Nga Nurembergu i drejtësisë te dilemat e Hamletit, nga pritja e Godosë te dashuria e Romeos dhe Xhulietës. Dhjetë shfaqje do të ngjiten në skenat e Teatrit Shqiptar në Shkup nga 16 deri më 22 nëntor, në kuadër të Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit “Moisiu”, shkruan Portalb.mk.
Pas Tiranës dhe Prishtinës, Shkupi merr stafetën e festivalit që bashkon trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Presheva. Për shtatë net, skena e madhe dhe ajo e vogël e Teatrit Shqiptar do të sjellin histori për drejtësinë, dashurinë, lirinë dhe përballjet njerëzore.
Festivali hapet më 16 nëntor, në orën 20.00, me shfaqjen “Drejtësi në Nurenberg” të Teatrit Kombëtar të Tiranës, me regji të Arben Kumbaros.
Më 17 nëntor, publiku do të ndjekë dy shfaqje. Në orën 18.00, në skenën e vogël vjen “Amour” nga Teatri Bylis i Fierit, me regji të Besmir Bitrakut, ndërsa në orën 20.00, në skenën e madhe, “Pylli” i Teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit, me regji të Erson Zymberit.
Mbrëmja e 18 nëntorit i kushtohet shfaqjes “Sytë e ujkut” nga Integra e Prishtinës, me regji të Kushtrim Koliqit, në orën 20.00, në skenën e vogël.
Më 19 nëntor, në orën 18.00, Teatri “Trajko Prokopiev” i Kumanovës sjell “Duke pritur Godonë”, me regji të Qëndrim Rijanit, në skenën e vogël. Në orën 20.00, skena e madhe pret “Hamletin” e Teatrit Metropol të Tiranës, me regji të Jonida Beqos.
Dy shfaqje janë paraparë edhe më 20 nëntor. “Mytma burrin” e Teatrit të Qytetit të Preshevës, me regji të Kastriot Saqipit, jepet në orën 18.00 në skenën e vogël. Në orën 20.00, Teatri i Tetovës sjell në skenën e madhe “Magjistarin e Ozit”, me regji të Kushtrim Bekteshit.
Më 21 nëntor, në orën 20.00, Teatri Kombëtar i Kosovës paraqet “Romeo dhe Xhulieta”, me regji të Ilir Bokshit.
Festivali mbyllet më 22 nëntor, në orën 20.00, me shfaqjen e mikpritësve “Përtej hekurave” të Teatrit Shqiptar të Shkupit, me regji të Naser Shatrollit.