Rrugët e Çairit, vazhdojnë të jenë të shkatërruara dhe pa shenja komunikacioni edhe në 2017
Rrugët e lagështa dhe me borë shkaktojnë aksidente të shumta, duke pasur parasysh edhe mungesën e shenjave të komunikacionit dhe moskujdesin e drejtuesve të makinave, shkruan Portalb.mk.
Në komunën e Çairit banorët vite me radhë kërkojnë shenja komunikacioni, por si duket kërkesat e tyre hasin në vesh të shurdhër pasi që ende nuk është bërë asnjë nga ato që kërkojnë banorët.
LEXO:Shkup, nevojiten intervenime urgjente në komunikacion
LEXO:Banorët e Çairit vazhdojnë të kërkojnë shenja komunikacioni, e kanë jetën në rrezik!
LEXO:Çudia në Çair, semaforët krijojnë tollovi e jo rend
“Në këtë komunë ka mungesë të shumtë të shenjave të komunikacionit por edhe të patrullimit të policisë dhe shoferët drejtojnë makinat sit ë çmendur duke shkaktuar kështu aksidente qoftë të vogla apo të mëdha”, tha Ramiz Tahiri, banor.
“Vendosin semaforë ku nuk ka nevojë fare, flas për semaforët tek supermarket Princ, në atë rrugë duhen polic të shtrirë dhe jo semaforë të cilët në të shumtën e rasteve edhe nuk respektohen duke pasur parasysh se nuk ka kamera dhe as polici në rrugë”, tha Avni Aliu, banor.
“Çka të flasim bre, u lodhëm duke fol, tash vjen koha e zgjedhjeve lokale dhe do të fillojnë këta të flasin, por çfarë do thonë. Asgjë nuk kanë bërë, rrugët e mbushura me gropa, mungesa e shenjave të komunikacionit, mungesa e parkingjeve, hallakamë”, tha Urim Fetahu, banor.
“Rrugët e tregojnë cilësinë gjatë dimrit, kur i hedhet kripa, asfalti i dobët shkatërrohet menjëherë, dhe kjo po ndodh në Çair. Nuk janë kushtet elementare që duhet t’i ketë një komunë, nuk ka plan urbanistik, ndërtime pa leje, uzurpim i trotuareve, asnjë rregull nuk respektohet, dhe komuna nuk bën asgjë për të vendosur rend. Këtu secili është më boss se tjetri”, tha Festim Jakupi, banor.
Ndryshe banorët tani më një kohë të gjatë ankohen për gjendjen e rrugëve dhe për mungesën e shenjave të komunikacionit, për të cilat komuna premtoi se do të merren masa por një gjë e tillë nuk ndodhi.