Maqedoni, ja detajet çfarë përmban ligji për gjuhët (gjuhën shqipe)

Me ligjin parashikohet në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë të cilët ushtrojnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe shkrimi i saj (gjuha shqipe).

Ai duhet t’u mundësojë qytetarëve shfrytëzim, përdorim dhe zbatim të gjuhëve zyrtare dhe shkrimin e tyre në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, procedurat parahetimore dhe hetimore, procedurat penale dhe kundërvajtëse, procedurat kontestuese dhe jokontestuese, procedurën për përmbarimin e sanksioneve, si dhe procedurat e tjera të parapara me ligje të tjera, gjykatat, prokuroritë publike, si dhe të gjitha organet e tjera, trupat dhe institucionet e tjera.

“Në institucionet nga neni 1 paragrafi (3) nga ky ligj në pushtetin shtetëror në Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare krahas asaj maqedonase dhe shkrimit të saj është edhe gjuha të cilën e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe shkrimi i saj në: komunikim, përdorim dhe zbatim në të gjitha procedurat e qytetarëve para gjitha organeve të cilat e përbëjnë pushtetin shtetëror (Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, gjyqësia, prokuroria publike), Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë, Avokati i Popullit i Republikës së Maqedonisë, në procesin zgjedhor, arsim, shkencë, shëndetësi, kulturë, gjatë zbatimit të autorizimeve policore, në veprimtarinë radiodifuzive, noteri, ekzekutiv, objektet infrastrukturore, evidencën amë, dokumentet personale, financa, ekonomi si dhe në sferat e tjera“, thuhet në sqarimin e këtij ligji.

Ligji e rregullon edhe shfrytëzimin e gjuhës nga ana e funksionarëve të zgjedhur ose emëruar nëse janë në institucione selia e të cilëve është në Shkup apo komuna në të cilat të paktën 20 për qind nga qytetarët flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase. Atëherë ata në komunikimin e tyre zyrtar në alfabetin cirilik, duhet të kyçin dhe gjuhën që e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët dhe alfabetin e saj,nëse të paktën një prej tyre flet gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase.

Me ligjin rregullohet edhe materia për përdorimin e gjuhëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Deputeti, funksionari i zgjedhur apo i emëruar i cili flet gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, ndrësa të cilën e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët në Republikën e Maqedonisë në seancën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe seancat e trupave të punës mund të flasë edhe në gjuhën që e flasin të paktën 20 për qind. Deputeti i cili flet gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, ndërsa të cilën e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët në Republikën e Maqedonisë kur udhëheq me seancën e kuvendit apo seancat e trupave të punës, në pajtim me ligjin do të mund t’i udhëheqë në atë gjuhë.

Edhe seancat e Qeverisë, të komisioneve, si dhe kolegjiumet e përgjithshme, nëse me ato udhëheq funksionari i zgjedhur apo emëruar i cili flet gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase ndërsa të cilën gjuhë e flasin të paktën 20 për qind e qytetarëve, do të mund t’i udhëheqë në atë gjuhë dhe në atë shkrim.

Stenogramet nga seancat e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe seancat e trupave punues, si dhe nga materialet e tjera dhe dokumentet jepen dhe ruhen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e tij dhe gjuhën të cilën e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe shkrimin e tij.

Institucionet janë të obliguara sipas detyrës zyrtare të sigurojnë shfrytëzim, komunikimin dhe procedurat të zhvillohen në gjuhën të cilën e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët në Republikën e Maqedonisë dhe shkrimi i tij nëse personi, gjegjësisht pjesëmarrësi flet gjuhë të cilën e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët në Republikën e Maqedonisë.

Të gjitha vendimet dhe aktet, si dhe legjitimet të cilat dalin nga kompetenca e institucioneve të theksuara të përfshira me ligjin janë në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e tij cirilik dhe gjuhën të cilën e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe shkrimin i tij nëse personi, gjegjësisht pjesëmarrësi flet gjuhë të cilën e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët në Republikën e Maqedonisë.

Gjithashtu, ueb faqet e institucioneve dhe përmbajtja e ueb faqes krahas në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e tij detyrimisht do të publikohen edhe në gjuhën e ndryshme nga gjuha maqedonase të cilën e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët në Republikën e Maqedonisë dhe shkrimin e tij.

Emërtimet e institucioneve si dhe të gjitha institucionet e tjera dhe njësitet e tyre rajonale në njësinë e vetëqeverisjes lokale në të cilat të paktën 20 për qind nga qytetarët flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase edhe në Shkup, do të shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e tij cirilik dhe në gjuhën shqipe. Emërtimet do të jenë me madhësi dhe font të njëjtë, ku emërtimi në gjuhën maqedonase dhe shkrimi në këtë gjuhë do të shkruhet i pari.

