Në Maqedoninë e Veriut u shkarkua drejtori i Klinikës Universitare të Neurologjisë. Shkarkimi erdhi me vendim të ministrit të shëndetësisë, Azir Aliu, transmeton Portalb.mk.
“Në afatin më të shkurtër të mundshëm do të emërohet drejtor i ri, në përputhje me procedurat ligjore. Puna në Klinikë vazhdon pa pengesa”, premtoi Ministria për Shëndetësi.
Igor Kuzmanovski u shkarkua nga pozita e drejtorit të Klinikës Universitare të Neurologjisë. Ministria nuk theksoi arsyen e shkarkimit, ndërkohë ai dyshohet se është përdorues i lëndëve narkotike, për çka kanë qarkulluar edhe pamje në rrjetet sociale.