Von Der Leyen me ide rreth rritjes së sigurisë në Bashkimin Evropian

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen propozoi krijimin e një Këshilli të Sigurimit Europian, një mekanizëm që synon t’i japë përgjigje të bashkuar, kërcënimeve ndaj çdo vendi anëtar të unionit, raporton Klan. Për këtë pati ndërmend, provokimin rus me dronë të 5 gushtit në Gjermani.

“Ne kemi nevojë urgjente për konsensus se si t’u përgjigjemi incidenteve të caktuara. Përpjekja për sulm me dron në Leipzig është prova më e fundit. Një sulm jo vetëm ndaj një shteti anëtar, por ndaj të gjithë Bashkimit tonë. Ne nuk do ta lejojmë këtë”, tha Von Der Leyen.

Në fjalimin vjetor mbi Gjendjen e Unionit përpara Parlamentit Europian në Strasburg, Von der Leyen rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur me ndihma dhe fonde për Ukrainën gjatë dimrit më të vështirë të luftës, ndërsa kërkoi rritjen e presionit ndaj Moskës përmes zbatimit pa përjashtim të sanksioneve ekzistuese.

Presidentja e Komisionit u shpreh gjithashtu e tmerruar nga nderimi që i u bë kriminelit të luftës Ratko Mlladiç gjatë funeralit të tij në Beograd.

“Jam e tmerruar nga panorama e funeralit të Ratko Mlladiçit javën e kaluar në Beograd. Ai ka kryer krimet më të tmerrshme kundër njerëzimit. Lavdërimi i kriminelëve të luftës thjesht nuk ka vend në Bashkimin Evropian”, tha Von Der Leyen.

Pjesë e rëndësishme e fjalimit ishte edhe mbrojtja e fëmijëve në hapësirën digjitale. Presidentja e Komisionit Europian propozoi rregulla të njehsuara përmes “Ligjit për Fëmijët” që kufizon përdorimin e rrjeteve sociale për ta.

“Asnjë rrjet social nën moshën 13 vjeç. Asnjë llogari personale nën moshën 15 vjeç. Kjo do të thotë se nga mosha 13 deri nën 15 vjeç do të lejohen vetëm mini-llogari të ngritura dhe të mbikëqyrura nga prindërit apo kujdestarët, me funksione të kufizuara dhe kohë të kufizuar deri në një orë në ditë. Ndërsa nga mosha 15 deri në 18 vjeç, dizajni i sigurt do të jetë një detyrim për platformat”, tha Von Der Leyen.

Në përmbyllje, von der Leyen njoftoi se vitin e ardhshëm do të organizohet një “Kongres i Ri i Europës” me rastin e 70-vjetorit të Traktatit të Romës.

Ky aktivitet gjithëpërfshirës do të bëjë bashkë mendimtarët, shkencëtarët dhe artistët më të mirë të kontinentit për të hartuar një vizion të ri që inspiron brezin e ardhshëm të europianëve.

Bashkimi Evropian (BE)Ursulla fon der Llajen (Ursula von der Leyen)