Në Ditën Ndërkombëtare të Grave – 8 Marsin në Portalb.mk sjellim intervistën me Xhane Kreshovën, aktiviste për të drejtat e grave me përvojë dhjetëra vjeçare. Kreshova foli për të drejtave të grave në Maqedoninë e Veriut, punën e saj ndër vite, progresin dhe regresin në këtë drejtim dhe shumë të tjera të cilat mund t’i ndiqni në vijim.
Portalb.mk: Jeni ndër ikonat e aktivizmit për të drejtat e grave në Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm, si e vlerësoni progresin e të drejtave të grave në Maqedoninë e Veriut dekadat e fundit?
Xhane Kreshova: Me plotë kuptimin e fjalës mund të them që këto 10 vitet e fundit, gruaja është zgjuar, pasi që vet tani udhëton drejt barazisë gjinore. Kjo s’do të thot që në përgjithësi, një numër i veçantë i grave, të themi në përgjithësi për gruan shqiptare flas 5 % atje diku, është vetëdijësuar dhe po hapëron drejt barazisë gjinore.
Mirëpo kjo nuk mjafton, pasi gratë duhet të edukohen në përgjithësi dhe të ngritet vetëdija tek ato që të munden të sjellin vendime, dhe të jenë ato që në gjirin familjar të dëgjohet zëri i tyre, pasi ende sundon patriarkalizmi.
Duhet pranojmë se te ne sidomos tek popullata jonë eksizton një drojë që mos të jenë të parat që ngrenë zërin për tu liruar nga këto prangat patriarkale, në vend të parë të përforcohen në përforcimin ekonomik dhe të integrohen në shoqëri. Ne duam që gruaja jonë të integrohet sa më parë në rrjedhat shoqërore.
Portalb.mk: Cilat janë ndryshimet më të mëdha që keni parë ju ndër vite në jetën e grave falë aktivizmit tuaj dhe të tjerve në këtë drejtim?
Xhane Kreshova: Për shembull njëra ndër ndryshimet më të mëdha është që gruaja s’është paramenduar që mund të futet në politikë, për neve ky është një ndryshim i madh, pasi që deri para një dekade të themi gati, as që ka menduar vetë të kërkoje, dhe tani ka marrë guximin që vet të hapërojë në këtë drejtim dhe të mundet ti kërkojë të drejtat e barabarta që i takojnë me ligj, kjo është shumë normal. Për neve kjo është një sukses pasi në si organizatat e grave, në përgjithësi flas, në nivel të Maqedonisë kemi bërë hapat e para që gruan ta sjellim në jetën politike ajo do të thot për ne një sukses i madh.
Portalb.mk: Sa jemi sot si shoqëri të edukuar për barazi gjinore?
Xhane Kreshova: Si shoqëri shumë pak, po të marrim neve gratë tona, ende nuk e kanë ende guximin, në përgjithësi nuk e kanë guximin që të marrin hapat e para që ta kërkojnë atë që ju takon. Ne jemi të barabarta dhe t’i shmangemi patriarkalizimit dhe të shkojmë përpara pa marrë parasysh a do të gjykohemi nga ana e burrave. Duhet të marrim masa edhe në edukimin e fëmijëve tonë sidomos djemve që të jenë të barabartë qysh në moshë më të re, si djelmosha, neve këtë nuk kemi arritur ende ta bëjmë pasi duhet shumë punë në këtë drejtim dhe duhet me pasur mbështetje institucionale që na mungon jo vetëm neve por edhe shumë organizatave të tjera, në përgjithësi flas.
Portalb.mk: Sipas jush, si mund të përfshihen më shumë djemtë dhe burrat në përpjekjet për barazi gjinore?
Xhane Kreshova: Nuk përfshihen, fatkeqësisht burrat vetëm me fjalë mund t’i dëgjojmë që janë për një barazi gjinore, në fakt nuk e pranojnë. Shumë prej tyre nuk pranojnë që duhet të jenë të barabartë gruaja dhe burri. Dhe ndoshta këtu ndikon edhe edukimi jo vetëm familjar por edhe edukimi në shkollat e fëmijëve tonë, edukatoret nuk janë të gatshëm të marrin një hap të tillë, kështu që duhet shumë punuar në shkollat e 9 vjeçares të punohet në drejtim të ngritjes së vetëdijes të stafit edukativ që të punohet edhe me fëmijë, mirëpo shumë pak punohet, d.m.th. shumë duhet punë.
Portalb.mk: Si ja keni arritur që të punoni në zonat rurale?
Xhane Kreshova: Aktiviteti dhe puna më e madhe është bërë në viset rurale, dhe mendoj që mjaft është arritur, pasi vajzat e vazhdojnë shkollimin. Fat është që kemi pasur Universitetet në Tetovë, viset rurale por jo vetëm të pjesës së Maqedonisë mirëpo përfshirë këtu Kosovën dhe vendet tjera shqipfolëse që janë të afërta. Kështu që kemi arritur që shumë ta ngremë vetëdijen te vajzat e reja që është shumë kryesore sepse ato janë vazhdimësia e edukimit të mëtutjeshëm te gjeneratat e reja.
Portalb.mk: A mendoni se ka barazi gjinore?
Xhane Kreshova: Mendoj që nuk kemi barazi gjinore, duke parë fotografinë që kemi vizituar shumë vise, e bëjmë një paralele me gratë maqedonase ka dallim, pasi gruaja jonë edhe pse ka filluar të shkollohet, ende nuk e ka arritur atë nivelin e duhur të barazisë. Sipas meje duhet ende shumë që të punohet në këtë drejtim që të arrihet ajo që dëshirojmë.
Portalb.mk: Në kontekst të 8 marsit cili është mesazhi I juaj?
Xhane Kreshova: Mesazhi im do të ishte që, të ngrenë vetëdijen për barazinë gjinore, të çlirohen nga prangat patriarkale, është shumë me rëndësi të ceket përforcimi ekonomik dhe të integrohen në shoqëri, vetëm ashtu do të kemi një barazi gjinore nga ana e grave.