Kartëmonedhat dhe monedhat, si dhe pullat postare, në pajtim me ligjin, do të përmbajnë simbole që paraqesin trashëgimi kulturore të qytetarëve që e flasin gjuhën maqedonase dhe shkrimin e tij cirilik dhe në gjuhën shqipe. E njëjta vlen edhe për pullat postare, fletëpagesat, raportet fiskale të lëshuara nga institucionet, faturat, banderolat.

Në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, procedura për përmbarimin e sanksioneve, procedurat hetimore dhe parahetimore, procedurat penale dhe kundërvajtëse, procedurat kontestuese dhe jokontestuese, si dhe në procedurat e tjera para gjykatave, prokuroritë publike si dhe në të gjitha organet e tjera dhe institucionet, zbatohen gjuha maqedonase dhe gjuha shqipe. Në procedurat para noterit, dokumentet e noterisë dhe vulat do të jepen në gjuhën maqedonase dhe shqipe.

Uniformat e policisë, zjarrfikësve dhe shëndetësisë në Shkup dhe komunat ku jetojnë 20 për qind shqiptarë, gjithashtu do të jenë dygjuhësore.

Dispozitat ligjore parashikojnë për qytetarët të cilët flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase që e flasin më pak se 20 për qind nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë, formulari i letërnjoftimit të shtypet edhe në gjuhën dhe shkrimin që përdor qytetari.

Qytetarët të cilët flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase që e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë, në kërkesën e tyre, të dhënat për emrin personal e vendosin në letërnjoftim  dhe në pasaportë shkruhen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e tij cirilik dhe shkrimin që e përdor qytetari.

Seancat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe Komisionet Komunale Zgjedhore në Shkup dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilat të paktën 20 për qind nga qytetarët flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, gjatë zbatimit të zgjedhjeve në punën dhe në procedurat e të gjitha komisioneve dhe trupave të tjerë dhe institucioneve në mënyrë të barabartë shfrytëzohen, përdoren dhe zbatohen gjuha maqedonase dhe shkrimi i tij cirilik dhe gjuha që e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët  dhe shkrimi i tij.

Emrat e rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale ku të paktën 20 për qind nga qytetarët e flasin gjuhën të ndryshme nga gjuha maqedonase, si dhe në Shkup shkruhen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e tij cirilik, si dhe në gjuhën që e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët dhe shkrimi i tij si dhe gjuhët që janë në përgjithësi të pranuara nga bashkësia ndërkombëtare.

Në vendkalimet kufitare të Republikës së Maqedonisë dhe aeroportet të cilët gjenden në rajonin ku të paktën 20 për qind nga qytetarët flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase emrat e institucioneve, shkrimet e tjera dhe udhërrëfyesit shkruhen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e tij cirilik si dhe në gjuhën që e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët dhe shkrimin e tyre.

Siç thuhet në sqarimin e ligjit, për zbatimin dhe realizimin e tij themelohet “Agjencia për zbatimin e gjuhës” kompetente për standardizimin dhe shfrytëzim të barabartë të gjuhës që e flasin të paktën 20 për qind nga qytetarët me ndihmën e trupave ndihmës për mbështetjen e institucioneve.
Përveç kësaj, parashikohet edhe formim i Inspektoratit për shfrytëzimin e gjuhëve në përbërjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Në propozim ligjin, i cili është me flamur evropian, është paraparë gjobë në vlerë prej 4.000 deri 5.000 euro për organin si dhe të gjitha institucionet e tjera për mosrespektim të dispozitave nga ky ligj.
Gjobë në vlerë prej 30 për qind nga gjoba e vlerësuar do t’i shqiptohet edhe personit zyrtar dhe personit përgjegjës për mosrespektim të Ligjit.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani më 30 gusht deklaroi se pret që Ligji për shfrytëzimin e gjuhëve të gjendet para deputetëve më 13 shtator dhe të marrë mbështetje prej të gjitha partive politike.

“Informacionet tona janë se do të vendoset në rend dite diku më 13 shtator dhe presim shpejt të miratohet sepse ligji është me flamur evropian. Këtu procedurat janë të përcaktuara. Presim dhe bëjmë thirrje të gjitha partitë politike të votojnë pozitivisht për këtë ligj sepse vlerësojmë se kështu në mënyrën më të mirë do të bëjmë avancim të madh në pjesën e Marrëveshjes Kornizë e cila është miratuar dhe nënshkruar nga të gjitha partitë politike megjithatë edhe do të tregojmë vullnet për bashkëjetesë dhe pranimin e dallimeve”, deklaroi zëvendëskryeministri Bujar Osmani, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button