Lokalet 2017, pasqyra e aksit Strugë-Dibër-Kërçovë

Për fitore duhen mbi 50% të votave

Komunat shqiptare të zonës. Me përjashtim të një pjese të Dibrës dhe Kërçovës, komunat të cilat trajtohen në këtë pasqyrë janë pjesë e zonës së pestë zgjedhore, atë të Maqedonisë jugperëndimore. Tre prej tyre, Struga, Dibra dhe Kërçova janë komuna me shumicë shqiptare dhe me kryetarë komunash shqiptarë. E katërta, Dollneni, është komunë tejet e përzier ku partitë shqiptare në të kaluarën kanë fituar me kandidatë torbeshë, ndërsa komuna e Plasnicës është komunë me popullsi turke e torbeshe, ku rregullisht fiton kandidat që garon nën siglën e BDI-së.

Për të parë më mirë trendin e votave në pasqyrën më poshtë, si dhe në ata që do të pasojnë ditëve në vijim, si pikë referente japim tre palë zgjedhjet e fundit: 2013, 2014 dhe 2016. Për vitin 2013 japim votat e fituara për listat e këshilltarëve, sepse ato reflektojnë forcën e partive politike më mirë se votat për kryetar komune. Për shembull në zgjedhjet 2013 partitë tjera shqiptare nuk nxorrën kandidatë për kryetar të Kërçovës, por megjithatë fituan vota për lista këshilltarësh dhe kishin njëfarë mbështetje në atë komunë.

 

Plasnica. Katër vitet e fundit Plasnica ka qenë bastion i BDI-së. Në lokalet 2013 aty ka patur konkurente vetëm Partinë Demokratike Turke, ndërsa Ismail Jahoski i BDI tani ka konkurent vetëm Shpresim Ajroskin e LSDM-së.

PLASNICA 2013 2014 2016
VMRO 31% 16%
LSDM 5% 27%
PDSH 2% 1%
BDI 56% 62% 55%
Aleanca 1%
Besa 0%
Tjerë 44% 0% 0%

 

Siç shihet partitë tjera shqiptare nuk kanë qasje në këtë komunë të vogël pasi nuk kanë koalicione me strukturat turke e torbeshe të saj. Parti turke ka dërguar vota në konto të VMRO-së në 2014 dhe më pak në vitin 2016. LSDM është ringjallur në vitin 2016 dhe ndoshta kjo e ka shtyrë të konkurojë këtë vit. Sidoqoftë, duke patur parasysh trendet e kaluara, Ismail Jahoski mbetet favorit për të fituar pa problem që në rrethin e parë.

 

Dollneni. Komuna e Dollnenit është Maqedonia në miniaturë. Aty ka popullsi shqiptare, maqedone, torbeshe, madje edhe boshnjake. Megjithëse komunë e vogël, ajo vazhdimisht gjendet në qendër të vëmendjes si vend ku bëhen beteja etnike. Në realitet ajo më tepër i ngjan një arene ku testohen koalicione të ndryshme tejet fluide dhe të ndryshueshme. Dy mandate më rradhë atë e ka udhëhequr BDI me kryetar torbesh, ndërsa në mandatin e fundit fitore korri VMRO me ndihmë të pjesërishme nga PDSH.

DOLLNENI 2013 2014 2016
VMRO 26% 27% 25%
PDSH 16% 19% 11%
LSDM 14% 12% 30%
BDI 20% 34% 25%
Aleanca 1%
Besa 7%
Tjerë 24% 8% 1%

 

Votat në zgjedhje tregojnë fluiditetin unik të kësaj komune, të paparë diku tjetër. Ndër 24% “tjerët” që kanë fituar vota në 2013 është RDK-ja, por edhe partia PEI e Fiat Canoskit. VMRO dhe BDI në kontinuitet kanë trup fiks votuesish, ndërsa PDSH ka rrënë në favor të partive të reja shqiptare.

Elementi kyç i Dollnenit tani është LSDM-ja e cila ka rritje për 1.000 vota nga viti 2013. Por pjesa dërrmuese e kësaj rritje vjen nga katër fshatra: Debresh, Desovë, Llazhan dhe Zhitoshë. Këtu ajo ka marrur thuajse kryekëput votat që dikur i kishte PEI, që do të thotë se ka mobilizuar popullatën torbeshe. Një numër më të vogël votash ka marrur nga shqiptarët në Cërnilishtë, që këtë rradhë me siguri do të rikthehen tek partitë shqiptare.

LSDM është favoriti kryesor për të fituar këtë rradhë komunën ngase edhe ka konkuruar me kandidat torbesh. Madje në rrethin e dytë ka shumë mundësi që ajo të ndeshet me VMRO-në, që pritet t’i ruajë votat e saj tek maqedonasit ortodoksë. Ndonjëri kandidat shqiptarë eventualisht mund të ngritet mbi tjerët dhe të arrijë rrethin e dytë, por vërtetë është vështirë të shihet ndonjë rrugë se si ai mund të fitojë komunën pa mbështetjen e torbeshëve, që pritet të përkrahin LSDM-në. Favorit kryesor pra këtu mbetet LSDM-ja.

 

Kërçova. Beteja në Kërçovë përsëri përball vetëm dy kandidatë: Fatmir Deharin e BDI dhe Vlatko Sajkovskin e VMRO-së. Për këtë komunë besoj se nuk ka nevojë të flitet më shumë: ajo është bastion i BDI te shqiptarët dhe VMRO tek maqedonasit, megjithëse dominanca e tyre ka filluar të zbehet.

