Stoltenberg dhe Zaev: Integrimi i Maqedonisë në NATO arrihet me realizim të reformave

16:30- Kryeministri i Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev dhe sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg pas takimit të përbashkët në Bruksel u shprehën se pjesmarrja në NATO e Maqedonisë do të arrihet nëse realizohen reformat e nevojshme për zhvillim politik, ekonomik dhe në aspekt të sigurisë, njofton Portalb.mk.

Ata bashkërisht vlerësuan se këto reforma nuk do të kontribojnë vetëm në stabilitetin e Maqedonisë, por edhe rajonit në përgjithësi.

“Ne e informuam qeverinë e re për punën dhe hapat që duhet të ndërmerren nga ajo. Ne kemi diskutuar për reformat të cilat janë të nevojshme. Këto reforma janë të rëndësishme për integrimin në NATO dhe BE si për Maqedoninë por edhe rajonin në përgjithësi, dhe ne bashkërisht do të punojmë në këtë pikëpamje. Kjo do të ndihmojë edhe në stabilitetin e rajonit. Për ne është i rëndësishme fokusi në reforma për stabilitet politik dhe ekonomik të vendeve të përfshira në procesin e integrimit në NATO. Kjo do të mundësojë edhe siguri të Maqedonisë dhe rajonit në përgjithësi”, tha Stoltenberg.

Ndërsa kryeministri Zaev u shpreh se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO paraqet shembullin që duhet të ndjeket nga Maqedonia.

“Jam i kënaqur që gjendem në selinë e NATO-s, dua t’i shpreh falënderim për përkrahje dhe për bashkëpunim të afërt. E përshëndesin anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe për ne ajo është inkurajim për të punuar që sa më shpejtë edhe Maqedonia të anëtarësohet”, tha kryeministri Zaev.

Në këtë pikëpamje ai shtoi se bashkëpunimi me fqinjët duhet të përforcohet.

“Është shumë e rëndësishme që Ballkani Perëndimor të jetë stabil. Duhet ta përforcojmë bashkëpunimin me fqinjët. Maqedonia është e përkushtuar, për anëtarësim në BE dhe NATO”, tha Zaev.

Ai gjithashtu shtoi se nëse Maqedoni do të jetë në NATO, ajo do të kishte mundësi më të mira për ta luftuar ekstremizmin dhe terrorizmit.

Zaev i bëri thirrje Greqisë që ta zhbllokojë procesin, fillimisht duke u anëtarësuar në NATO me referencën e përkohshme, ndërkaq më pas bisedimet të vazhdojnë.

“Edhe pse nuk është korrekte që të pengohet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, ne kemi marrëdhënie të mira me fqinjët. Jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që ia duan të mirën Maqedonisë për anëtarësim në BE dhe NATO. Unë pres përkrahje nga qytetarët e Greqisë, pozitës dhe opozitës. Tani mundemi që të anëtarësohemi me referencën e përkohshme në NATO, ndërkaq më pas do të vazhdojnë bisedimet”, tha Zaev.

 

_____________________________________________

14:40 – Pas takimit që u realizuar sot ndërmjet eurokomesarit Johanes Han dhe kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, që të dy bashkërisht vlerësuan që me rëndësi për Qeverinë e Maqedonisë është që të zhvillohen reformat e nevojshme për integrim në Bashkimin Evropian, ngaqë siç u shpreh Han,”është humbur shumë kohë dhe energji në këtë pikëpamje”, njofton Portalb.mk.

“Është me rëndësi për shtetin e Maqedonisë që të fokusohet në perspektivën evropiane. Deri më sot Maqedonia ka humbur shumë energji dhe kohë në këtë rrugë dhe prandaj vlerësoj se qeveria e re duhet të fokusohet në zhvillimin e perspektivës integruese evropiane. Duhet të ndiqen hapa konkrete dhe të fokusohet në mundësi të cilat duhet të ndiqen. Ata duhet të fokusohen në relacione të mira ndërshtetërore. Edhe pse tash do të jenë pushimet ne sërish do të vizitojmë Qeverinë për të përcaktuar reformat urgjente të cilat duhet të ndërmerren nga kjo qeveri, sidomos në sistemimin e gjyqësorit dhe sundimin e së drejtës”, tha Han.

Johanes Han gjithashtu vlerësoi se “hapi i ardhshëm është që të bëhen reformat në këtë pikëpamje, sepse edhe ato janë çelësi i prosperimit evropian”.

Ndërsa Zaev u shpreh i kënaqur nga gatishmëria e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian që të ndihmojnë dhe bashkëpunojnë në rrugën e integrimit evropian.

“Dua të tregoj sinqeritet, kishim bisedë konstruktive në raport me integrimin e Mqedonisë BE. U pajtuam se Maqedonia, sikurse shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor ka shumë nevojë për ndihmë dhe përkrahje për sa i përket integrimit në BE. Faleminderoj për gatishmërinë dhe vullnetin e BE-së që ta ndihmojë Maqedoninë”, tha Zaev.

Ai u shpreh se “integrimi në BE është qëllimi prioritar për Maqedoninë”.

“Maqedonia është në bisedime që nga viti 2011 dhe ende nuk është bërë anëtare. Duhet të bëhen reforma urgjente të cilat fokusohen në sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës, dhe për këtë ne u konsultuam me Johanes Han se cilat duhet të jenë hapat tona për këtë që të zhvillohen reformat e nevojshme”, tha Zaev.

“Të gjitha këto reforma do të bëhen në bashkëpunim me opozitën dhe me fqinjët. Më duhen raporte të mira dhe të fuqishme me vendet fqinje që të realizojmë qëllimin”, vlerësoi Zaev.

Fqinjësia e mirë dhe ndihma nga vendet e Ballkanit Perëndimor ishte temë e përbashkët edhe në takim me kryeministrin e Bullgarisë, Bojko Borisov.

“Është biseduar edhe për tregun e përbashkët, për atë se Maqedonia të jetë nikoqire e këtij tregu. Ky treg do të ndihmojë edhe në tejkalimin e sfidave të përbashkëta ballkanike, si që është kriza me emigrantët”, tha Zaev.

Ai edhe njëherë ftoi Greqinë që të shqyrtojë raportin ndaj Maqedonisë dhe të ndryshojë qëndrim për sa i përket çështjes së emrit në takimin e ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov

__________________________________________________________________________

14:20 – Më poshtë mund ta ndiqni drejtpërdrejt konferencën e përbashkët për shtyp të kryeministrit Zoran Zaev dhe eurokomesarit Johanes Han.

13:20 – Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev në kuadër të vizitës së tij të parë në Bruksel, sot u takua me kryetarin e Këshillit të Evropës, Donald Tusk dhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe nënkryetare e KE-së, Federika Mogerini.

Zaev, i shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministrat Bujar Osmani dhe Radmilla Shekerinska, si dhe ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov në Bruksel duhet të takohet edhe me komisarin për politikë fqinjësore evropiane dhe negociata për zgjerim Johanes Han dhe pastaj në selinë e NATO-s edhe me sekretarin e përgjithshme të Aleancës, Jens Stoltenberg.

ЗАЕВ И ДОНАЛД ТУСК

Eurokomisari Johanes Han, sot në konferencën për shtyp në Bruksel, të mbajtur para takimit të tij me Zaevin, tha se vendi përfundimisht e ka tejkaluar krizën politike dhe se tema kryesore në bisedën me Zaevin do të jenë Prioritetet urgjente reformuese.

“IRJM më në fund, me përkrahje të BE-së, e tejkaloi krizën politike përmes zgjedhjeve korrekte dhe formacionit të Qeverisë së re dhe tani shpresojmë se do të kthehen në politikë ditore. Sot me kryeministrin Zaev do të bisedojë për implementimin e Prioriteteve urgjente reformuese”, tha Han në konferencë për shtyp kushtuar ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor.

Para vizitës së kryeministri Zaev, pres-shërbimi për informim i Qeverisë, kumtoi se qëllimi i vizitës së tij të parë në Bruksel pas marrjes së detyrës është që Qeveria ta konfirmojë përkushtimin e saj të parë në integrimet në BE dhe në NATO, si qëllim strategjik i vendit dhe t’i prezantojë prioritetet reformuese në agjendën qeveritare për kthimin e shtetit në rrugën e integrimit euroatlantik.

12:21 – Kryeministri Zaev në takim me Mogherinin

Qeveria e re është vendimtare që t’i zbatojë reformat e domosdoshme për përshpejtim të procesit eurointegrues të Repubikës së Maqedonisë, ka theksuar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev në takim me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikët të jashtme dhe siguri, Federika Mogerini.

“Në interes të qytetarëve të Maqedonisë është nisma për dinamikën e re në procesin eurointegrues. Qëllimi ynë është që deri në vjeshtë të sigurojmë mjaftueshëm proces në fushat kyçe reformuese, me çka do t’i japim mjaft argumente Komisionit Evropian që të prezantojë raport të ri çara vendeve-anëtare, me rekomandim të ripërtërirë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë në BE”, theksoi Zaev.

Могерини

Kryeministri i Maqedonisë, siç theksoi shërbimi për informim i Qeverisë, ka theksuar edhe se marrëdhëniet e mira ndërfqinjësor dhe bashkëpunimi rajonal, të bazuara në respekt të ndërsjellë, janë përcaktim i fuqishëm i Qeverisë. Në takim është theksuar si e rëndësishme hapja e kapitullit 23 dhe 24 nga bisedimet paraqasëse.

Mogerini, ka shprehur mbështetje të fuqishme në orvatjet reformuese të Qeverisë së re dhe paralajmëroi se Maqedonia ka aleat të fuqishëm në BE gjatë zbatimit të reformave. Rekomandimi i përfaqësueses së lartë të BE-së Mogerini është se nëse reformat zbatohet, Bashkimit Evropian është i gatshëm të përgjigjet.

