Heqja e imunitetit e të arrestuarve, sot deklarohet Kuvendi i Maqedonisë

Komisioni për Çështje të Rregullores së Imunitetit dhe Mandatit në Kuvendin e Maqedonisë, pas kërkesës së djeshme të Gjykatës Penale për shqyrtim të imunitetit të deputetëve të arrestuar dje për terrorin e 27-prillit, sot duhet të deklarohet për të njëjtën dhe më pas të sjellë vendim. Sipas Rregullores së Kuvendit, vendimi për marrjen e imunitetit mund të zgjasë më së shumti pesë ditë, njofton Portalb.mk.

LEXO: Terrori i 27-prillit në Kuvendin e Maqedonisë

Prokuroria Themelore Publike njoftoi se të arrestuarit akuzohen nën veprën penale që përfshihet në Nenin 313 të Kodit Penal. Sipas veprës penale, “kërcënim terrorist të rendit dhe sigurisë kushtetuese”, nëse të arrestuarit shpallen fajtorë do të dënohen me më së paku një dekadë burg.

“Ai i cili me qëllim ka kërcënuar rendin dhe sigurinë kushtetuese të Republikës së Maqedonisë do të nxisë ose seriozisht do të kërcënojnë me nisje të eksplozivit, zjarrit, përmbytjeve dhe veprave tjera të rrezikshme ose akt të dhunës, duke shkaktuar ndjenja të pasigurisë ose frikë të qytetarët, do të dënohet me burg në kohëzgjatje prej 10 vjet”, thuhet në Nenin 313 të Kodit Penal të Maqedonisë.

Nga ana tjetër, Neni 64 i Kushtetutës së Maqedonisë thotë se “deputeti nuk mund të thirret në përgjegjësi penale ose të paraburgoset apo arrestohet pa miratim të Kuvendit, vetëm nëse nuk është përfshirë në vepër penale për të cilën parashtrohet dënim më së paku se pesë vjet”.

Kjo është e dhënë se deputetët e arrestuar, nëse të njëjtën paraburgosen, nuk do të arrijë t’i mbrojë as imuniteti.

Dje u publikuan lajmet se arrestimi i deputetëve është bërë pa kërkesë për marrjen e mandatit, megjithatë, ekspertët vlerësojnë se kërkesa për marrjen e imunitetit bëhet në rast se gjykatësi i procedurës paraprake vendos që të paraburgos një deputet. Kërkesa që dje u dorëzua në Kuvend nuk u shqyrtua pasi që pritej që kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi të kthehet prej Suedisë.

Sipas rregullores së Kuvendit, Xhaferi duhet t’i përcjellë kërkesat deri te kryetari i Komisionit për Çështje të Rregullores së Mandatit dhe Imunitetit, Pavle Bogoevski, i cili duhet të caktojë seancë në të cilën duhet të vendosë për to. Bogoevski dje paralajmëroi se seancë do të caktojë menjëherë sapo ta marrë njoftimin nga kryetari i Parlamentit.

“Nëse gjykata do të parashtronte kërkesë për marrje të imunitetit, Komisioni është i obliguar që në afat prej dy ditësh për të njëjtën të thirr seancë në të cilën do të vendoset për këtë”, tha Bogoevski.

Pas kërkesës së vazhdueshme të protestuesve kundër arrestimeve të djeshme, që të deklarohet kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ky i fundit doli në konferencë në mbrëmje duke thënë se “përgjegjësi për dhunën e 27-prillit në Kuvend duhet të ketë, por institucionet të respektojnë ligjet dhe duhet të respektohen të drejtat e njeriut”.

Ai tha se “mbështeti dhe mbështet iniciativën “Për një Maqedoni të përbashkët” e cila për më shumë se dy muaj shprehu shqetësim për interesat kombëtare”.

Ivanov theksoi se qytetarët nuk janë dhe nuk mund të trajtohen si një organizatë terroriste dhe shprehën shqetësim për hakmarrjen politike që nxiti frikën dhe destabilizimin politik.

Vonë në mbrëmje Gjykata Penale bëri me dije se ka caktuar paraburgim 30-ditor për ish drejtorin e Byrosë për Siguri, Mitko Çavkov, Igor Durlovskin, Munir Pepiq, Oliver Radulov si dhe një personi tjetër me iniciale O.P.

Në paraburgim shtëpiak janë lëshuar dy persona E. B dhe S.M. Ndërsa për të tjerët Gjykata do të lajmërojë nesër.

LEXO: Përfundoi marrja në pyetje në Gjykatën Penale, për një pjesë të të arrestuarve caktohen paraburgime

Përndryshe, dje në mëngjes MPB ka arrestuar ish ministrin e Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, si dhe aktori Vllado Jovanovski, Goran Angellov – Qoseto nga Velesi, deputetja Zhaklina Stefanovska, deputeti Kërsto Mukoski, ish drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor Sashe Stefanovski, deputeti Luben Arnaudov nga Ohri, ish drejtori i Operas dhe Baletit, Igor Durullovski dhe të tjerë, ndërjaq jo-zyrtarisht po kërkohen për t’u arrestuar udhëheqësi i protestave Bogdan Ilievski dhe deputetët, Johan Tarçullovski dhe Sashe Vasilevski.

Prokuroria Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit informoi se është hapur procedurë hetuese kundër 36 personave të involvuar në ngjarjet e përgjakshme nga hyrja e dhunshme në Dhomën Ligjdhënëse.

“Pas shqyrtimit dhe analizës së materialit të grumbulluar dëshmues, PTHP për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit solli urdhër për zbatimin e procedurës hetuese kundër 36 personave për shkak të dyshimit kryesor për vepër të kryer penale Rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë nga neni 313 i Kodit Penal”, thekson PTHP.

Ndryshe, më 27 prill të 2017 në Kuvendin e Maqedonisë protestuesit e “Maqedoni të Përbashkët” pas shpalljes së kryeparlamentarit të ri të Maqedonisë, Talat Xhaferi hyrën në shtëpinë legjislative duke demoluar dhe terrorizuar gjithçka para vetes. Në këtë sulm ndaj Kuvendit u sulmuan edhe deputetë e gazetarë të shumtë.

LEXO MË SHUMË:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button