KERÇOVA 2013 2014 2016
VMRO 46% 36% 35%
LSDM 13% 22%
PDSH 1% 2% 1%
BDI 51% 43% 30%
Aleanca 6%
Besa 4%
Tjerë 2% 6% 2%

 

Në zgjedhjet e vitit 2013 VMRO dhe LSDM garuan bashkë e megjithatë pësuan humbje. Këtë rradhë përveç partive shqiptare Fatmir Dehari ka mbështetje edhe nga LSDM. Edhe sikur një pjesë e LSDM të “tradhëtojë” BDI-në, Deharit do t’i mjaftojnë vetëm rreth 20-30% e votuesve të LSDM për të mposhtur kundërkandidatin.

Kjo komunë është prognoza më e lehtë: fitore e Fatmir Deharit në rundin e parë.

 

Dibra. Dibra, një bastion tjetër i BDI-së, u shemb në vitin 2016. Së pari, partitë e reja Besa dhe Aleanca bashkërisht patën më tepër vota se BDI. E dyta, një numër i konsiderueshëm i votuesve të BDI, sidomos ata turkë e torbeshë kaluan tek LSDM, e cila në zgjedhjet e fundit doli fituese në këtë komunë.

DIBRA 2013 2014 2016
VMRO 12% 19% 17%
LSDM 9% 8% 26%
PDSH 14% 14% 4%
BDI 46% 52% 25%
Aleanca 15%
Besa 12%
Tjerë 19% 7% 1%

 

Mbase duke patur parasysh këtë fakt, BDI ka mbështetur të gjitha shpresat te LSDM-ja, e cila i ka bërë favor duke mos dalur me kandidat të vetin. Llogaritë e BDI janë që së bashku me LSDM-në të kalojë pragun e 50% qysh në rrethin e parë. Por kjo do të varet nga votuesit e LSDM-së të cilët mund të jenë të pakënaqur nga koalicioni me BDI dhe pjesërisht t’a bojkotojnë atë.

Nëse gara shkon në rrethin e dytë, BDI mund t’a gjejë veten në pozitë tejet të palakmueshme pasi partitë tjera shqiptare bashkërisht janë ku e ku më të fortë se ajo. Sipas të gjitha gjasave pritet që në rrethin e dytë ajo të ndeshet me Xhemail Çupin e lëvizjes Besa, rreth të cilit do të mobilizohen edhe Aleanca dhe PDSH. Nëse Çupi arrin të neutralizojë një pjesë të popullsisë torbeshe e turke dhe beteja bëhet mes partive shqiptare në njërën anë dhe BDI-së e LSDM-së në anën tjetër, atëherë fitues mund të dalë Çupi. Por çelës megjithatë do të mbeten votuesit e lartëpërmendur turkë e torbeshë; pse jo edhe VMRO, nëse interesohet për rrethin e dytë.

 

Struga. Komuna e Strugës është qendra shqiptare e kësaj zone, fushëbeteja kryesore e partive dhe kurora që pastaj dikton skenën politike të gjithë zonës. Ajo është ndër komunat e rralla ku BDI u mposht që në vitin 2013 dhe ku pasoi me rezultat të dobët në vitin 2016. Ajo gjithashtu është komunë si Kërçova, ku në rrethin e dytë ndodh mobilizim etnik. Tradicionalisht votuesit shqiptarë mbështesin kandidatin e mbetur shqiptar, duke bërë kështu Ramiz Merkon kryetar në 2005 dhe 2009 dhe Ziadin Selën në vitin 2013. Të dy paraqiten përsëri si pretendentë për të udhëhequr komunën në vitin 2017.

STRUGA 2013 2014 2016
VMRO 41% 29% 23%
LSDM 16% 27%
BDI 25% 29% 14%
PDSH 27% 7% 6%
Aleanca 18%
Besa 10%
Tjerë 7% 19% 2%

 

Sipas tabelës duket se trendi në Strugë shkon drejt rritjes së votës maqedonase nga 41% në 2013 (kur VMRO dhe LSDM garuan bashkë) deri 50% në vitin 2016, por kjo është vetëm një kurth optik. Kjo rritje nuk ka fundament, sepse është pasojë e rritjes së LSDM në tre fshatrat torbeshe Labunisht, Oktisi e Podgorcë dhe pjesërisht në qytetin e Strugës. Pikërisht kjo popullatë mban çelësin e fitores edhe në këto zgjedhje. Partitë në përgjithësi do të ruajnë bastionet tjera të tyre, por ai që do të dominojë në këto vende është favorit për të fituar Strugën.

Në pamje të parë duket se favoritë për të kaluar në rundin e dytë janë Ziadin Sela dhe Ramiz Merko, në ç‘rast mendoj se fitore do të korrë Sela. Por fakti që LSDM kandidon me maqedonas ortodoks, ndërsa VMRO me maqedonas musliman nga Labunishti tregon se LSDM nuk është edhe aq e interesuar për fitore sa VMRO-ja. Nëse kandidati Sejad Solakoski i VMRO-së arrin të mobilizojë tre fshatrat e lartëpërmendur ka shumë gjasa që ai të kalojë në rrethin e dytë me Selën. Në këtë rast Sela del fitues, me kusht që të mos bojkotohet nga Merko dhe BDI në rrethin e dytë.

Në Strugë gjithsesi nuk duhet nënçmuar as Lavdrim Elmazi i lëvizjes Besa, por megjithëse mendoj se Besa do të ketë rritje votash, nuk pritet se mund të dalë në vendin e parë. Qoftë me përballjen Sela-Merko apo Sela-Solakoski, favorit kryesor për të fituar Strugën mbetet Sela; gjithnjë me kusht që përveç Besës, atë karshi VMRO-së t’a mbështesin edhe votuesit e BDI e PDSH, siç është tradita në Strugë.

 

Sqarim: me termin “torbesh” nënkuptoj popullatën maqedonase muslimane. Këtë term e përdor për hir të thjeshtësisë

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button