Pulla postare e Skënderbeut me gabime të shumta gjuhësore, Posta e Maqedonisë: përgjegjës përkthyesit! (VIDEO)

Me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, në Kuvendin e Maqedonisë u publikua edhe pulla postare. Megjithëse një moment i rëndësishëm, prezantimi i pullës u shoqërua me gabime të shumta gjuhësore. Nga Posta e Maqedonisë në lidhje me rastin në fjalë thanë se përgjegjës janë përkthyesit, raporton Portalb.mk.

Nëse në gjuhën maqedonase shkruan “Shënimi i 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut” në shqip ajo është shkruar “Shënimit të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti- Skëndërbeut”.

Një tjetër gabim që u pa ishte se në vend se të shkruhet “550 vjet nga vdekja e Skënderbeut” ajo u shkrua “550 vite nga vdekja e Skenderbeut”.

Nga Kuvendi i Maqedonisë thanë se përgjegjëse për pullën postare është Posta e Maqedonisë, e nga Posta e Maqedonisë për Portalb.mk deklaruan se “përgjegjës për shkrimin janë përkthyesit, ata e kanë përkthyer nga maqedonishtja. Megjithatë, për sqarim shtesë do të ju njoftojmë pasi të kthehet drejtori gjeneral nga udhëtimi”.

Nga ana tjetër, ditë më parë në Kuvendin e Maqedonisë u miratua ligji i gjuhëve nëpërmjet të cilit sigurohet përdorimi i gjërë i gjuhës shqipe edhe në institucione shtetërore. Me ligjin e gjuhëve pritet formimi i dy institucioneve, Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, të përbërë nga përkthyes të autorizuar gjyqësorë, linguistë, filozofë të diplomuar në gjuhën shqipe, si dhe lektorë të licencuar. Ata do të udhëhiqen nga drejtori i agjencisë, i cili emërohet nga Qeveria përmes shpalljes publike. Pos Agjencisë, është paraparë edhe formimi i Inspektoratit për Përdorimin e Ligjit të Gjuhëve.

Ndërkaq, një vit pas hyrjes në fuqi të Ligjit, të gjitha institucionet duhet të miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e ligjit. Gjithashtu, parashihet që në afat prej gjashtë muajsh nga miratimi i ligjit, të gjitha institucionet janë të obliguara t’i zbatojnë obligimet e nenit 7 të ligjit. Për moszbatim të ligjit, janë paraparë dënime prej 4 deri më 5 mijë euro për institucionet dhe një mijë deri 1.500 euro për personat përgjegjës në organet shtetërore.

http://portalb.mk/495688-ligji-i-gjuheve-ne-sirtarin-e-ivanovit-e-paqarte-se-a-do-te-kete-punesime-te-reja-ne-maqedoni/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button