Lokalet 2017, matematikat në rajonin Shkup-Kumanovë

Për fitore duhen mbi 50% të votave

Komunat shqiptare të rajonit. Komunat që përfshihen në këtë analizë bëjnë pjesë në njësitë zgjedhore 1 dhe 2, gjegjësisht rajonin e Shkupit dhe Kumanovës. Në këtë rajon ka pesë komuna me shumicë shqiptare dhe kryetarë shqiptarë: Likova, Haraçina, Studeniçani, Saraji dhe Çairi. Tek votuesit shqiptarë në zgjedhjet e fundit këtu kanë dominuar BDI dhe Besa, por PDSH ka “xhepa” të vetë mbështetësish, si për shembull në Studeniçan. Fenomen në vete këtu ishin fitoret e LSDM në Haraçinë e Studeniçan, por duhet cekur se ajo ka fituar shumë vota nga shqiptarët edhe nëpër komunat tjera të rajonit.

Ashtu si në analizën e kaluar, do të jepet trendi i votave në tre palët zgjedhjet e kaluara: ato lokale 2013 dhe parlamentare 2014 e 2016. Për zgjedhjet lokale si tregues më i mirë jepet numri i votave për listat e këshilltarëve, që pasqyron më mirë forcën relative të partive. Rradhitja është gjeografike, nga Likova drejt Sarajit.

Likova. Likova ka qenë përherë bastion i BDI, por në zgjedhjet e vitit 2013 ajo shpëtoi nga disfata prej PDSH për një fije peri, madje me dyshime serioze për malverzime zgjedhore. Megjithëse rikuperoi fuqishëm në 2014, BDI ra edhe më keq në 2016. Ajo vërtetë doli e para, por tani duhet t’a shqetësojë fakti që partitë tjera shqiptare bashkërisht ishin thuajse dyfish më të fuqishme.

LIKOVA 2013 2014 2016
VMRO  0%  0%  0%
LSDM  0%  0% 7%
BDI 48% 62% 37%
PDSH 46% 34% 18%
Aleanca 13%
Besa 25%
Tjerë 6% 4% 0%

Këtë rradhë në Likovë kanë kandiduar të gjitha partitë shqiptare dhe LSDM. Pritjet janë se votuesit e LSDM do të rikthehen te partitë shqiptare, ndërsa secila prej tyre do të merr një sasi votash në rundin e parë. Kështu gara sigurisht do të kalojë në rundin e dytë, sipas të gjitha gjasave mes Shaban Zendelit të Besës dhe Erkan Arifit të BDI. Në rundin e dytë pritet që votuesit e PDSH dhe Aleancës të shprehin mllefin ndaj BDI duke mbështetur Shaban Zendelin, gjë që e bën atë favorit për të fituar komunën.

Haraçina. Komuna e Haraçinës është një tjetër bastion ku BDI pësoi debakël në zgjedhjet e fundit dhe çështja më e keqja këtu ajo u mposht nga LSDM. Vota të konsiderueshme fituan edhe Besa e Aleanca, ndërsa PDSH thuajse u zhduk nga skena politike në këtë komunë. Mu për këtë PDSH nuk pati interesim as të kandidojë për kryetar komune. Beteja pra do të zhvillohet mes tre partive shqiptare dhe LSDM-së.

HARAÇINË 2013 2014 2016
VMRO 0% 1% 0%
LSDM 0% 0% 38%
BDI 50% 58% 27%
PDSH 14% 31% 5%
Aleanca 14%
Besa 15%
Tjerë 36% 10% 1%

Favorite për fitore në Haraçinë është Milikije Halimi e LSDM. Mirëpo fitorja e saj nuk është aspak e sigurtë. Për të dhe LSDM është jetike të fitojnë që në rundin e parë, sepse në rrethin e dytë situata do të bëhet tejet më e komplikuar. Nëse atëherë do duhet të përballet me Isen Ramadanin e Aleancës, ka gjasa që partitë shqiptare të harrojnë ndasitë mes tyre dhe të mobilizohen rreth partisë shqiptare nën parollën për t’a kthyer Haraçinën në trungun shqiptar. Numër kyç për LSDM do të jetë përqindja e votave që ajo do të marrë nga BDI në rrethin e parë. Nëse kjo përqindje është e madhe atëherë fitorja është e sigurtë, në të kundërtën bëhet problematike. Haraçina njëkohësisht do të jetë test për funksionimin e koalicionit LSDM-BDI.

Studeniçani. Komunën e Studeniçanit katër vitet e fundit e ka udhëhequr Azem Sadiki i PDSH, i cili fitoi zgjedhjet 2013 edhepse atëbotë lista e PDSH kishte më pak vota se BDI. BDI tejkaloi 50% në vitin 2014, por më pas pësoi debakël duke u renditur e katërta në Studeniçan. Fitore befasuese korri LSDM, e ndjekur nga afër nga Besa dhe PDSH.

