Vijojnë kërkimet për të mbijetuar nga tërmetet në Venezuelë, bilanci i viktimave 1.430

Bilanci i viktimave të tërmeteve që më herët gjatë javës tronditën Venezuelën ka shkuar në 1.430 persona, teksa skuadrat e shpëtimit vijojnë kërkimet për të mbijetuar, transmeton Euro News Albania.

Vendi u godit nga dy lëkundje të njëpasnjëshme prej 7.2 dhe 7.5 ballësh ditën e mërkurë, që lanë pas shkatërrim dhe plagosën thuajse 4 mijë persona.

Të paktën 383 godina, 13 spitale, 25 qendra tregtare dhe mbi 1 mijë struktura të tjera u dëmtuan si pasojë e tërmeteve. Ndërkohë që të zhdukurit llogariten në disa dhjetëra mijëra persona.

Skuadra emergjence nga e gjithë bota po mbështesin operacionet e kërkim-shpëtimit në vendin latin, me shumicën e tyre të ardhura nga vendet e Bashkimit Evropian e që janë vendosur në zonat më të prekura.

Konkretisht, efektivët e ardhur janë mbi 520, kryesisht nga Republika Çeke, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Portugalia, Spanja dhe Luksemburgu.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se shtetet e Kalifornisë dhe Virxhinias kanë dërguar ekipe të tilla, të mbështetura nga personel ushtarak amerikan dhe të përbëra përveçse nga efektivë edhe nga mjekë, inxhinierë dhe zjarrfikës.

Gjithashtu, Komanda Jugore amerikane ka dërguar edhe mjete ajrore, si helikopterë të tipit “Chinook” dhe anije për të ndihmuar autoritetet në Karakas.

TërmetVenezuelaViktima