U shkarkua kryeprokurori i Kosovës

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të premten, raporton Koha.net.

Në një njoftim për media, KPK-ja ka konstatuar se nën Isufajn ka pasur “keqmenaxhim të Prokurorisë Speciale; jokompetenca në ushtrimin e funksionit të kryeprokurorit; dështim në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me ligj dhe mospërmbushje të standardeve të kërkuara të performancës”.

“Gjithashtu, KPK thekson se këto nuk përbëjnë vlerësime të përgjithshme apo konsiderata politike, por rrethana të lidhura drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit, përgjegjësitë ligjore të bartësit të tij dhe standardet profesionale e institucionale të kërkuara për drejtimin e Prokurorisë Speciale. Sipas vlerësimit të KPK-së, secila prej këtyre rrethanave, veçmas dhe në mënyrë të pavarur, përbën bazë për ndërmarrjen e masës së largimit nga pozita, në kuptim të nenit 22, paragrafit 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet në njoftim.

KPK-ja ka shprehur shqetësim edhe për efikasitetin institucional të Prokurorisë Speciale, ndërsa ka thënë se menaxhimi i katër vjetëve të fundit ka ndikuar direkt në dobësim të efikasitetit dhe rezultateve institucionale.

“Për KPK-në, drejtimi i një institucioni të tillë nuk mund të reduktohet në ushtrimin formal të kompetencave administrative. Kryeprokurori bart përgjegjësi të drejtpërdrejtë për organizimin, menaxhimin, funksionalitetin dhe rezultatet e institucionit që drejton, në përputhje me ligjin, standardet profesionale dhe detyrimin kushtetues për funksionimin efikas të sistemit prokurorial. Në këtë kuptim, KPK konsideron se përgjegjësia institucionale dhe llogaridhënia nuk janë çështje diskrecionale, por kërkesa të domosdoshme për funksionimin e një sistemi prokurorial të pavarur, profesional dhe efikas”, thuhet në njoftim të KPK-së.

Ky organ është shprehur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet “për rikthimin e efikasitetit, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe menaxheriale dhe përmirësimin e rezultateve të Prokurorisë Speciale”.

KPK-ja ka bërë të ditur po ashtu se Dren Paca do të jetë ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale deri në plotësimin e pozitës, sipas ligjit.

Isufaj u rizgjodh në këtë pozitë më 2023, ndërsa për herë të parë qe zgjedhur më 2019.

Ai ka qenë fytyra më e kritikuar në Prokurori nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet. Isufaj qe votuar nga Këshilli Prokurorial për Kryeprokuror të Shtetit, por atëkohë procesi mbeti pezull dhe nuk qe dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Madje kryeministri Albin Kurti pati thënë se në prokurori “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm, e që është Blerim Isufaj”.

Më 2 shtator, Isufaj pati përplasje me anëtarë të Këshillit Prokurorial. Përplasjet përfunduan me rrëzim të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për 2025. Në takim, Isufaj pati prezantuar me shifra punën e Prokurorisë Speciale gjatë vitit 2025, duke thënë se ka pasur lëvizje të tre prokurorëve dhe se aktualisht në punë janë 22 të ngarkuar me lëndë. Sipas tij, pas ngritjes së aktakuzës, vendimet e gjykatës bazuar në departamente janë si në vijim: Krime lufte-hedhje e aktakuzës një rast, 11 persona të shpallur fajtorë, një i liruar dhe një rast kur është refuzuar aktakuza. Për krim të organizuar, Isufaj ka thënë se dy raste aktakuzash janë hedhur poshtë, 81 persona të shpallur fajtorë, 44 janë liruar dhe për 22 është refuzuar aktakuza.

Kosova