U harrua skandali me Johan Tarçullovskin, Saliji dhe Qeveria edhe më tej pa detaje

Skandali me ish-dënuarin e Tribunalit të Hagës, Johan Tarçullovski edhe pse ka dy muaj që doli në publik, deri më sot nuk ka ndonjë informatë shtesë në lidhje me atë që u paralajmërua nga Qeveria e Maqedonisë “se kanë nisur procedurë për zbardhjen dhe gjetjen e arsyes së dhënies së 5000 eurove në vitin 2011″. Kështu kuptohet nga deklarata e ministrit të Drejtësisë, Bilen Saliji dhe nga zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski, duke u përgjigjur në pyetjen e Portalb.mk se “deri ku ka arritur procedura e zbardhjes së skandalit me Johan Tarçullovskin”.

Ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji në takim me gazetarët sot tha se nuk ka informata se është hapur ndonjë procedurë për zbardhjen e plotë të skandalit.

“Nuk kam informata se është nisur ndonjë procedurë për zbardhjen e plotë të rastit në fjalë. Është mirë që këtë çështje ta drejtoni te Qeveria e Maqedonisë”, tha Saliji.

Nga Qeveria e Maqedonisë thanë se janë duke u mbledhur të dhëna.

“Ende po mblidhen të dhëna”, thanë nga Qeveria e Maqedonisë.

Pëndryshe, më 18 tetor mediat publikuan dokumentin që tregoi se gjatë vitit 2011, me vendim të Qeverisë së Maqedonisë, nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë janë ndarë nga 5000 euro në muaj për ish të dënuarin e Tribunalit të Hagës, Johan Tarçullovski, apo në total 60 mijë euro në vit. Skandali shkoi duke u thelluar, pasi që bashkëshortja e Tarçullovskit, Sonja Tarçullovska përmes një letre të hapur e ka pranuar se qeveria VMRO-BDI i ka dhënë nga 5.000 euro në muaj dhe se këto para janë marrë për 8 vjet radhazi.

Në lidhje me këtë rast, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski e konfirmoi autenticitetin e këtij dokumenti duke thënë se po punohet për zbardhjen e plotë të rastit.

Ndryshe, Johan Tarçullovski, kandidati për kryetar komune në Kisella Vodë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, ishte i dënuar për krime lufte, në prill të 2014-s u lirua nga burgu në Gjermani, pasi ka përfunduar 2/3 e burgut që ka qenë kusht për lirimin e tij të parakohshëm ndërsa ka vuajtur dënimin për masakrën e Lubotenit në vitin 2001 ku ishin vrarë shtatë civilë shqiptarë. Ai u burgos më 15 mars të vitit 2005 dhe nga 12 vitet burg të caktuara nga Gjykata e Hagës ai vuajti 8 vite.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP