Me rastin e ekspozitës personale “Arti i largësisë”, e cila do të hapet më 16 nëntor në Çifte Hamam të Shkupit, artistja Dita Starova Qerimi në një bisedë për Portalb.mk foli për konceptin e largësisë, kujtesën, lidhjet njerëzore dhe emocionet që i shndërron në art. Ajo rrëfeu për procesin krijues, ndikimin e përjetimeve personale në veprat e saj, rikthimin në hapsirën ku dikur ekspozoi dhe më pas e drejtoi si pjesë të Galerisë Nacionale, si dhe për rëndësinë e institucioneve kulturore në mbështetjen e artit bashkëkohor.
Portalb.mk: Titulli i ekspozitës, “Arti i largësisë”, ngjall asociacione me distancën, kujtesën dhe përjetimin njerëzor. Çfarë përfaqëson largësia në konceptin tuaj artistik dhe çfarë dëshironi të përcillni përmes saj te publiku?
Dita Starova Qerimi: Për mua, largësia nuk është thjesht hapsira që ndan dy njerëz. Është një përjetim shumë më kompleks, sepse jo gjithmonë jemi pranë atyre me të cilët ndihemi të lidhur dhe jo gjithmonë ndihemi afër atyre që i kemi fizikisht pranë.
Me kalimin e viteve kam kuptuar se disa lidhje nuk varen nga takimet e përditshme. Ka njerëz që vazhdojnë të jenë pjesë e jetës sonë edhe kur nuk e ndajmë më të njëjtën hapësirë me ta. Ka kujtime që ndryshojnë mënyrën si e shohim botën, takime që na formësojnë përgjithmonë dhe heshtje që mbajnë brenda tyre shumë më tepër sesa mund të shprehin fjalët.
Pikërisht ky raport mes pranisë dhe mungesës është në thelbin e ekspozitës. Në pikturat e mia, format e mëdha organike dhe figurat njerëzore, shpesh pothuajse të padukshme, krijojnë një dialog ku afërsia dhe largësia nuk janë gjithmonë të kundërta. Ndonjëherë ajo që mungon fizikisht mbetet emocionalisht më e pranishme se shumë gjëra që kemi përpara syve.
Ky koncept ka edhe një dimension thellësisht personal. Babai im, Luan Starova, nuk mungoi në asnjë ekspozitë timen. Me të ndaja idetë, dyshimet dhe zbulimet e mia. Bashkë me nënën time, Gëzime Starova, ata kanë qenë mbështetja ime më e madhe dhe më e pakushtëzuar, njerëzit që më mësuan të besoj në atë që krijoj dhe të mbetem besnike ndaj vetes. Edhe në këtë hapje besoj se do ta kërkoj babain me sy mes vizitorëve. Por prania e tij vazhdon në vlerat që më ka lënë, ndërsa dashuria dhe përkrahja e nënës sime vazhdojnë të më japin forcë në çdo hap.
Megjithatë, nuk do të dëshiroja që “Arti i largësisë” të lexohej vetëm përmes mungesës apo nostalgjisë. Në këto piktura ka shumë jetë, lëvizje, dritë dhe besim në mundësinë e ripërtëritjes. Më intereson që secili vizitor të gjejë një lidhje me përvojën e vet, pa ia përcaktuar unë paraprakisht kuptimin.
Sepse ndonjëherë largësia nuk na tregon sa larg jemi nga dikush, por sa thellë vazhdon të jetojë ai brenda nesh.
Portalb.mk: Në veprat tuaja vërehet një gjuhë e fuqishme vizuale, me kontraste të theksuara ngjyrash, forma dhe ndërthurje abstrakte. Sa është kjo gjuhë shprehje e emocioneve personale dhe sa një reflektim mbi realitetin që na rrethon?
Dita Starova Qerimi: Nuk i ndaj aq lehtë këto dy dimensione. Ajo që përjetojmë personalisht nuk është e shkëputur nga bota në të cilën jetojmë. Përvoja jonë formësohet nga njerëzit, marrëdhëniet, ndryshimet dhe pasiguritë që na rrethojnë. Në pikturë, të gjitha këto kalojnë përmes ndjeshmërisë sime dhe marrin një formë tjetër.
Ngjyra është një nga elementet më të rëndësishme të gjuhës sime artistike. Nuk e përdor për ta riprodhuar realitetin, por për të shprehur atë që realiteti lë brenda nesh. E kuqja, bluja, kontrastet e forta, sipërfaqet e ndriçuara dhe ato më të errëta nuk kanë domosdoshmërisht një simbolikë të paracaktuar. Ato krijojnë marrëdhënie, tensione dhe ritme që zhvillohen gjatë vetë procesit të pikturimit.
