Veto-ja e presidentit Ivanov s’mund ta bllokojë ligjin për përdorimin e gjuhëve

Hyrja në fuqi e ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk varet nga vullneti i Ivanovit, por nga vullneti i shumicës parlamentare. Kështu për Portalb.mk, i komenton eksperti juridik, Naser Ziberi, zërat në opinion se presidenti Gjorge Ivanov mund ta përdorë të drejtën e vetos për mosdekretim të ligjit, ashtu siç kishte e kishte bërë presidenti, Branko Cërvenkovski në vitin 2008 për ligjin për përdorimin e gjuhëve, shkruan Portalb.mk.

“Qëndrimi i Ivanovit në lidhje me propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve është i njohur dhe ai disa herë e ka përsëritur se vlerëson se disa dispozita të këtij ligji tejkalojnë kornizat kushtetuese dhe se nuk janë në harmoni me Kushtetutën dhe nuk është për t’u habitur nëse pas aprovimit të ligjit dhe dorëzimit të tekstit nga ana e kryetarit të Kuvendit për nënshkrim te presidenti që ky i fundit ta refuzojë dekretimin e këtij ligji, por kjo nuk mund ta pengojë hyrjen në fuqi të ligjit pasi që ajo çështje është e rregulluar. Do të kthehet përsëri ligji në Parlament dhe do të përsëritet procedura për aprovimin dhe në qoftë se ka 61 vota herën e dytë, ligji do të hyjë në fuqi. Kështu që aprovimi apo mosaprovimi i këtij ligji nuk do të varet nga vullneti i Ivanovit, por nga vullneti i shumicës parlamentare”, thotë Ziberi për Portalb.mk.

Debati kuvendor për propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve ka arritur në lexim të dytë në seancë plenare dhe pas diskutimeve eventuale për të njëjtin, do të vendoset në votim përpara deputetëve. Që i njëjti të miratohet është e nevojshme shumicë e thjeshtë, gjegjësisht në seancën plenare duhet që të votojnë 61 deputetë nga 120.

Duke e pasur parasysh që ende nuk është i definuar qëndrimi i deputetëve të opozitës maqedonase – VMRO-DPME, nëse do të kthehen në Kuvend ose do të vazhdojnë me protestën e tyre me mospjesëmarrje në punën e Kuvendit për shkak të arrestimit të dhunuesve të 27 prillit, ka gjasa reale që ligji për përdorimin e gjuhëve të votohet në procedurë të shpejtë.

Ndryshe, presidenti Ivanov vazhdimisht e ka përsëritur qëndrimin e tij se ligji për përdorimin e gjuhëve është jo-kushtetues dhe e cenon unitaritetin e shtetit, ndërkaq në fjalimin tradicional për fundvit, ai të njëjtin e quajti edhe represiv.
“Për shkak të pikëve politike afatshkurte po vihen në pikëpyetje interesat e përhershme të Maqedonisë dhe popullit maqedonas. Kërkesa për dygjuhësi është e rregulluar me amendamentin 5 nga Kushtetuta, e cila doli nga Marrëveshja e Ohrit, ku rregullohet çështja për gjuhën zyrtare në Maqedoni. Ligji është represiv, ata që pohojnë se ky ligj është në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet do t’i pyes me cilën kushtetutë dhe cilat ligje? Pas konsultimeve me ekspertë mund të pohoj se ky ligj për gjuhët nuk është kërcënim për gjuhën maqedonase por për unitaritetin e shtetit”, theksoi Ivanov.

Ndryshe, ligji për përdorimin e gjuhëve përkrahet nga të gjitha partitë politike në vend, në përjashtim të VMRO-DPMNE-së, të cilët gjatë leximit të parë bllokonin procedurën me replika dhe kundër-replika të pafundta.

Ligji për përdorimin e gjuhëve është me rëndësi të madhe, duke e pasur parasysh se shumë institucione me peshë “serioze”, vite me radhë kanë bërë skandale nga më të ndryshmet duke mos i përfillur rregullat gramatikore dhe drejtshkrimore. Për këtë vazhdimisht ka pasur shumë reagime, shkrime fotografi të shpërndara nëpër rrjetet sociale me qëllim të ngritjes së zërit për mosrespektimin e gjuhës shqipe, ndërkaq së fundmi ajo që bëri bujë ishte urimi i Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, të cilët në vend që të na thonin “Urime Festat” na thanë “Përshëndetje Stinët”. Përskaj kësaj, këto ditë është duke u shpërndarë edhe një fotografi tjetër, e cila është anonime, në të cilën mund të shihet se si urimi për Vitin e Ri është në kuptim shqip, por në font cirilik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP