Kjo është puna e parë që duhet ta bëjë për PSP-në Parlamenti i Maqedonisë

Formimi i shumicës parlamentare, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe kthimi në punë i seancës konstituive do të jetë një mundësi e përcaktimit të fatit të Prokurorisë Speciale Publike (PSP). Meqë asaj për tridhjetë ditë i skadon afati dhe i hiqet mundësia e ngritjes së akuzave të reja, ajo nga shumica parlamentare kërkoi përkrahje për vazhdimin e punës së saj, shkruan Portalb.mk.

Por, ekspertit juridik Temelko Risteski  zgjatjen e mandatit të PSP-së nuk e sheh si zgjedhje efektive ngaqë siç shprehet ai, ajo edhe pse ka pasur mandat prej 18 muajve sërish nuk ka arritur të ketë epilog të procedurave hetimore ngaqë ka pësuar obstruksione të mëdha nga Prokuroria Publike.

“Zgjatja e mandatit të PSP nuk do të ishte zgjidhja ideale për të, pasi edhe pse ajo pati mandat për 18 muaj dhe hapi raste hetimore, asnjë prej tyre nuk pati epilog, madje disave edhe u skadoi afati”, tha Risteski.

Siç shprehet ai, me rëndësi fillimisht do të ishte që të ndërrohet Marko Zvrlevski nga prokurori Publik e më pas të mund t’i hapet rruga e funksionimit normal të PSP-së.

Por se kush do të ishte zgjedhje ideale për pozitën e prokurorit publik, ai shprehet se “gjithkush që do të propozohej nga Qeveria e re e që do të mundësonte ndërrimin e kuadrit të Prokurorisë Publike dhe të njëjtësonte Prokurorinë Publike me atë Specialen” dhe në këtë pikëpamje “si person i përshtatshëm për pozitën e prokurorit publik do të ishte prokurorja Katica Janeva”.

“Mirëpo, do të nevojitet ndryshim i ligjit e për këtë do të duhet vota e 2/3 së përbërjes parlamentare”, tha Risteski.

Ndryshe prej Risteskit, profesori universitar Mersel Bilalli si zgjidhje efektive për PSP e sheh zgjatjen e mandatit të saj, pasi që siç shprehet ai, do të duhet kohë e gjatë që PSP të mund të trajtohet në mënyrën e duhur nga Prokuroria Publike, e deri të ky trajtim është mirë të kemi funksionim të të dyjave njëkohësisht.

“Edhe pse do të kemi ndryshim të Qeverisë do të ishte mirë të vazhdohet afati i PSP-së ngaqë ajo ka kompetenca të veçanta të cilat i ka filluar dhe të cilat nuk mund t’i kryejë Prokuroria Publike. Me rëndësi është se me Qeverinë e re Prokuroria Publike do të funksionojë në mënyrë shumë më efikase se sa kjo që ishte deri më tash”, tha Bilalli.

Edhe pse PSP-ja erdhi si rezultat i mosfunksionimit efikas të Prokurorisë Publike, Bilalli sërish vlerëson se “edhe nëse kemi ndërrim të Zvrlevskit, veprimtaria e deritanishme tij do ta bën të nevojshme funksionimin e mëtutjeshëm të PSP-së”.

Përndryshe, tridhjetë ditë para skadimit të afatit PSP kërkoi përkrahje nga Kuvendi.

“Prokuroria Speciale Publike shpesh herë publikisht ka apeluar për nevojën e ndryshimit të afatit të ngritjes së akuzave. Në këtë drejtim presim të gjitha subjektet ta shqyrtojnë këtë si të patjetërsueshme dhe të shprehin përkrahje”, thonë nga PSP-ja.

Ndërsa mbrëmë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev bëri të ditur se bëri të ditur se punën e parë që do të bëjë Parlamenti i Maqedonisë për Prokurorinë Speciale Publike (PSP) do të jetë sjellja e ligjit të dëshmitarëve dhe ndryshimi i ligjit për zgjatjen e mandatit të saj.

“Nëse nuk vazhdohet mandati i PSP nuk do shpëtojë shteti dhe se për këtë duhet që drejtësia të del në pah e kjo do të arrihet vetëm me PSP-në”, tha Zaev.

Por edhe pse bllokada në Kuvend zgjati me muaj, për Portalb shumica parlamentare para disa ditëve bënë të ditur se kanë iniciativë konkrete për zgjatjen e mandatit të PSP-së.

Sipas ligji aktual për PSP-në ajo ka të drejtë që deri në fund të qershorit të hap aktakuza të reja, por ka shumë raste që janë hapur deri më tani e të cilat ende nuk kanë epilog gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button