të cilat merren që të sigurohet matshmëria ndërkombëtare. Çështja etnike nëpërmjet operacionit të regjistrimit në Maqedoni realizohet që nga viti 1948“ – thotë Gerasimovski.

Sipas paralajmërimeve të Entit statistikor, regjistrimi i popullsisë duhet të realizohet në vitin 2020. Një pjesë e ekspertëve vlerësojnë se periudha kohore është e mirë, për shkak se në vitin 2019 do të mbahen zgjedhjet presidenciale, ndërsa pas regjistrimit, në vitin 2021 do të mbahen edhe zgjedhjet lokale. Paralajmërohet edhe regjistrim provues, që do të realizohej në vitin 2019 në disa komuna.

“Regjistrimi si operacion statistikor ka dimensione, gjegjësisht shkaqe, të tjera, për shembull, përcaktimin e statusit ekonomik dhe social të popullsisë, dhe këto qëllime duhet të realizohen që të fitohet pasqyrë e vërtetë për gjendjet. Mirëpo, regjistrimi pa informatë për përkatësinë etnike do ta lë të hapur çështjen se si bashkësitë etnike do t’i realizojnë të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe me ligje, nëse nuk përcaktohet gjendja edhe në këtë aspekt”, thotë profesori Jashari.

Pa regjistrim të realizuar 16 vite të plota, vendi është duke pësuar dëme të drejtpërdrejta dhe indirekte, thonë ekspertët, transmeton Portalb.mk.

“E para, është absurde që në epokën e teknologjive të informacionit dhe të komunikimit të mos kemi as numër të përafërt për madhësinë e popullsisë dhe për karakteristikat e saj, gjeografike, arsimore, të moshës dhe të tjera, në bazë të të cilave udhëhiqen pothuajse të gjitha politikat ekonomike dhe të tjera në vend. Atëherë ne mund vetëm të supozojmë se çfarë efektesh do të kishin masat e ndryshme të politikave. E dyta, sistemi ynë politik është drejtpërdrejtë i lidhur me karakteristikat etnike, gjuhësore dhe të tjera të popullsisë. Pa to, sistemi thjesht nuk mund të funksionojë as në nivel qendror, as në nivel lokal. Pasojat nga kjo tashmë i ndjejmë. E treta, regjistrimi në fakt është edhe regjistrim i ekonomive bujqësore, për të cilat tani praktikisht nuk kemi asnjë informatë. Kjo e pamundëson edhe politikën bujqësore, mirëpo as nuk na jep pasqyrë për raportet e popullsisë rurale me atë urbane, që pastaj ka pasoja mbi planifikimin urbanistik dhe hapësinor” – thotë njëri nga ministrat e mëparshëm për financa, profesori universitar, Nikolla Popovski, dhe shton:

“Në fund, nuk mund të planifikohet infrastruktura sociale, veçanërisht objektet për fëmijë, ato arsimore dhe për pensionistët, nëse nuk dihet se në çfarë drejtimi zhvillohet struktura e moshës së popullsisë në përgjithësi, dhe sipas rajoneve dhe qyteteve. Problemet e veçanta me raportet ndërmjet popullsisë së përgjithshme, asaj të aftë për punë dhe popullsisë aktive, si dhe të rinjve deri në 18 vjet, janë gjëra pa të cilat në aspekt afatgjatë nuk mund të planifikohet praktikisht asgjë. Kësaj duhet shtuar edhe faktin se Maqedonia nuk ka statistikë të veten për emigrantët, gjë që e pamundëson ta dimë në mënyrë më të thellë dhe më precize strukturën e popullsisë sonë”.

Në ueb-faqen e Entit statistikor shkruan se Maqedonia ka 2.073.702 qytetarë, gjegjësisht popullsi. Kjo gjendje, që është përcaktuar më 31 dhjetor të vitit 2016, sipas statistikanëve është fituar në bazë të operacionit “vlerësim i popullsisë”, që është krejtësisht ndryshe nga operacioni i regjistrimit të popullsisë. Në fakt, vlerësimi i popullsisë është operacion në të cilin përfshihen edhe “lëvizja natyrore e popullsisë” dhe “migrimet”, mirëpo sipas ekspertëve edhe këtu mund të kontestohen numrat, veçanërisht në pjesën e migrimeve. Gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, disa komuna të vendit hynë në procesin zgjedhor pa popullsi të numëruar.

Maqedonia, si vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, është e obliguar të realizojë regjistrim të popullsisë. Për herë të fundit, ky operacion është realizuar në vitin 2001.

Për regjistrimin e dështuar të vitit 2011, Prokuroria speciale publike ka filluar hetimin me emrin “Regjistrimi”, ku të dyshuar janë lideri aktual i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ish-kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Sipas PSP-së, dy liderët janë marrë vesh që ta ndërpresin regjistrimin duke përmendur arsye teknike, mirëpo motivi ka qenë krejtësisht tjetër, me çka e kanë dëmtuar shtetin për 2,8 milionë euro. Nga të dyja partitë thonë se nuk ka pasur asgjë kontestuese në vendimin e pushtetit të atëhershëm për ta ndërprerë regjistrimin.

Ja kur pritet që Maqedonia përfundimisht të bëjë regjistrim të popullsisë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button