————————————————————————————————————

08:00– Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, sot pritet ta realizojë vizitën e parë zyrtare në Bruksel dhe takimin e parë me eurokomesarin, Johanes Han, në të cilën do të diskutohen reformat e para prioritare që duhet t’i realizojë Qeveria e re. Njohësit e çështjeve politike thonë për Portalb.mk se kësaj radhe Brukseli do të ketë më të lehtë për sa i përket rekomandimeve dhe realizimit të tyre nga qeveria e re.

Analisti politik Selim Ibrahimi për Portalb.mk thotë se vizita e kryeministrit Zoran Zaev në Bruksel lidhet me përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për një Maqedoni të re e cila duhet të reformohet.

“Vizita e kryeministrit Zoran Zaev në Bruksel lidhet me përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për një Maqedoni të re e cila duhet të reformohet. Brukseli nuk do të hezitojë që ta ndihmojë Maqedoninë ,tani e ka më lehtë për sa i përket rekomandimeve dhe realizimit të tyre nga qeveria e re. Rruga drejt BE-së dhe NATO-s varret nga vetë Maqedonia,janë disa kushte që qeveria duhet ti plotësojë. Pa këto kritere, Maqedonia do ta ketë vështirë të hyjë në BE. Ajo që duhet theksuar është politika e qeverisë së re me vendet fqinjë dhe raportet e brendshme etnike. Maqedonia dhe qeveria e re ka përballë shumë sfida të brendshme dhe rajonale. Vendi ka një ekonomi të shkatërruar dhe buxhet që do të kërkojë kohë që të stabilizohet. Performancat e qeverisë në betejën me opozitën do të shihen gjatë zgjedhjeve lokale dhe në vazhdim të qeverisjes së kryeministrit Zoran Zaev”, tha për Portalb, Ibrahimi.

Ai shtoi se edhe Brukseli dhe miqtë e Maqedonisë janë të interesuar që tash e tutje të kemi një tregim të suksesshëm për këtë ish republikë të brishtë.

“Nga aspekti i strukturës së koalicionit,qeveria e re është e brishtë. Evropa ia ka zgjatur dorën Maqedonisë,tani ngel që qeveria e Zaevit t’i fillojë diçka të re në Maqedoni duke mos i përsëritur gabimet e VMRO-DMPNE-së dhe njëkohësisht duke lënë anësh ideologjinë e vjetër të qasjeve të brendshme dhe me fqinjët. Pritet më shumë nga kjo qeveri. Edhe Brukseli dhe miqtë e Maqedonisë janë të interesuar që tash e tutje të kemi një tregim të suksesshëm për këtë ish republikë të brishtë. Suksesi do të varret edhe nga pozicioni që qeveria do të mbajë ndaj shqiptarëve. Në proces transformimi i Maqedonisë në një shoqëri demokratike do të jetë i vështirë”, shtoi Ibrahimi.

Drejtoresha e Institutit për Politika Evropiane, Malinka Ristevska Jordanova thotë për Portalb.mk se Zaev duhet të kërkojë paket real për përkrahje të Qeverisë për reforma nga NATO dhe BE-ja.

“Ajo që pritet dhe që duhet të kërkojë është paketi real për përkrahje të Qeverisë për reforma nga NATO dhe BE-ja. Kjo do të thotë anëtarësim më të shpejtë në NATO dhe japje të rrugës për bisedime me BE, e fundit edhe me ndihmë të rritur financiare”, tha për Portalb, Jordanova.

Ndërkaq ditë më parë Komisioneri i Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Johannes Hahn, i cili mbikëqyr përpjekjet për anëtarësim në BE të vendeve të Ballkanit, njoftoi se së shpejti Maqedoninë do ta vizitojë komisioni prej ekspertëve ligjor të udhëhequr nga Reinhard Priebe me qëllim të t’i detektojë mangësitë në zbatimin e reformave të mëhershme të Raportit të Pribe-së dhe të vlerësojë situatën aktuale për formim të reformave të reja urgjente të cilat do t’i ndërmerr Qeveria e re e Maqedonisë, njofton Portalb.mk

Sa i përket reformave, Jordanova thekson se në këtë aspekt Qeveria duhet të tregojë vullnet dhe kapacitet të fortë që reformat e parashikuara të realizohen, pasi që ky është shansi i vetëm që Maqedonia të ecë drejt BE-së.

“Gjithashtu në të njejtën kohë Qeveria duhet të tregojë vullnet të fortë dhe kapacitet të lartë për reforma në plan të brendshëm dhe rritjen e besimit me fqinjtë, gjë që tani më jep sinjale. Nuk do të jetë e lehtë që të dilet nga kriza politike, por në këtë momente të ndryshimit i rëndësishëm është shansi i vetëm për Maqedoninë që të ecë drejt drejtimit të duhur”, shtoi Jordanova.

Ndërkaq në takimin e parë zyrtar, kryeministri do të jetë i shoqëruar nga zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe funksionarë tjerë qeveritar, njofton Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button