Edhe lulja, e cila shfaqet si një motiv i rëndësishëm në këtë cikël, nuk më intereson si formë dekorative. Më tërheq natyra e saj e përkohshme, mënyra si hapet, ndryshon, e humbet formën dhe ripërtërihet. Dua që edhe në pikturë forma ta ketë këtë liri: të lindë nga një gjest, të ndërtohet, por edhe të shpërbëhet spontanisht, derisa ngjyra dhe lëvizja të bëhen më të rëndësishme sesa vetë njohja e saj.
Përballë këtyre formave ekspresive, figura njerëzore shpesh mbetet e vogël, e heshtur, ndonjëherë mezi e dallueshme. Ky raport nuk është i rastësishëm. Më intereson njeriu përballë madhështisë dhe ndryshimeve të vazhdueshme të jetës, por edhe aftësia e tij për të ruajtur ndjeshmërinë, kujtesën dhe nevojën për lidhje.
Prandaj pikturat e mia janë personale, por nuk synojnë të mbeten vetëm rrëfime të miat. Përmes përvojës personale përpiqem të prek diçka më të gjerë, në të cilën mund ta njohin veten edhe të tjerët.
Për mua, piktura fillon aty ku emocionit nuk i mjaftojnë më fjalët, por kjo nuk do të thotë se ajo mbetet pa mendim. Përkundrazi, çdo gjest kërkon edhe vendimin e vet.
Portalb.mk: Si është zhvilluar procesi krijues i kësaj ekspozite dhe cilat kanë qenë temat, përjetimet apo pikënisjet kryesore që kanë ndikuar në realizimin e veprave?
Dita Starova Qerimi: Kjo ekspozitë nuk ka lindur nga një ide e vetme apo nga dëshira për të ilustruar një temë të caktuar. Është zhvilluar gradualisht, përmes një procesi në të cilin janë ndërthurur përvoja personale, vëzhgimi i natyrës, kujtesa dhe interesimi im i vazhdueshëm për marrëdhënien mes njeriut dhe hapësirës.
Në këtë cikël jam kthyer te disa pyetje që më kanë shoqëruar prej kohësh: çfarë mbetet nga një takim, si ndryshon prania kur njerëzit largohen, si ruhet një lidhje dhe si mund të shndërrohet një përjetim i padukshëm në gjuhë piktorike.
Procesi im krijues lëviz vazhdimisht mes spontanitetit dhe kontrollit. Nuk më pëlqen që piktura të jetë plotësisht e parashikuar që në fillim. Ndonjëherë është një ngjyrë që e ndryshon drejtimin e kompozimit, herë të tjera një vijë apo një formë që shfaqet papritur. Punoj me shtresa, me ritmin e penelatës, me kontrastet dhe me hapësirën që mbetet e papikturuar. Ka momente kur duhet të ndërhyj, por edhe momente kur duhet të di të ndalem dhe t’i lejoj pikturës të ruajë spontanitetin e saj.
Një interesim i veçantë ka qenë transformimi i formave lulore. Në disa vepra ato janë më të dallueshme, ndërsa në të tjera pothuajse shpërbëhen në ngjyrë dhe gjest. Pikërisht kjo gjendje ndërmjet formësimit dhe shpërbërjes më tërheq, sepse i ngjan mënyrës si ndryshojnë edhe përvojat tona. Asgjë nuk mbetet plotësisht siç ka qenë, por jo gjithçka që ndryshon zhduket.
Veprat si “Unspoken Connection”, “What Remains”, “The Weight of the Bloom” apo “Beyond the Separation” sjellin ritme dhe gjendje të ndryshme të këtij kërkimi. Nuk kam dashur që të gjitha pikturat të kenë të njëjtin intensitet. Disa janë më të qeta, disa më ekspresive, disa e ndërtojnë marrëdhënien përmes ngjyrës, ndërsa të tjera përmes heshtjes dhe hapësirës.
Pas shumë vitesh përgjegjësish akademike dhe institucionale, koha në atelie ka për mua një vlerë shumë të veçantë. Aty jam përballë vetes, pa funksione dhe pa tituj. Vetëm unë, pëlhura dhe ajo që ende nuk e di se si do të marrë formë.
Ndoshta pjesa më e bukur e krijimtarisë është pikërisht kjo: të mos e dish plotësisht ku do të të çojë piktura dhe megjithatë të kesh guximin ta ndjekësh.
Portalb.mk: Çfarë rëndësie ka për ju prezantimi i kësaj ekspozite në Galerinë Nacionale dhe çfarë mendoni se duhet të jetë roli i institucioneve kulturore në mbështetjen dhe afirmimin e artit bashkëkohor në vend?
Dita Starova Qerimi: Kjo ekspozitë ka për mua një domethënie shumë të veçantë, sepse marrëdhënia ime me Galerinë Nacionale dhe veçanërisht me Çifte Hamamin nuk fillon me përgjegjësinë time si drejtoreshë. Ajo fillon shumë më herët, në vitet e formimit tim artistik.
