Slivnik, nxënësit sërish në objektin e vjetër, MASH nuk u ka dhënë inventar për të rejën

Nxënësit e shkollës fillore “Vasil Gllavinov” në fshatin Slivnik të Velesit, gjysmëvjetorin e dytë do ta fillojnë sërish në objektin e vjetër edhe pse objekti i ri tani më është përfunduar.

Përgjegjësi i kësaj shkolle Qemal Musa bën të ditur se ende nuk ka inventarë dhe sipas gjitha gjasave gjysmëvjetori i dytë do të fillohet në objektin e vjetër, i cili ka mungesë të madhe të hapësirës.

“Inventarë nuk ka, na dhanë inventarë të përdorur por ne nuk e pranuam, ai ishte i shkatërruar. Kryetar i komunës na tha që nuk ka mjete për momentin komuna që të na sigurojë inventarë kështu që do të fillojmë gjysmëvjetorin e dytë në shkollën e vjetër”, tha për Portalb, Musa.

Si shtoi se është takuar me prindërit dhe kanë vendosur që të mos bojkotojnë mësimin shkaku që fëmijët të mos humbasin, dhe se do të drejtojnë letër MASH-it lidhur me kërkesën për inventarë.

“Biseduam me prindërit dhe disa propozuan të bojkotohet sërish mësimi, mirëpo erdhëm në përfundim që mos të bojkotohet me qëllim që nxënësit të mos humbasin mësimin. Ne do të nisim një letër MASH-it nëpërmjet të cilës do të kërkojmë inventarë pasi që nga komuna nuk kanë mjeë për të na siguruar të njëjtin”, tha Musa.

Ndërkaq kohë më parë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thanë për Portalb se objekti ishte projekt i MASH dhe se i njëjtë është realizuar kurse sa i përket inventarit, atë duhet ta siguron komuna e Velesit.

“Ndërtimi i objektit është bërë nga MASH dhe është realizuar kurse sa i përket inventarit ai duhet të bëhet nga ana e Komunës, kurse neve na ngelet të investojmë edhe në klasën e informatikës dhe përfundon projekti”, thonë nga zyra për informim në MASH.

Kurse nxënësit do të vazhdojnë të ndjekin mësimin në kushte të mjerueshme, deri sa të sigurohet inventari për objektin e ri shkollor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button