Lokalet 2017, matematikat në komunat e Pollogut

Për fitore duhen mbi 50% të votave

Komunat shqiptare. Nga nëntë komunat e fushës së Pollogut, shtatë janë komuna me shumicë shqiptare. Këtu janë dy qytetet e mëdha të Tetovës e Gostivarit dhe pesë komuna të mëdha rurale: Zhelina, Tearca, Bogovina, Bërvenica dhe Vrapçishti. Pollogu si rajon nuk është bastion i asnjë partie; këtu në zgjedhjet e fundit vota kanë fituar të gjitha partitë. Megjithatë ekziston një prerje e lehtë diku mes Vrapçishtit dhe Bogovinës: Aleanca ka më tepër mbështetje në Gostivar e Vrapçisht, Besa dhe PDSH në komunat tjera, ndërsa BDI është shpërndarë gjithkund.

Me këto premisa do të japim pasqyrë të garës zgjedhore njëlloj si në kolumnat paraprake për aksin Strugë-Dibër-Kërçovë dhe rajonin Shkup-Kumanovë. Janë dhënë rezultatet e tre cikleve të fundit zgjedhore, ndërsa për lokalet 2013 është dhënë numri i votave të fituara për lista këshilltarësh.

Zhelina. Kryetari i deritanishëm Fatmir Izairi në vitin 2013 mposhti për pak Latif Arifin e PDSH-së; më tepër si pasojë e moskoordinimit opozitar të atëhershëm PDSH-RDK se me merita të veta. BDI u rikthye fuqishëm në 2014, për t’u mposhtur më pas thellë nga Besa në vitin 2016. Brenda natës bastioni i BDI u shndërrua në njërin nga bastionet më të fuqishme të Besës.

ZHELINË 2013 2014 2016
VMRO 0% 0% 0%
LSDM 0% 0% 4%
BDI 53% 64% 34%
PDSH 38% 33% 11%
Aleanca 7%
Besa 42%
Tjerë 9% 3% 2%
Total 100% 100% 100%

Fakti që Fatmir Izairi mund të ishte mposhtur që në 2013 me një koordinim më të mirë PDSH-RDK tregon se sa i cenueshëm është pozicioni i tij sot kur rikandidon me siglën e BDI. Favorit në këtë komunë gjithsesi është Blerim Sejdiu i Besës, i cili me pak fat mund të fitojë që në rundin e parë. Nëse gara bartet në rundin e dytë pritet që dy partitë tjera t’a mbështesin atë kundër BDI-së, për të mos përsëritur gabimet e vitit 2013. Dhe këtu nuk do të ndihmojë as kontigjenti i vogël i votave të LSDM. Pra favorite për fitore mbetet Besa, qoftë në rundin e parë ose të dytin.

Tearca. Në Tearcë në vitin 2013 BDI i pati punët edhe më keq se në Zhelinë. Aty kandidati i atëhershëm dhe i tashëm i PDSH Ruhan Iljazi mposhti në rundin e parë kryetarin aktual dhe kandidat të BDI, Isen Asani. Por në rundin e dytë ai ra pre e moskoordinimit me RDK, si dhe të një kontigjenti jo të vogël votash maqedonase e turke. BDI u rikthye në 2014, për të humbur një numër të madh votash në vitin 2016.

TEARCË 2013 2014 2016
VMRO 8% 10% 11%
LSDM 6% 4% 12%
BDI 33% 46% 29%
PDSH 33% 35% 16%
Aleanca 7%
Besa 25%
Tjere 20% 5% 0%
Total 100% 100% 100%

Përsëri fakti që Isen Asani ishte mposhtur që në 2013 tregon se sa i lëndueshëm është ai sot. Edhe këtu kundërkandidat më serioz për fitore është Amir Elezi i Besës, ndoshta edhe Nevzat Velii i Aleancës. Ndërsa Ruhan Ilazi i PDSH do t’a ketë vështirë të përsërisë rezultatin e 2013, kryesisht sepse garon me një parti në rrënie.

Pra gara në Tearcë gjithsesi do të bartet në rundin e dytë, ku me siguri do të hyjë Amir Elezi i Besës. Për kundërkandidat me gjasa më të mëdha mund t’a ketë BDI-në, por këtu befasi mund të bëjë edhe Aleanca. Nëse në rrethin e dytë ndeshen Besa-BDI atëherë pritet që fitore të korrë Besa; nëse ndeshen Besa-Aleanca gara do të jetë shumë më e hapur.