STUDENIÇAN 2013 2014 2016
VMRO 5% 9% 8%
LSDM 7% 6% 29%
BDI 37% 51% 15%
PDSH 30% 32% 16%
Aleanca 8%
Besa 24%
Tjerë 21% 2% 0%

Sivjet në Studeniçan garojnë të katër partitë shqiptare, si dhe LSDM. Megjithëse doli e para, LSDM ka patur rritje kryesisht në fshatrat e përziera Batincë, Cvetovë e Koliçan dhe diçka më pak vota te shqiptarët në Moranë e Studeniçan. Këtë rradhë votuesit shqiptarë me siguri do të kthehen tek partitë shqiptare dhe LSDM nuk do të mund t’i kompenzojë nga votat që do t’i merr nga VMRO.

Me eliminim të LSDM, favoritë për të dalur në rrethin e dytë ngelin Rexhep Memedi i Besës dhe kryetari aktual Azem Sadiki i PDSH. Është e vështirë të thuhet se çfarë mund të ndodhë më pas, sepse gjithçka do të varet nga koalicionet potenciale, e më konkretisht si do të veprojnë LSDM e BDI. Studeniçani kështu ngelet ndër komunat më të paqarta për t’u parashikuar.

Çairi. Dikur BDI merrte mbi 70% të votave shqiptare në Çair. Por ky bastion më i fuqishëm i BDI u thye keq në zgjedhjet parlamentare 2016, kur BDI u mposht dyfish: nga Besa dhe nga LSDM. Pas dobësisë kronike të PDSH-së në Çair, BDI për herë të parë pas 15 viteve ka konkurencë serioze në këtë komunë. Pikërisht Çairi mund të ketë qenë një nga faktorët kryesorë që detyruan BDI të shkojë e bëjë koalicion me LSDM qysh në rundin e parë, me logjikën se nëse nuk mund të fitojë Besën vetë, këtë mund t’a bëjë bashkë me LSDM-në.

ÇAIR 2013 2014 2016
VMRO 17% 17% 15%
LSDM 8% 10% 26%
BDI 44% 49% 21%
PDSH 18% 17% 6%
Aleanca 4%
Besa 26%
Tjerë 13% 7% 2%

Sidoqoftë këto zgjedhje premtojnë të jenë betejë epike për shpirtin e Çairit. Nuk do mend se favoritë kryesorë për të kaluar në rundin e dytë dhe për të fituar janë Zeqirija Ibrahimi i Besës dhe Visar Ganiu i BDI. Me pritjen se maqedonasit e LSDM-së do të votojnë partiakisht për Visar Ganiun, gjithça më tej do të varet nga disponimi i votuesve shqiptarë të LSDM-së.

Nëse tek ata mbizotëron mllefi ndaj BDI dhe votojnë Zeqirija Ibrahimin, ai mund të bëjë një dallim komod që në rundin e parë dhe të shkelë plotësisht kundërshtarin në rundin e dytë. Por nëse shqiptarët e LSDM preferojnë Ganiun, ai mund të dalë në rrethin e dytë me një përparësi të vogël. Por as kjo nuk do të thotë gjë. Në rrethin e dytë pritet që Besa të përkrahet nga Aleanca e PDSH, që bashkërisht do të kenë votat për të mposhtur BDI-në dhe LSDM-në. Prandaj favorit kryesor në Çair mbetet Zeqirija Ibrahimi.

Saraji. Ndryshe nga komunat tjera, Saraji është ndër të rrallat ku BDI kaloi relativisht mirë në vitin 2016. Ajo vërtetë ra nën 50%, por ruajti distancë të konsiderueshme me partitë tjera. Kontribut për këtë padyshim ka LSDM, e cila këtu grumbulloi rreth 3.000 vota shqiptare, që përndryshe do të shkonin tek partitë opozitare shqiptare.

SARAJ 2013 2014 2016
VMRO 4% 3% 3%
LSDM  0% 2% 18%
BDI 55% 65% 39%
PDSH 39% 28% 9%
Aleanca 11%
Besa 20%
Tjerë 2% 2% 0%

Në zgjedhjet e sivjetshme në Saraj vazhdon logjika e Çairit. Fakti që LSDM nuk nxorri kandidat dhe përkrah Blerim Bexhetin që në rrethin e parë do të thotë se BDI llogarit shumë te ndihma e LSDM-së për të mposhtur partitë tjera shqiptare. Por këtu nuk ka votues maqedonas, pra gjithçka do të jetë në duar të shqiptarëve që votuan LSDM-në dhe sa ata do të jenë të dëgjueshëm këtë rradhë.

Në rrethin e dytë këtu pritet të kalojnë Blerim Bexheti i BDI dhe Bashkim Bakiu i Besës. Pastaj Bakiu me siguri mund të llogaritë në votat e PDSH dhe Aleancës dhe rundi i dytë të bëhet tejet i kontestueshëm. Por cila parti do të mbizotërojë në rrethin e dytë? Kjo është pyetje mëse e vështirë pasi gjithçka varet nga disponimi i ish-votuesve të LSDM. Nëse ata reshtohen kryekëput pas BDI-së, atëherë përparësi ka BDI; nëse tek ata mbizotëron mllefi ndaj BDI, atëherë përparësia është në anën e Besës. Kushdo që të fitojë, besoj se diferenca do të jetë tejet e ngushtë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button