Slivnik, nxënësit bojkotojnë mësimin, shkolla gati e rrënuar

86 nxënësit e Shkollës Fillore ‘Vasill Gllavinov’ të fshatit Slivnik të Komunës së Velesit kanë vendosur të bojkotojnë procesin edukativo-arsimor. Nga këshilli i prindërve thonëse shkolla e tyre ka vetëm 1 klasë në të cilën deri më tani në kushte mizore mësimin e kanë ndjekur që të gjithë 86 nxënësit. Prindërit thonë se ndjehen të zhgënjyer pasi gjatë vizitës së fundit të ish zëvendës Ministrit të Arsimit Safet Neziri u ishte premtuar se sivjet në fshatin e tyre do të ndërtohet një shkollë e re që do të plotësonte të gjitha kushtet, transmeton Alsat.

“Premtime ka pasur mjaft nga ana e ish zv/ministrit të Arsimit Safet Neziri por ato premtime ranë në ujë, nuk i dimë arsyet, por tani do të shohim se e kemi ministrin e arsimit shqiptar, do të shohim se a do të ndërmarr ai masa si ministër se përpara na thoshin se ministri është maqedonas, e tash është shqiptar, ta shohim çfarë do të dalë, a do të mbahen premtimet apo jo?, u shpreh Xhafer Jonuzi, kryetar i këshillit të prindërve.

“Për momentin ka 86 nxënës, vitin e kaluar patëm një paralele të kombinuar dhe tre të pastra por prej këtij viti shkollor nuk ka kushte për kombinim të paraleleve dhe duhet të hapet edhe një paralele e pastër, edhe një punësim, ne të kemi 5 arsimtarë, mirëpo lokal shkollor nuk kemi, kemi vetëm një mësonjëtore”, tha Qemal Musa, arsimtarë në SH.F ‘Vasill Gllavinov’ fshati Slivnik.

Ndërkohë kryetari i Komunës së Velesit, Sllavço Çadiev thotë se ai plotësisht kupton shqetësimin e banorëve të Slivnikut, por që ai pa ndihmën e MASH-it nuk mund të bëjë asgjë. Çadiev tha se mllefi i banorëve të Slivnikut erdhi pas premtimeve boshe që uakishte bërë atyre ish zv/Ministri i Arsimit Safet Neziri.

“Ata ndjehen të manipuluar pasi atyre para 1 viti dikush u kishte premtuar se këtë vit do të nisin punimet ndërtimore për të përmirësuar kushtet e arsimit në këtë fshat. Thjesht, numri i fëmijëve atje, për dallim nga të gjitha vendbanimet e Velesit është vazhdimisht në rritje dhe këtë vit vetëm në klasë të parë janë regjistruar diku 20 fëmijë dhe me këtë ata bëhen më tepër se 80 nxënës nga klasa e parë deri në të pestën dhe vërtet aty nuk ka kushte elementare për vazhdim të procesit edukativo-arsimor”, deklaroi Sllavço Çadiev, kryetar i Komunës së Velesit.

Fshati Slivnik i komunës së Velesit numëron mbi 600 banorë. Fëmijët e këtij fshati procesin edukativo-arsimor e ndjekin në shkollën e tyre deri në klasën e pestë, më pas ata mësimin deri në klasën e nëntë e vazhdojnë në fshatin fqinjë Buzllakovë i cili është larg tyre 3 kilometra. Siç thonë banorët e Slivnikut 50% e fëmijëve mësimin e ndjekin deri në klasën e pestë pasi në një gjë të tillë i detyron mungesa e rrugës që do të lidhte fshatin Slivnik dhe Buzllakovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button