Bogovina. BDI korri një tjetër fitore të ngushtë me rreth 1.000 vota ndaj PDSH-së në vitin 2013; përsëri ndoshta për shkak të moskoordinimit PDSH-RDK. Edhe në Bogovinë më pas vazhdoi rrëfimi i njëjtë si në komunat tjera: ringritje e BDI në 2014 dhe dështim në 2016. BDI vërtetë doli e para, por me vetëm 400 vota epërsi ndaj Besës dhe me vetëm 32% të votave totale të komunës.

BOGOVINË 2013 2014 2016
VMRO 0% 1% 0%
LSDM 0% 0% 9%
BDI 47% 57% 32%
PDSH 42% 37% 16%
Aleanca 13%
Besa 29%
Tjerë 11% 5% 1%
Total 100% 100% 100%

Edhe në Bogovinë pritet që gara të zgjidhet në rundin e dytë. Këtu është më se e sigurtë se në rrethin e dytë do të hyjë lëvizja Besa me kandidatin tejet të popullarizuar Minur Asani. Gjasa tejet të mira ka edhe Aleanca, e cila me profesionistin e dëshmuar Albon Xhemaili me gjasë ka mbledhur ish-votat e PDSH e ndoshta edhe nga shqiptarët që votuan LSDM në Pirok, Kamjan e Bogovinë. Nga ana tjetër BDI hyn në garë tejet e lënduar dhe ç‘orientuar pas vrasjes së kryetarit të komunës Hazbi Idrizi disa muaj më parë. Me gjasë ajo pret ndihmë nga LSDM e cila mund t’i servojë votat e fshatrave torbeshe Urviç e Jellovjan, por nuk mund të jetë shumë e sigurtë në cilin drejtim do të shkojnë vërtetë ata. Prognoza ime është e ngjashme me Tearcën: nëse në rrethin e dytë ndeshen Besa-BDI atëherë fituese do të dalë Besa, në rast se ndeshen Besa-Aleanca gara do të jetë shumë më e barabartë.

Bërvenica. Kjo komunë është një fushëbetejë tjetër ku në rrethin e dytë votuesit rreshtohen në baza etnike pas kandidatit shqiptar dhe maqedonas. Në të kaluarën atë e ka fituar rregullisht Enver Pajaziti nga BDI, por me margjina të ngushta. Vendi nuk është se ka qenë bastion i BDI si komunat tjera rurale; aty diferenca me PDSH ka qenë e ngushtë edhe në 2014. Ndërsa në vitin 2016 BDI u mposht dukshëm nga Besa, e nuk i mbetën larg as Aleanca e PDSH. Në kampin maqedonas Bërvenica është bastion i VMRO, sepse LSDM-së nuk i mjaftuan as votat shqiptare që i mori kahmos në këtë komunë në 2016.

BËRVENICË 2013 2014 2016
VMRO 31% 33% 32%
LSDM 13% 16% 21%
BDI 24% 24% 11%
PDSH 21% 22% 10%
Aleanca 8%
Besa 16%
Tjerë 11% 5% 2%
Total 100% 100% 100%

Ndryshe nga vendet tjera, në këtë komunë ka vetëm dy kandidatë shqiptarë. Enver Pajaziti tani kandidon si i pavarur, por me mbështetje të BDI dhe PDSH. Besa kandidon me Selatin Jusufin, ndërsa Aleanca tërhoqi kandidatin në minutën e fundit për t’iu dhënë shans kandidatëve tjerë shqiptarë. Megjithëse nuk udhëzoi anëtarësinë se kënd të mbështesin, është e logjikshme që ata të jenë më të prirur për Selatin Jusufin. Prirje të ngjashme mund të kenë edhe votuesit shqiptarë të LSDM. Me këtë Jusufi bëhet favorit për të kaluar në rundin e dytë, ku pritet të ndeshet me VMRO-në.

Gjithsesi në Bërvenicë më interesant është rundi i dytë. Për shqiptarët është shqetësues fakti që rradhën e kaluar BDI fitoi me vetëm 400 diferencë ndaj kandidatit maqedonas. Kjo do të thotë se për fitore nevojitet mobilizim i përgjithshëm, gjë që lehtë mund të bie pre e inateve personale e partiake. Bërvenica është komuna më e rrezikuar për të kaluar nga kryetar shqiptar në maqedonas.

