Sela për Portalb: Nuk kemi pasur takim me Ahmetin por me Memedin dhe Ostrenin

Pas shkrimeve në media që lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti është takuar me liderin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ky i fundit ka mohuar një gjë të tillë. Në një deklaratë për Portalb.mk, Sela tha që nuk ka pasur mbrëmë takim ai dhe Ahmeti.

“Jo nuk ka asgjë të saktë se ne jemi takuar me Ahmetin. Ne jemi takuar me partnerët tonë, liderin e RDK-së, Vesel Memedin dhe të UNITETIT, Gëzim Ostrenin mbrëmë në Gostivar. Kemi folur për zhvillimet e fundit politike” tha për Portalb.mk, Sela.

Takimin për Portalb.mk e konfirmoi edhe lideri i RDK-së, Vesel Memedi i cili duke mos zbuluar detaje tha që ka qenë një takim i rregullt koordinues mes partnerëve të Aleancës për Shqiptarët.

Sipas nënkryetarit të LR-PDSH-së, Agon Ferati përgjigjet e LSDM-së maqedonase opozitare të cilat i morën në takimin mes nënkryetarëve, Teuta Arifit dhe Arben Taravarit po i shqyrtojnë nëpër departamentet e tyre.

“LSDM është deklaruar për të gjitha pikat, tani ekspertët tanë do ta deklarojnë se a është ashtu apo jo. Tani hyjmë ne në detaje me ekipet tona. Nuk përjashtohet mundësia që të kemi takim të veçantë, pra të drejtpërdrejtë me LSDM-në. Tani ka disa çështje internet, prioritare që na intereson që patjetër duhet ta diskutojmë me ata, sidomos mekanizmi i buxhetit se si duhet të ndahet. Prandaj ka disa pika që në mënyrë shtesë drejtpërdrejt të bisedojmë.” tha për Portalb.mk Ferati.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim mbeten të pakapshëm për koment.

Ndryshe, me ditë të tëra jemi dëshmitarët të një ping-pongu politik mes bisedimeve për Qeverinë e re të Maqedonisë mes partive shqiptare në krye me BDI-në dhe opozitës maqedonase, Lidhjes socialdemokrate.
Përmbajtja e bisedimeve mbetet sekret për opinionin, nga ajo që dimë është se pala shqiptare kërkon të pranohet Platforma Shqiptare në tërësi ndërsa për këtë është përgjigjur pala maqedonase por duke mos shpalosur çfarë saktë është kthyer si përgjigje. Tani, sërish duhet të prononcohen partitë shqiptare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button