Tregjet ilegale ‘lulëzojnë’, institucionet të kyçura në korrupsion

Dukuria e tregjeve të egra apo ilegale në Maqedoni nuk është e re, ajo tani më një kohë po ‘lulëzon’ në qytete dhe vende të ndryshme. Ekonomistët këtë dukuri për Portalb.mk e lidhin me korrupsionin, duke thënë se nëse komunat kanë dijeni për ekzistimin e tregjeve të këtij lloji dhe ato nuk largohen, atëherë kemi të bëjmë me marrëveshje mes tyre dhe ndarje të fitimit. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore thonë për Portalb.mk  se tregjet e këtilla ndikojnë negativisht në ekonominë e shtetit pasi që krijojnë konkurrencë jolojale.

Së fundi Portalb.mk riaktualizoi këtë teme, duke intervistuar tregtarët që kanë vendosur kamionët mu përball Ambasadës së SHBA-së në Shkup, dhe në mënyrë ilegale shesin mallin e tyre i cili kryesisht është ushqimor.

Atëherë nga Komuna e Çairit thanë se janë lëshuar dënime dhe që së shpejti pritet që të njejtët të largohen me anën e policisë, një gjë e tillë nuk ndodhi, ata vazhdojnë të jenë aty.

Nga Ministria e Ekonomisë nuk duan të japin koment për redaksinë tonë.

Ekonomisti Xhevdet Hajredini këtë dukuri e lidh me korrupsionin, duke thënë se nëse komunat kanë dijeni për ekzistimin e tregjeve të këtij lloji dhe ato nuk largohen, atëherë kemi të bëjmë me marrëveshje mes tyre dhe ndarje të fitimit.

“Jemi të vedishëm që kjo dukuri është mëse e përhapur në Maqedoni, dhe sipas mendimit tim këtë gjendje e krijon korrupsioni. Tregtarët ilegal nuk vendosin mallin e tyre aty pa bashkëpunim. Në Maqedoni institucionet nuk kanë më besim pasi vetë organet e kontrollit janë të korruptuara dhe në vend se t’i largojnë këto tregje, dhe të konfiskohet malli në të kundërtën, ata e lejojnë këtë dukuri dhe marrin një pjesë të fitimit. Vetë ministria e ekonomisë, inspektorati i tregut duhet të merr masa dhe të del në teren, sepse këta persona, kjo dukuri dëmton ekonominë e shtetit sepse nuk paguan tatim dhe natyrisht që çmimet janë më të volitshme dhe kështu dëmtojnë tregtarët e rregullt me procedurat ligjore. Për mendimin tim kjo situatë do të vazhdojnë edhe për shumë kohë kështu, sepse nuk pres që të reagohet për këtë lloj korrupsioni, pasi që ai më i rëndi fshihet dhe heshtet, ky as që përmendet madje”, thotë për Portalb.mk  Hajredini.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore thonë se tregjet e këtilla ndikojnë negativisht në ekonominë e shtetit pasi që krijojnë konkurrencë jolojale.

“Ekonomia joformale paraqet problem madhor në ekonominë e një vendi, pasiqë krijon konkurrencë jolojale. Në strategjinë e tonë i kemi vënë fokus të veçantë rritjes së konkurrushmërisë së kompanive me çka ne haptas jemi kundër kësaj dukurie e cila ndikon negativisht në punën e kompanive formale. Ekonomia jo formale në vete tërheq shumë pasoja tjera në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik si dhe kapitalit njerëzor, andaj Ne gjithmonë bëjmë përpjekje që kjo pjesë e ekonomisë e cila supozohet se merr pjesë ne krijimin e PBV-së me 25-30% të formalizohet, por jo me politikën e ndëshkimit por me metoda afirmative të inkuadrimit të tyre në sistemin ekonomik formal”, thonë për Portalb.mk nga OEMVP.

Sipas OEMVP inkuadrimi i tyre në sistemin ekomomik është i domosdoshëm fillimisht për t’u krijuar kushte të barabarta të funksionimit të të gjitha kompanive ose konkurrencës lojale dhe sigurisht që të regjistrohen në bazën e të dhënave të shtetit me çka ne do të kemi fotografi reale mbi gjendjen ekonomike të vendit gjithashtu edhe rritje të të hyrave në arkën shtetërore, nuk është vetëm mbushja e arkës por ato atëherë do të mund të shfrytëzojnë edhe kredi, grante dhe subvencione të shtetit me qëllim që të zhvillojnë biznesin e tyre./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button