Vrapçishti. Vrapçishti ishte një tjetër komunë ku BDI fitoi ngushtë ndaj PDSH në vitin 2013, me vetëm 400 vota dallim në rrethin e dytë. Pastaj vazhdon avazi i vjetër: BDI ringritet në 2014 dhe bie më poshtë në 2016. Por ndryshe nga komunat e lartëpërmendura këtu konkurente kishte dhe ka Aleancën.

VRAPÇISHT 2013 2014 2016
VMRO 4% 13% 14%
LSDM 2% 3% 12%
BDI 34% 45% 32%
PDSH 29% 30% 6%
Aleanca 22%
Besa 13%
Tjerë 31% 9% 1%
Total 100% 100% 100%

BDI tani ka ndërruar kandidatin, ndërsa Aleanca konkuron me Isen Shabanin; po të njëjtin që dështoi për 400 vota në 2013. Këta dy kandidatë janë favoritë për fitore, por për këtë do të duhet të presin rundin e dytë pasi një sasi votash të majme këtu ka edhe Besa, ndërsa LSDM dhe PDSH poashtu garojnë me kandidatë të tyre. Në rundin e dytë pritet mobilizim i Besës në mbështetje të Aleancës, gjë që mund të tejkalojë edhe mbështetjen eventuale që BDI mund t’a merr nga turqit e LSDM dhe VMRO. Pra favorit kryesor për fitore këtu është Isen Shabani i Aleancës në rrethin e dytë.

Gostivari. Në 2013 në Gostivar ndodhi avazi i njëjtë si në vendet tjera, pra ai i fitoreve të ngushta. Në rundin e parë Rufi Osmani i RDK mposhti Nevzat Bejtën e BDI, por në rundin e dytë Bejta u rikthye, pjesërisht me ndihmën e maqedonasve dhe pjesërisht nga mosbashkëpunimi PDSH-RDK. Në 2014 BDI u rikthye fuqishëm, por ra në zgjedhjet e vitit 2016. Menjëherë afër saj ishte Aleanca, ndërsa Besa dhe PDSH ishin dukshëm më të dobëta. VMRO ka mbështetje konstante, ndërsa LSDM u ngrit në saje të shqiptarëve në vende si Çegran, Forinë e Debresh dhe në vetë qytetin e Gostivarit. Në total llogaritet se LSDM ka fituar 3.000-3.500 vota shqiptare në vitin 2016.

GOSTIVAR 2013 2014 2016
VMRO 15% 22% 22%
LSDM 9% 10% 23%
BDI 30% 35% 23%
PDSH 8% 13% 7%
Aleanca 17%
Besa 6%
Tjerë 38% 20% 2%
Total 100% 100% 100%

Nga shtatë kandidatët, sa garojnë në Gostivar, vëmendja është përqëndruar te Arben Taravari, Asaf Ademi dhe Nevzat Bejta. Por megjithëse duket tejet kompetent dhe ka bërë kampanjë tejet pozitive, do të ishte vërtetë befasi nëse Ademi futet në rrethin e dytë. Ai vërtetë pritet të përmirësojë dukshëm rezultatin e Besës, por është vështirë që nga vendi i gjashtë Besa të ngjitet ndër dy vendet e para. Kështu gara kryesore pritet të zhvillohet mes Nevzat Bejtës dhe Arben Taravari.

Me gjasë rundi i parë do të mbarojë thuajse me barazim apo edhe me një epërsi të lehtë të Bejtës, më shumë për shkak të mbështetjes së pritur të LSDM për të. Por në rundin e dytë situata sigurisht do të kthehet kokëposhtë.

Fillimisht Taravari mund të llogarisë tek votuesit e Besës dhe votuesit tjerë shqiptarë anti-BDI që do t’a sjellin afër 15.000 votave. Ndërkaq fillmisht Bejta realisht do të sillet rreth 13.000 votave. Përtej këtij skenari vijojnë pastaj kalkulimet me votat e turqve dhe VMRO-së. Nëse Taravari mobilizon turqit Bejtën nuk do të mund t’a shpëtojë as VMRO-ja; nëse Taravari fiton turqit 2:1, atëherë Bejtës do t’i duhen mbi 80% e votave të VMRO. Nëse LSDM nuk rreshtohet një për një pas Bejtës, atëherë ai i ka punët edhe më keq.

