Autostrada Rankovc-Kriva Pallankë, e cila do të shkurtojë rrugën për në Sofje, do të jetë gati deri në fund të vitit. Këtë sot e kanë bërë të ditur ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore Koce Trajanovski, të cilët kanë inspektuar punimet ndërtimore në një pjesë të rrugës, duke theksuar se rruga është e gjatë 25 kilometra dhe 80 përqind e punimeve kanë përfunduar deri më tani, transmeton Portalb.mk.
“Kjo rrugë është e gjatë 25 kilometra dhe është e ndarë në dy pjesë. Njëri është nga Stracini deri në Dlaboçicë në gjatësi prej 15 kilometrash, ndërsa loti i dytë është nga Dllaboçica deri në Kriva Pallankë në gjatësi prej 10 kilometrash. Vlera e gjithë investimit është 93.7 milionë euro, që do të thotë se loti i parë kushton 43 milionë euro, ndërsa i dyti rreth 50 milionë euro. Punimet kanë nisur në vitin 2018. Presim që të dy lotet të përfundojnë deri në fund të vitit. Njëra është 71 përqind e kompletuar dhe e dyta është rreth 91 përqind. Kjo rrugë do të mundësojë komunikim më të mirë me Kriva Pallankën, gjegjësisht nga Shkupi, përmes Kumanovës në Kriva Pallankë, si dhe është pjesë e Korridorit 8 që lidh Sofjen dhe Shkupin”, tha Trajanovski.
Sipas ministrit Nikolëoski, kjo autostradë ekspresi duhet të lidhë Kumanovën dhe Kriva Pallankën me një zgjidhje moderne rrugore dhe në këtë mënyrë të lidhë Kriva Pallankën me kryeqytetin Shkupin.
Kjo rrugë e shpejtë, siç thotë Nikolloski, do të ndihmojë në përshpejtimin e komunikimit me Sofjen, gjegjësisht shkurtimin e kohës së udhëtimit nga Shkupi në Sofje.
“Kështu që udhëtimi do të arrinte rreth dy orë e gjysmë. Mendoj se është një kohë e mirë udhëtimi ndërmjet Sofjes dhe Shkupit dhe në këtë mënyrë të hapet Korridori 8”, tha ministri i Transportit.
Rruga është ndërtuar shumë ngadalë, siç tha Nikolloski, për arsye të pakuptueshme dhe ende nuk ka përfunduar shpronësimi i plotë i tokës ku kalon rruga.
“Kemi gjetur një projekt që ka ecur me ritme të ngadalta, që ka pasur problemet e veta në të kaluarën, por edhe një projekt që nuk i është kushtuar vëmendje. Por kjo është puna jonë. Qytetarët presin zgjidhje nga ne. Këtë herë do të bëhet deri në Vitin e Ri”, tha ai.
Ndërtimi i autostradës është financuar pjesërisht me kredi nga Banka Botërore, si dhe me grant prej 14 milionë eurosh.