Si studente e Fakultetit të Arteve Figurative, kam kaluar shumë kohë në Suli An, fare pranë Çifte Hamamit. E njihja këtë hapësirë si pjesë të përditshmërisë sime artistike. Më vonë, në vitin 2012, shumë përpara se të bëhesha drejtoreshë, pikërisht këtu realizova ekspozitën time personale “Vibrime koloristike”.
Nga viti 2015 deri në vitin 2024 pata përgjegjësinë të drejtoj Galerinë Nacionale. Ishin nëntë vite intensive, me projekte të rëndësishme, bashkëpunime ndërkombëtare dhe sfida të shumta, por edhe me një përgjegjësi të madhe për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore.
Një nga përvojat që e ruaj me kënaqësi të veçantë është puna për restaurimin e Çifte Hamamit. Në vitin 2018, gjatë mandatit tim, siguruam mbështetjen financiare nga Fondi i Ambasadorëve të SHBA-së për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore. Projekti, i realizuar edhe me mbështetje institucionale vendore, përfundoi në vitin 2020. Për mua, kjo nuk ishte thjesht një ndërhyrje restauruese, por një investim në jetën e ardhshme të një monumenti të jashtëzakonshëm.
Këtu dua të përmend edhe një përvojë shumë personale. Kam jetuar në Paris dhe e kam dashur thellësisht mënyrën se si ai qytet e jeton artin. Atje muzetë dhe galeritë nuk janë vetëm vende që vizitohen. Janë pjesë e jetës së përditshme, e kujtesës dhe e identitetit kulturor. Njerëzit rikthehen tek ato, krijojnë marrëdhënie me veprat dhe i ndiejnë këto hapësira si pjesë të qytetit të tyre.
Këtë ndjesi e kam mbartur gjithmonë me vete dhe kam punuar që një pjesë të asaj përvoje ta bëj të mundur edhe për publikun në Shkup.
Shpesh mendoj për hapësira si Musée de l’Orangerie në Paris, ku historia e ndërtesës dhe përvoja artistike bashkëjetojnë në mënyrë të veçantë. Nuk i krahasoj këto institucione për nga fama apo përmasat, por për nga rëndësia e marrëdhënies që krijojnë mes artit, trashëgimisë dhe publikut. Në këtë kuptim, Çifte Hamami është një nga pasuritë më të çmuara kulturore të Shkupit, me një potencial që duhet ta njohim dhe ta vlerësojmë shumë më tepër.
Gjithmonë kam dashur që publiku ynë të mos ketë nevojë të udhëtojë në Paris apo në qytetet e tjera të mëdha evropiane për të përjetuar një takim të veçantë me artin. Kam dashur që atë ndjesi ta ketë edhe këtu, në hapësirat tona historike, në muzetë dhe galeritë tona. Që arti të mos jetë vetëm një ngjarje në kalendar, por pjesë e jetës kulturore të qytetit.
Kjo bindje më ka udhëhequr edhe gjatë drejtimit të Galerisë Nacionale. Besoj se institucionet kulturore nuk duhet të kufizohen në organizimin e ekspozitave. Ato duhet të ndërtojnë vazhdimësi, të mbështesin krijimtarinë, të kujdesen për trashëgiminë, të edukojnë publikun dhe të krijojnë mundësi reale për afirmimin ndërkombëtar të artistëve.
Përvoja ime si komisare e katër përfaqësimeve të Maqedonisë së Veriut në Bienalen e Venecias, gjatë viteve 2021–2024, më ka treguar sa e rëndësishme është që talenti artistik të mbështetet nga institucione serioze dhe profesionale. Kemi artistë me potencial të madh, por talenti nuk mund të mbetet i varur vetëm nga këmbëngulja individuale. Po aq e rëndësishme është që projektet e mira të kenë vazhdimësi, pavarësisht ndryshimeve institucionale. Kultura ka nevojë për kujtesë, ashtu siç ka nevojë për vizion.
Sot rikthehem në Çifte Hamam me pikturat e mia. Dikur kam qenë studente pranë kësaj hapsire, më pas kam ekspozuar këtu si artiste, kam pasur përgjegjësinë institucionale të kujdesem për të dhe tani rikthehem sërish si piktore. Ky është një rrugëtim që për mua ka një vlerë të veçantë, sidomos kur e shoh monumentin me pamjen dhe kushtet e tij të përmirësuara.
Në njëfarë mënyre, edhe ky rikthim lidhet me konceptin e ekspozitës sime: me kohën që kalon, me gjërat që ndryshojnë dhe me lidhjet që vazhdojnë të mbeten pjesë e nesh.
Kam jetuar në një qytet ku arti ishte pjesë e përditshmërisë dhe kam dëshiruar që këtë përvojë ta sjell, në mënyrën time, edhe këtu. Që publiku ynë ta njohë, ta dojë dhe ta jetojë trashëgiminë e vet.
Sepse në fund, vlera e punës sonë nuk qëndron vetëm në atë që arrijmë të realizojmë, por edhe në atë që u lëmë brezave që vijnë.