Të gjithë skenaret pra flasin për avantazh të dukshëm të Taravarit në rrethin e dytë. I vetmi variant ku ai mund të humbë është mobilizimi i përgjithshëm i maqedonasve pro-Bejtës, ose abstenimi i partive tjera shqiptare në rrethin e dytë.

Tetova

Tetova është komuna e vetme në Maqedoni ku asnjë parti nuk ka fituar dy herë me rradhë. Ndoshta edhe për këtë shkak Teuta Arifi në vitin 2013 mposhti PDSH-në shumë më lehtë se kandidatët tjerë të BDI nëpër Pollog. BDI dhe PDSH pastaj ruajtën një konstantë në 2014, ndërsa në vitin 2016 pati rrënie të BDI dhe PDSH, rezultat tejet të favorshëm të Besës dhe më të dobët të Aleancës. VMRO ruan një konstantë, ndërsa LSDM u ngrit falë votave shqiptare që këtu ishin rreth 2.500-3.000, kryesisht në Reçicë të vogël dhe brenda qytetit. Tetova pra është një reflektim i Gostivarit, me permutacion të vendeve mes Besës dhe Aleancës.

TETOVË 2013 2014 2016
VMRO 16% 18% 17%
LSDM 8% 8% 16%
BDI 36% 38% 23%
PDSH 29% 31% 16%
Aleanca 8%
Besa 18%
Tjerë 11% 5% 2%

Partitë në Tetovë garojnë me artileri të rëndë: Besa me kryetarin, BDI dhe PDSH me nënkryetarët. Për të ardhur te favoritët duhet shkuar me procesin e eliminimit. Bardhyl Dauti i PDSH për shembull duket si kuadër tejet i fortë, i përgatitur dhe profesionist, kandidat i shkëlqyer, por që garon me siglën e një partie në rrënie. Nga ana tjetër Adnan Neziri i Aleancës ka fituar simpati të jashtëzakonshme si njeri punëtor, modest, i ndershëm, me një fushatë me këmbët në tokë dhe kandidat i një partie në ngritje. Mirëpo ai gjendet në pozitë të njëjtë si Asaf Ademi në Gostivar: do të rrisë dukshëm votat e partisë së tij, por pa arritur t’a ngjesë atë nga vendi i gjashtë ndër dy vendet e para. Ai mund të befasojë vetëm në rast se merr shumë vota nga shqiptarët që kanë votuar LSDM-në dhe një pjese të votuesve të saj maqedonas, por duke patur parasysh lobimin e hapur të LSDM për Teuta Arifin kjo nuk duket shumë e mundshme.

Kështu pretendentë kryesorë mbeten Teuta Arifi e BDI dhe Bilall Kasami i Besës. Për shkak të mbështetjes nga LSDM pritet që Arifi të dalë 2-3 mijë vota përpara në rrethin e parë, por gjithçka pritet të përmbyset në rundin e dytë. Problemi i Arifit është se ajo do t’a ketë të vështirë të gjejë vota të reja në rrethin e dytë, gjegjësisht do t’a ketë patjetër të kërkojë ndihmë nga Aleanca, PDSH ose VMRO. Por edhe nëse ajo arrin të marrë 30% të votave të PDSH e Aleancës, Bilall Kasamit i mjaftojnë 70% tjerat për të dalur përpara. Ndërsa nëse Kasami merr të gjitha votat e Aleancës dhe PDSH në rrethin e dytë, Arifin nuk mund t’a shpëtojë më as VMRO-ja. Çelësi i fitores në Tetovë pra mbesin mbështetja në rreth të dytë nga Aleanca dhe PDSH, ndërsa elementi më i panjohur gjithsesi mbetet VMRO. Këta faktorë e bëjnë jashtëzakonisht të rëndë prognozën, por në përgjithësi do të thosha se Kasami është në përparësi. Njëlloj si Taravari ai mund të mposhtet vetëm me mobilizim të VMRO dhe LSDM kundër tij ose me abstenimin e partive tjera shqiptare në rrethin e dytë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button