Gjatë vitit 2025, në vend u regjistruan 911 ndërtesa të ndërtuara pa leje, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), transmeton Portalb.mk.
Shumica e tyre janë ndërtesa banimi – 169 ose 18.6 përqind e numrit të përgjithshëm. Nga këto, 128 janë ndërtesa ekskluzivisht banimi, 24 janë kryesisht banimi dhe 17 janë objekte pushimi dhe rekreacioni.
Sipas statistikave, u regjistruan gjithashtu 164 gardhe të ndërtuara pa leje (18 përqind), 116 ndërtesa biznesi (12.7 përqind), 113 apartamente nën çati (12.4 përqind), si dhe 110 zgjerime, mbistruktura dhe adaptime (12.1 përqind).
Gjithashtu u regjistruan 106 objekte ndihmëse (11.6 përqind), 79 garazhe (8.7 përqind), 22 tarraca verore (2.4 përqind), 17 ndërtesa të përkohshme (1.9 përqind), nëntë shkallë (një përqind) dhe gjashtë tarraca (0.7 përqind).
Enti Shtetëror i Statistikave deklaron se shumica e ndërtesave të ndërtuara pa leje, pra 96.1 përqind, janë në pronësi private.
Kujtojmë se në prill, për ndërtimin dhe rikonstruktimin e objekteve të larta dhe të ulëta janë dhënë 291 leje në Maqedoninë e Veriut. Aty planifikohet ndërtimi edhe i 722 banesave të reja me sipërfaqe mesatare prej 90 metra katrorë.